Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Kurti: Bllazheviq e bëri Prishtinën aq të famshme

Për vdekjen e trajnerit të futbollit, Qiro Bllazheviq, ka shkruar edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kryeministri Kurti ka thënë se e mban mend se si kroati Bllazheviq e bëri Prishtinën të famshme.

Ka përmendur momentin kur Bllazheviq e solli në Prishtinë këngëtaren e njohur kroate, Tereza Kesovija.

Qiro Bllazheviq vdiq të mërkurën në moshën 87-vjeçare.

“Qiro Bllazheviq, emër i shënuar në periudhën e gjeneratës së artë të KF Prishtina. Ai sot ndërroi jetë në moshën 87 vjeçare, duke lënë pas kujtime të shumta nga periudha kur futbolli kosovar kishte arritur kulmin e tij në vitet e ‘80-ta, derisa drejtonte me plot vetëbesim dhe entuziazëm ekipin e atëhershëm të KF Prishtinës. Si fëmijë, e mbaj mend qysh e pat bërë KF Prishtina aq të famshme. E pat sjellë në Prishtinë këngëtaren e njohur kroate, Tereza Kesovija. Para fillimit të një ndeshjeje të ligës elitare të vitit 1985 në Prishtinë, ajo doli në mes të fushës pranë kapitenit të atëhershëm Fadil Vokrri, për ta nisur ndeshjen formalisht, derisa të gjithë shikuesit në tribuna mbanin shalla të bardhë, sepse kështu bënte vetë Mirosllav Qiro Bllazheviq. Në kujtesën e atyre që e kanë përcjellë futbollin e asaj kohe, Bllazheviq ka bërë vend si një trajner me pasion për futbollin dhe dashurinë e madhe për Prishtinën e Kosovën. Dhe i tillë do të mbetet përherë!”, ka shkruar kryeministri Kurti.