Miroslav “Qiro” Bllazheviq si futbollist nuk kishte ndonjë karrierë të madhe, luajti për kryesisht në Kroaci te Dinamo Zagrebi, Lokomotiva e Zagrebit e Rijeka e po ashtu në Bosnjë te Sarajeva.
Në fund luajti te Sioni në Zvicër.
Por, ishte karriera si trajner ajo që e bëri Bllazheviqin të famshëm, dhe ai njihet si një prej trajnerëve më të mirë ndonjëherë.
Ai nisi karrierën si trajner në Zvicër, drejtoi ekipet FC Vevey (1968-1971), Sion (1971-1976), Lausannen (1976-1979), ndërsa kishte marrë edhe përkohësisht drejtimin e Përfaqësueses së Zvicrës, për dy ndeshje në vitin 1976. Me Sionin ai kishte fituar Kupën e Zvicrës si lojtar, por edhe si trajner.
Bllazheviq u kthye në Kroaci në vitin 1979, për ta marrë drejtimin e Rijekës. Rijeka kishte përfunduar e dhjeta në ligën e ish-Jugosllavisë në stinorin 1979-1980. Ndonëse nuk ishte një stinor shumë i mirë në ligë, klubi arriti deri në çerekfinale të Kupës së Fituesve të Kupave atëbotë, duke u eliminuar nga Juventusi. Është arritja më e madhe e Rijekës ndonjëherë në garat evropiane.
Edhe
Periudha e papërsëritshme e Qiro Bllazheviqit te Prishtina
Bllazheviq mori më pas drejtimin e Dinamos së Zagrebit në vitin 1980. Pas një stinori të parë mesatare, duke përfunduar në vend të pestë, Qiro Bllazheviq u bë legjendë e klubit në edicionin 1981-82, duke e drejtuar drejt titullit të Jugosllavisë e duke i dhënë fund shterpësisë 24-vjeçare të klubit.
Në stinorin vijues Dinamo fitoi Kupën e Jugosllavisë dhe bëri një betejë të gjatë me Partizanin dhe Hajdukun në ligë.
Bllazheviq u largua nga Dinamo në vitin 1983, ndërsa u kthye në futbollin zviceran aty ku edhe e nisi karrierën si trajner.
Ai mori drejtimin e Grasshoppersit duke e bërë kampion të Zvicrës në vitin 1984.
E dërgoi klubin në rundin e dytë në Kupën Evropiane në edicionin 1984-85, ku pësoi nga Juventusi.
Bllazheviq u largua në mesin e vitit 1985, duke u kthyer sërish në Jugosllavinë e atëhershme, kësaj radhe mori ekipin kosovar, Prishtinën. Nën drejtimin e Bllazheviqit, Prishtina u ngjit në elitën e futbollit të ish-Jugosllavisë. Ai mori statusin e legjendës te Prishtina.
“Vërtetë ishte një aventurë, pasi karriera ime ka zgjatur shumë. Por kur më pyesin se cila periudhë ishte më e mira për mua, unë them se më interesantja ishte në Kosovë. Vetë fillimi ishte i çuditshëm, pasi unë me Grasshoppersin kisha fituar titullin”, kishte deklaruar Bllazheviq në një intervistë për “Kosovo Online” në vitin 2020.
Te Prishtina u largua në fund të vitit 1985, ndërs u rikthye te Dinamo e Zagrebit. Atje nuk pati ndonjë sukses të madh dhe u largua sërish në vitin 1988. Mori drejtimin e Nantesit në Francë, ku qëndroi deri në vitin 1990, e më pas kaloi një stinor te klubi grek PAOK.
Në fillim të viteve 1990-ta, Kroacia shpalli pavarësinë, ndërsa Bllazheviq iu bashkua Unionit Demokrat Kroat (HDZ) dhe u bë shok i ngushtë me presidentin e parë kroat pas pavarësisë Franjo Tuxhman. Ai u kthye për herë të tretë te Dinamo Zagrebi, që u njoh si Croatia Zagreb në atë kohë, duke marrë rolin e trajnerit dhe presidentit. Fitoi titullin e Kroacisë në vitin 1993 dhe Kupën e Kroacisë në vitin 1994, por më pas u largua nga klubi dhe mori drejtimin e Përfaqësueses së Kroacisë.
Kroacia në ciklin e parë eliminator arriti të kualifikohej direkt në Evropianin e vitit 1996, duke e lënë pas Italinë në grupin eliminator.
Bllazheviq me Kroacinë në “Euro 1996” arriti famë të madhe. Kroacia kaloi në fazën nokaut, duke mposhtur në grup Turqinë dhe kampionen në fuqi Danimarkën, ndërsa pësoi nga Portugalia.
Në eçrekfinale Kroacia u përball me Gjermaninë dhe u mposht 2:1, por kroatët u ankuan për referim të njëanshëm.
Edhe
Legjenda Bllazheviq: Në Kosovë kam kaluar periudhën më interesante
Mirëpo, suksesin e madh Bllazheviq me Kroacinë e arriti dy vjet më vonë. Pasi e kualifikoi Kroacinë në Botërorin “Francë 1998” nëpërmjet barazhit, kroatët me lojtarë si Zvonimir Boban, Davor Shuker, Robert Prosineçki e Slaven Billiq ndër të tjera, arritën sukses të madh.
Përfunduan në vendin e tretë në Botëror, ishin shumë pranë të arrinin edhe në finale.
Kroacia kishte kaluar fazën e grupeve fal fitoreve ndaj Japonisë dhe Xhamajkës, ndërsa në 1/8 e finales e mposhti 1:0 Rumaninë. Në çerekfinale Qiro Bllazheviq me Kroacinë patën mundësinë t’i hakmerren Gjermanisë për eliminimin nga “Euro 1996”. Mposhtën Gjermaninën 3:0.
Por, në gjysmëfinale Kroacia u ndal nga nikoqirja Franca, që e fitoi titullin e botës atë vit. Ishte duke kryesuar 1:0, por pësoi 2:1. Dy golat i realizoi për Francën, Lilian Thuram.
Në ndeshjen për vendin e tretë Kroacia triumfoi 2:1 ndaj Holandës dhe fitoi medaljen e bronztë. Bllazheviq forcoi statusin e legjendës në vendin e tij.
Bllazheviq më pas dështoi të kualifikonte Kroacinë në Evropianin e vitit 2000, ndërsa u largua pas atij cikli eliminator.
Ai mori drejtimin e Iranit në vitin 2001, dështoi ta kualifikonte në Botëror 2002, duke u ndalur në barazh nga Irlanda me rezultat të përgjithshëm 2:1.
Bllazheviq u kthye në Kroaci më pas duke marrë drejtimin e Osijekut, e më pas mori sërish drejtimin e Dinamos së Zagrebit, duke e drejtuar drejt titullit të kampionit në vitin 2003.
Ai më pas mori drejtimin e NK Muras në Slloveni për disa muaj, e pastaj të Varteksit në Kroaci, ku qëndroi deri në maj të vitit 2005. Pati periudhë të shkurtër te Hajduku i Splitit në vitin 2005, duke fituar Superkupën e Kroacisë. OP ashtu qëndroi një stinor te Xamaxi në Zvicër e më pas dy stinor te Zagrebi.
Mori drejtimin e Bosnjë-Hercegovinës për disa muaj nga viti 2008 deri më 2009.
Pati karrierë edhe në Kinë, duke drejtuar U-23 e Kinës.
Edhe
Kozniku: Bllazheviq, baba i futbollit
Drejtoi Slobodan e Tuzlas drejt titullit të kampionit të Bosnjë-Hercegovinës në vitin 2014, ndërsa karrierën e mbylli në vitin 2015 te Zadari.
“Z. Qiro, faleminderit nga thellësia e zemrës për çdo gjë që ke dhënë gjatë jetës tënde për Dinamon dhe futbollin kroat. Kurrë nuk do të harrohesh”, ka shkruar Dinamo Zagrebi.