Përfaqësuesja e Shqipërisë në futboll në miqësoren ndaj Italisë do të dëshmojë se është duke u rritur. Kështu të paktën ka thënë selektori Edoardo Reja në konferencën për shtyp të mbajtur të martën.
Miqësorja Shqipëri – Itali luhet të mërkurën prej orës 20:45 në “Air Albania” në Tiranë. Italia është kampione evropiane, por nuk është kualifikuar në “Botërorin 2022”. Dhe kështu luan ndeshje miqësore me Shqipërinë.
“Për ne është e rëndësishme që të tregojmë se skuadra po rritet. Ky është një test mjaft i rëndësishëm, që do ta tregojë vlerën e kësaj skuadre. Uroj që të bëjmë një hap para në krahasim me ndeshjet e fundit. Më vjen keq për shumë lojtarë që nuk i lanë klubet, pasi do të mund të kishim ekip më konkurrues. Por, kam të rinj që mund të luajnë. Mua nuk më intereson shumë rezultati, por paraqitja. Rezultatet janë bërë nga episodet dhe uroj që episodet ndonjëherë të jenë në të mirën tonë”, ka thënë Reja në konferencë për shtyp. Ai ka treguar se Shqipëria do të luajë si në ndeshjet e kaluara.
Reja, që është nga Italia, ka shprehur keqardhje që italianët nuk janë në Botëror. Ai shpreson që ndeshja të japë shumë gola.
“Kur Italia nuk luan me Shqipërinë, bëj tifo për të. Nesër sigurisht që nuk mund të bëj tifo. Dëshira ime është të bëjmë rezultat. 3:3 ose 4:4 do të ishte e jashtëzakonshme pasi do të kishte gola”, ka thënë Reja duke qeshur. Ai është shumë i lumtur për miqësoren me Italinë.
Edhe
Shqipëria fton tifozët për përkrahje në ndeshjen ndaj Izraelit, shumë komente kundër
Biletat për ndeshjen me Italinë janë shitur, kështu që stadiumi do të jetë i mbushur me shikues. Shqipërisë i mungojnë disa lojtarë, por edhe Italia nuk është me përbërjen më të fortë.
“Është një mundësi për të treguar vlerat tona. Do të mundohemi të bëjmë ndeshje të fortë pasi kemi kualitet për këtë. Atmosfera është e mirë. Kur kemi përballë ekipe më të forta, ne luajmë edhe më mirë. Shpresoj që të paraqitemi sa më mirë”, ka thënë portieri i Shqipërisë, Etrit Berisha.
Selektori i Italisë, Roberto Mancini, ka vlerësuar miqësoren me kuqezinjtë. Ka thënë se në Tiranë nuk janë për pushime.
“Është ndeshje që ka vlerë, ndonëse nuk është në ndonjë garë. Është ndeshje ku mund të provojmë djem të rinj që nuk i njohim ende mirë. Nuk është se vijmë për pushim, por për të bërë një ndeshje të mirë. Shqipëria luan në shtëpi dhe nuk është aq e dobët. Shpresojmë të bëjmë një ndeshje të mirë”, ka thënë Mancini.
Kapiteni i Italisë, Leonardo Bonucci, ka vlerësuar se Shqipëria është rritur në vitet e fundit.
Edhe
Shqipëria konfirmon miqësoret e qershorit, Kosova në bisedime
“Skuadra shqiptare ka më shumë talente dhe përvojë. Janë lojtarë që luajnë në Serie A apo në skuadra tjera shumë të rëndësishme. Për ne do të jetë një ndeshje e vështirë”, ka thënë Bonucci, ndër të tjera.
Shqipëria të shtunën luan miqësore edhe me Armeninë.