Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

FFK-ja kundër Superligës Evropiane

Federata e Futbollit të Kosovës ka dalë kundër projektit të Superligës Evropiane, duke konfirmuar qëndrimin në mbështetje të UEFA-s.

Superliga u ringjall të enjten pasi Gjykata e Lartë e Bashkimit Evropian vendosi që UEFA dhe FIFA kundërshtuan Ligjin e konkurrencës duke bllokuar projektin e shkëputur. Vendimi u vlerësua nga Real Madridi, i cili, së bashku me Barcelonën, po udhëheq luftën për të formuar një garë rivale me Ligën e Kampionëve.

“Federata e Futbollit të Kosovës qëndron fuqimisht në mbështetje të UEFA-s dhe sistemit të futbollit që bazohet në solidaritet dhe merita sportive. Ndërsa po ballafaqohemi me projekte të tilla si “Super Liga”, të cilat synojnë ndarjen nga vlerat themelore sportive dhe solidariteti, FFK rishpreh përkrahjen e saj të parezervë ndaj UEFA-s në luftimin e kërcënimeve të tilla. Projekti i ashtuquajtur “Super Liga” nuk respekton vlerat e meritës sportive dhe synon shkatërrimin e sistemit të garave në futboll. FFK e sheh këtë projekt si një kërcënim ndaj integritetit dhe unitetit të futbollit, duke vënë në rrezik të gjithë strukturën e futbollit, e cila që nga themelimi i UEFA-s ka nxitur konkurrencën dhe zhvillimin e futbollit”, thuhet në një deklaratë të FFK-së të enjten.

FFK-ja ka shtuar se beson që Superliga Evropiane do të dështojë.

“FFK nxit të gjitha pjesëmarrësit e futbollit që të bashkohen në këtë kauzë të rëndësishme për të mbrojtur integritetin dhe vlerat e sportit tonë të dashur. Ata që synojnë të ndahen nga familja e futbollit, e cila i ka rritur, do të ballafaqohen me refuzim dhe kritikë nga komuniteti i futbollit. FFK beson se uniteti dhe besimi në vlerat sportive do të fitojnë gjithmonë mbi ndarjen dhe interesat e ngushta. Me vendosmëri do të vazhdojmë të mbrojmë futbollin tonë dhe të përkrahim çdo hap drejt një garë të drejtë, e bazuar në meritë sportive”, thuhet në deklaratën e FFK-së.