Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Kuka, trajner në stërvitje dhe udhëzues në jetë

Trajneri më i mirë në botë për vitin 2021, Driton Kuka ka shpalosur shumëçka nga jeta e tij në pjesën e parë të intervistës dhënë për sajtin zyrtar të Federatës Evropiane të Xhudos. Në pjesën e dytë, Kuka ka treguar për emocionet pas triumfit të garave. Shfaq edhe shumë detaje të tjera, tregon për sekretet e sukseseve, ndërsa e mbyll intervistën duke thënë se është udhëzues në jetë për xhudistët e tij.

Zakonisht Kuka pas daljes së xhudistëve nga tatami nuk shihet duke biseduar shumë me ta. Thotë se emocionet e mëdha nuk ia lejojnë një gjë të tillë, përveç përqafimeve. Ai ka thënë se nuk ka menduar që do t’i ketë emocionet e njëjta si në Rio de Janeiro kur Majlinda Kelmendi fitoi medalje të artë.

“Kam gabuar. Emocionet janë të njëjta. Nuk flasim shumë gjëra pas përfundimit të garave, vetëm përqafohemi me njëri-tjetrin. Në Tokio kemi festuar kur kemi fituar, pasi fuqia jonë është puna ekipore. Por, pas ceremonisë së Distrisë, ishim të gjithë së bashku. U kam thënë që do të kthehemi në fshatin olimpik me të njëjtën sjellje. Kemi ngrënë ushqim së bashku, jemi qetësuar dhe nuk kemi bërë gëzime të mëdha, deri në momentin kur Loriana t’i mbyllë garat si garuesja e fundit. E njëjta gjë kishte ndodhur edhe në Rio”, ka thënë Kuka për “eju.net”.

Kuka tregoi se në Rio, kur Majlinda e fitoi medaljen e artë olimpike, anëtarë të Komitetit Olimpik të Kosovës dhe disa zyrtarë të Qeverisë së Kosovës kishin kërkuar që të hanin darkë së bashku: “U thashë, çfarë? Nuk do të ketë diçka të tillë. Nuk do të festojmë sonte. E mbyllim garimin me Norën dhe pastaj mund të festojmë”.

Kuka në pjesën e dytë të intervistës që zgjat 27 minuta, ka krahasuar medaljet e arta me të bronztat. Por a do t’i shkëmbente dy të arta me pesë të bronzta?

Edhe Kryemjeshtri Kuka flet për lavdinë olimpike që u ndërtua me mund Luftarake Kryemjeshtri Kuka flet për lavdinë olimpike që u ndërtua me mund

“Fitimi i dy medaljeve të arta e ka vlerën më të madhe se pesë medalje të bronzta. E gjithë bota ka folur për dy medaljet tona. Për mua, pesë medaljet e bronzta pa dyshim se do t’i shkëmbeja me dy të arta. Xhudistëve u kam thënë se jemi shtet i vogël. E bronzta për mua është e artë. Por, xhudistët e dinë se kur kalojnë në gjysmëfinale, duhet synuar të argjendtën dhe të artën. Të gjitha medaljet kanë vlerën e njëjtë për mua, sepse vijmë nga një vend i vogël ku komuniteti i xhudos është i vogël. Majlinda i ka fituar të gjitha medaljet. Pas Rios deri në Tokio, të gjithë kanë arritur rezultate të mëdha. Akili, kampion evropian. Loriana erdhi nga Zvicra për të jetuar në Kosovë dhe ka medalje evropiane dhe botërore. Nora, kampione evropiane, Distria njësoj”, u shpreh Kuka.

Puna e Tonit me xhudistët është shumë e madhe, e një gjë të tillë e pranon vetë ai. Madje thotë se punon më shumë se shumica e shteteve në botë. Shton se suksesi i xhudistëve kosovar është se punojnë dy herë më shumë se të tjerët, ndërsa mburret për xhudon e mirë që aplikohet nga xhudistët e Kosovës.

“Nëse e sheh Akilin, është një prej më atraktivëve. Ka teknikë të jashtëzakonshme. Majlinda ka luftuar fort, Distria po ashtu. Punojmë shumë në pjesën teknike dhe taktike. Kemi sistem të mirë në punën tonë. Synojmë perfeksionin në të gjitha teknikat, në të gjitha detajet. Ushtrojmë nga 6-8 orë në ditë. Nuk besoj se rezultatet tona mund t’i përsërisë ndonjë sport tjetër në Kosovë. Edhe ne nuk e di nëse mund ta përsërisim”, tha Kuka.

Ai ka thënë se pandemia e ka goditur rëndë edhe xhudon e Kosovës, ndërsa synim i tij është që xhudoja të hyjë në sistemin shkollor. Qëllimi i tij është që të jenë rreth 10 mijë nxënës. Për në Olimpiadën e Parisit në vitin 2024, Kosova pritet të përfaqësohet me pesë apo gjashtë xhudistë. Thotë se do të ishte i kënaqur edhe me vetëm një medalje, qoftë ajo e bronztë, pasi rezultati i Tokios është shumë vështirë për t’u përsëritur. Përveç xhudistëve elitarë të momentit, Kuka shpreson që suksese do të arrihen edhe në të ardhmen nga gjeneratat e reja. Thotë se po mundohet që të nxjerrë kuadro të trajnerëve. Ka përmendur Fatos Tabakun e Majlinda Kelmendin.

“Trajneri i mirë bën ndryshime aty për aty. Unë shkoj në stërvitje me program të veçantë, por bëj ndryshime, sepse shoh që diçka nuk është në rregull. Dhe mund t’i kaloj 2-3 orë në detaje. Punën e trajnerit nuk mund ta shesësh e as ta blesh. Secili trajner duhet ta ketë stilin e vet”, nënvizoi 50-vjeçari nga Peja.

Edhe 18 vjet shtet - xhudistët e Kosovës, të pakrahasueshëm Luftarake 18 vjet shtet - xhudistët e Kosovës, të pakrahasueshëm

Në fund të intervistës, Kuka dha mesazhin e madh. Tregoi se kush është ai që duhet të dëgjohet në stërvitje, dhe ka thënë se u jep këshilla xhudistëve edhe për jetën në përgjithësi.

“Unë jam shefi. Majlinda u bë kampione olimpike, por në stërvitjen tjetër duhej të ishte e barabartë me të tjerët. Disiplina është gjëja kryesore. Bëjmë shaka, shoqërohemi e jemi si familje. Por kur nis stërvitja duhet të japim 100%. Kush nuk punon, nuk mund të jetë pjesë e ekipit. Unë kujdesem për ta në jetën jashtë palestrës, jemi si familje, i ndihmoj, kujdesemi për problemet në shkollë, në jetë, në familje, në çdo gjë. Nëse gjatë stërvitjes me 30 sportistë shoh që dy, tre apo pesë nga ta nuk janë mirë, nuk e japin më të mirën, flas me ta pas stërvitjes. Më respektojnë shumë, sepse flasim për çdo gjë, madje më shumë flasin me mua sesa me prindërit e tyre. Problemet i zgjidhim së bashku, jo vetëm në sport, por në çdo sfidë që na sjell jeta”, përfundoi Kuka.