Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Çeferin paralajmëron klubet që insistojnë për Superligën Evropiane

Aleksandar Çeferin

Presidenti i UEFA-s, Aleksander Çeferin ka nisur një tjetër kritikë të ashpër klubeve që planifikojnë ta ringjallin idenë e formimit të Superligës Evropiane. Real Madridi, Barcelona dhe Juventusi raportohet se kanë synim ringjalljen e projektit të formimit të Superligës.

Por Çeferin ka qenë i qartë në Samitin e Biznesit të Futbollit Financial Times në Londër. Ai ka thënë se nëse klubet luajnë në Superligë, nuk mund të luajnë në garat e UEFA-s.

“Ata që flasin për Superligën nuk flasin për futbollin. Jam i lodhur nga ky projekt që nuk i takon futbollit. Së pari ata hodhën idenë në mes të një pandemie. Tani ne lexojmë artikuj se ata po planifikojnë të lëshojnë një ide tjetër tani në mes të një lufte. A duhet të flas më shumë për këta njerëz. Ata padyshim jetojnë në një botë paralele”, ka thënë Çeferin.

Ai ka treguar edhe pasojat që mund t’i kenë klubet.

“Ata mund të luajnë në mes vete, askush nuk i ndalon. Por nëse ata luajnë garën e tyre, ata nuk mund të luajnë në garën tonë”, është shprehur Çeferin.

Ideja e formimit të Superligës Evropiane është rrëzuar menjëherë. Shumë klube u tërhoqën. Aktualisht, Superligën Evropiane e mbështesin vetëm Real Madridi, Barcelona dhe Juventusi.