Sport

Periudha e papërsëritshme e Qiro Bllazheviqit te Prishtina

Qiro Bllazheviq nuk qëndroi gjatë në klubin e futbollit Prishtina. Por la gjurmë të mëdha. Ndonëse punoi te Prishtina vetëm disa muaj, kroati Bllazheviq u bë një prej njerëzve më të dashur për popullin e Kosovës.

Bllazheviq drejtoi Prishtinën në pjesën pranverore të edicionit 1984/1985, kur mision ishte mbetja në elitën e futbollit të ish-Jugosllavisë. Misioni kishte përfunduar me sukses, ndërsa Bllazheviq bëri shumë miq e përkrahës në Kosovë.

Bllazheviq vdiq të mërkurën në moshën 87-vjeçare. Ai është përballur për kohë të gjatë me një sëmundje të rëndë, e cila përfundimisht e mposhti të mërkurën. Shumë personalitete kanë ngushëlluar në Kosovë për vdekjen e Qiros së famshëm. Ndër të tjera edhe kryeministri Albin Kurti.

Ndonëse kanë kaluar gati katër dekada prej se ka punuar në Kosovë, për Bllazheviqin vazhdon të flitet me respekt e admirim.

Një prej miqve më të mirë të Bllazheviqit ishte trajneri Ajet Shosholli. Ai tregon se ka qenë krahu i djathtë i Bllazheviqit. Ishte ndihmës i kroatit në ata muaj te Prishtina.

Shosholli, që para ardhjes së Bllazheviqit ishte kryetrajner i Prishtinës, thotë se arma më e fortë e legjendarit kroat ishte motivimi.

“Ka qenë një njeri i afërt, i dashur, komunikues me bashkëpunëtorët. Ka qenë një njohës i shkëlqyer i futbollit. Përveç shumë anëve pozitive, armën kryesore e ka pasur motivimin te futbollistët. Kemi pasur bashkëpunim të shkëlqyer. Ka qenë njeri i thjeshtë. Ka gjetur momentin dhe fjalët e duhura”, ka kujtuar Shosholli të mërkurën.

Tekniku mitrovicas ka theksuar se respekti ishte i madh ndaj Bllazheviqit.

“Kur ai ka folur në dhomën e zhveshjes, nuk është dëgjuar miza. Ka qenë koncentrimi maksimal. Varësisht nga situata, ai ka ditur të reagojë”, është shprehur tutje Shosholli.

Bllazheviq mbahet në mend si trajneri më i madh që ka drejtuar Prishtinën në kohën e artë të saj. Te Prishtina erdhi pas sukseseve në futbollin zviceran.

Shosholli kujton edhe ditët e para të bashkëpunimit me Bllazheviqin.

“Pritja ka qenë e ngrohtë nga të gjithë, duke filluar nga futbollistët, anëtarët e bordit të klubit, publiku. I ka bërë njerëzit për vete me qasjen e tij. Ka qenë i pranuar nga të gjithë. Stërvitjet i ka pasur normale, por komunikimi dhe qasja në situata të ndryshme e kanë bërë të veçantë. Ka dashur në detaje të dijë për çdo lojtar, koleg dhe anëtar të klubit. Ka qenë njeri i detajeve. Do të mbetet pjesë e historisë së futbollit kosovar”, thotë Shosholli.

Ai tregon edhe për komunikimin e fundit që ka pasur me trajnerin legjendar të Kroacisë.

“Në tetor të vitit të kaluar kam komunikuar së fundi. Kemi folur me video. U përshëndetëm dhe më tha se ‘Ajet paskan filluar edhe ty të bien flokët’. Ka qenë një bisedë e relaksuar”, ka thënë Shosholli.

Prezantimi i Bllazheviqit te Prishtina, lajmi kryesor i ditës

Pas një karriere plot trofe me klube të ndryshme, Bllazheviq sukses të madh shënoi edhe me Kroacinë në Botërorin “Franca 1998”. Kroacia zuri vendin e tretë. Në ndeshjen për vendin e tretë Kroacia triumfoi 2:1 ndaj Holandës dhe fitoi medaljen e bronztë. Bllazheviq forcoi statusin e legjendës në vendin e tij, por jo vetëm atje.

Skënder Shengyli thotë se Bllazheviq është legjendë edhe në Kosovë. Shengyli ka qenë pjesë e gjeneratës së artë të Prishtinës. Në vitin kur Bllazheviq drejtoi skuadrën, Shengyli ishte i pazëvendësueshëm në përbërjen bazë.

“Ka qenë një periudhë e vështirë për ne, pasi ishim në pozitë të vështirë në tabelë. Më kujtohet që kemi qenë në një fazë të shkurtër përgatitore në muajin maj, pasi atëkohë luante ish-Jugosllavia. Dhe dëgjonim nga kryesia se do të vijë një trajner i ri. Por, ne atëbotë nuk kishim mjet tjetër për të lexuar veçse të shikonim televizionin. Kujtoj kur në lajmet qendrore zuri vend lajmi kryesor i emërimit të Qiro Bllazheviqit në krye të Prishtinës. Ai ka qenë i afërt. Ka qenë psikolog. Armë të fortë e ka pasur motivimin. Ishte motivues i fortë. Ai ishte modest dhe i afërt edhe me publikun. Kam kujtime të mira”, ka thënë Shengyli.

Trajneri nga Prizreni thotë se Bllazheviq ka dashur të jetojë gjatë.

“Kujtoj një bisedë që kemi pasur në hotel ku si temë ishte jetesa e një peme. Ai më është drejtuar me fjalët se ‘pse mos të jetoj edhe unë 600 vjet’. E ka dashur shumë jetën. Ka qenë në shërbim të shikuesve dhe i afërt me ne të gjithë”, është shprehur Shengyli, që kujton edhe festën e madhe të bërë pas arritjes së qëllimit – mbijetesës në elitën jugosllave.

Pos Shengylit, lojtar bartës te Prishtina me Bllazheviqin në krye të stolit ishin edhe Fadil Vokrri, Fadil Muriqi, Zoran Batroviqi, Sahit Kelmendi, Rifat Mehinoviqi, Kujtim Shala, Xhevdet Muriqi, Neshet Zhavelli, Mensur Nexhipi, Agim Cana, Rafet Prekzai, Shefqet Sinani, Ramadan Cimili e disa të tjerë.

I papërsëritshëm

Një prej lojtarëve më të rëndësishëm që ka qenë nën urdhrat e Qiros është Sahit Kelmendi. Ish-mesfushori luftarak thotë se meritat që Prishtina mbijetoi në elitën e futbollit të ish-Jugosllavisë i ka trajneri Bllazheviq.

“Kur Qiro erdhi në Prishtinë, ne kemi qenë në pozitë të vështirë, ku çdo ndeshje për ne ka qenë shumë e rëndësishme. Ka qenë si në kualifikime. Por, me ardhjen e tij na u shtuan shpresat, na motivoi aq shumë saqë edhe ia arritëm qëllimit tonë, mbetëm në ligë falë meritave të tij”, ka thënë Kelmendi.

Si motivues të madh Bllazheviqin e përshkruan edhe Rafet Prekazi, një tjetër lojtar i rëndësishëm i Prishtinës së kohës së artë.

Prekazi ka thënë se Bllazheviq është i papërsëritshëm.

“Jam prekur nga lajmi që mora. Është i papërsëritshëm dhe ka qenë nder për ne që e kemi pasur shef të shtabit. Ka menduar dhe ka jetuar pozitivisht. Kam mësuar shumë, sidomos në anën e motivit sepse ka qenë motivuesi më i mirë në botë”, ka thënë Prekazi.

Ai ka treguar një ngjarje me Bllazheviqin.

“Në Sarajevë ishim duke luajtur. Na tha se ku luani ju, edhe nëna ime mund ta fitojë një ndeshje me mbështetje prej 40 mijë shikuesve. Por, atë e bëjnë njerëzit e ligë. Na u drejtua se për të dëshmuar fuqinë tuaj para dy milionë shqiptarëve, e keni rastin ta tregoni në Sarajevë. Kemi hyrë në fushë dhe nga motivi që morëm na pyesnin edhe lojtarët e Sarajevës se çfarë jemi duke bërë”, ka thënë Prekazi.

Ai ka treguar edhe për afërsinë që Bllazheviqi kishte krijuar me publikun kosovar.

“Ai ka qenë i afërt me publikun, saqë kërkonte nga ata që në letër t’ia shkruanin formacionin që dëshironin”, ka thënë ish-selektori i Kosovës U21. “Ai krahas armës së tij të fortë, motivit, ka qenë edhe punëtor i madh. Vetëm ai ka pasur fuqinë për ta mbajtur Prishtinën në ligë. Do të mbahet mend edhe nga gjeneratat e tjera”.