Luftarake

Rrëfimi i Driton Kukës: sfidat, dyshimet, emocionet

kuka

Në pjesën e dytë të serisë me tri shkrime, Driton “Toni” Kuka rrëfen për momentin që thuajse ia ndërpreu karrierën si trajner, veprimi që pasoi dhe përgatitjet e përkryera milimetrike që ia sollën medaljet olimpike në skenën më të madhe botërore.

Pika më e ulët

Çdo trajner e ka momentin që e përshkruan, momentin që ose e thyen ose e bën më të fortë. Për Kukën, ai moment erdhi në “Londra 2012”, në mënyrën më të papritur dhe më shkatërruese. 

“Ishte në Lojërat Olimpike, të parat. Ne garuam për Shqipërinë në vitin 2012”, nis Toni, me zërin e tij që mban peshën e një kujtimi që ende dhemb, edhe pas më shumë se një dekade. “Majlinda e fitoi luftën e parë ndaj një vajze finlandeze, që ishte garuese e fortë. Ajo më pas luftoi me një garuese nga Mauritiusi. Majlinda natyrisht ishte e favorizuar”. 

Ajo që ndodhi më pas ende duket e pabesueshme për Tonin. “Në minutën e parë ajo regjistroi uazari dhe ishte pak euforike. Vetëm pak pas atij momenti, ajo u rrëzua dhe pësoi me ‘Ippon’. Për mua, e gjithë bota... (ndalon ai), në mendjen time, dukej si një ëndërr e keqe, diçka që nuk kishte mundësi të ndodhte”. 

Gjithçka ishte shokuese më pas. “Shkuam në zonën e ngrohjes. Isha i vetëm me të. E përplasa kokën në mur dy apo tri herë. ‘Pse këtu?’, thashë unë. Ajo nuk fliste. Qante. Isha shumë i dëshpëruar. Ndihesha tmerrësisht keq”. 

Pesha e pritshmërisë e bëri edhe më të rëndë. “Në këtë garë, pritshmëria ishte që ajo të fitonte medalje për Shqipërinë dhe imagjinojeni, presidenti i Shqipërisë, kryeministri i Shqipërisë, presidenti i Kosovës, kryeministri i Kosovës, të gjithë ishin të ulur me presidentin Vizer..., dhe ne humbëm”. 

Zëri i Tonit ulet teksa vazhdon. “Jam ndier tmerrësisht keq, sikur doja ta fajësoja veten për gjithë atë. Si person, kam ego të fortë. Ky jam unë; vjen nga prindërit, nga familja. Kujdesem që të mos flas keq për ndonjë, por nëse dikush më kritikon, ose nëse e bëj një gabim, e kam shumë të vështirë ta pranoj.

Ishte jashtëzakonisht e vështirë për mua ta pranoja këtë humbje. Humbja nga sportistët elitarë? Nuk ka problem..., por në këtë mënyrë, në Lojërat e para Olimpike...”.

Vështirësitë  

Ajo që pasoi ishte errësirë që Toni nuk e pranonte. “Pas kësaj, mendova se nuk do të isha kurrë në pozitë për t’u përballur me gjitha ato shtete, me gjithë shqiptarët në Kosovë, në Shqipëri, sepse shqiptarët jetojnë në shumë shtete. Mendova se gjithçka ka mbaruar për mua. Mendova se nuk do të dilja para mediave sërish. Mendova se ishte fundi i jetës sime në xhudo”. 

Për tre deri në gjashtë muaj, situata e Tonit u keqësua. Vetë humbja ishte e dhimbshme, por edhe më e vështirë u bë më pas. “Natyrisht, vetë gara ishte e tmerrshme, por pas asaj ishin komentet e bëra nga njerëzit: ‘Ajo është mësuar të luftojë në gara të lehta. Kjo nuk është e njëjtë. Ajo ishte mësuar të fitojë medalje në rrugë të lehta’. Kaq shumë komente negative. Kaq shumë njerëz. Ajo madje ishte në pozitë edhe më të keqe se unë”.

Pika e kthesës  

Më pas erdhi biseda që ndryshoi çdo gjë. “Thashë, ‘shiko, ti humb, unë humb. Kjo është puna jonë. Ky është realiteti, fitorja ose humbja. Jemi unë dhe ti. Le të punojmë për të fituar, për të luftuar, por nga tani, ne e kemi federatën tonë, familjen tonë të vogël. Nuk do të na interesojnë mediat apo njerëzit e tjerë, politika, presidentët, asgjë. Ne duam të luftojmë dhe të bëjmë xhudo për mua, për ty, për njerëzit përreth nesh. Nuk na intereson çfarë thonë njerëzit”. 

Majlinda dhe Toni bënë një pakt. Ata do të izoloheshin nga presioni i jashtëm dhe do të fokusoheshin vetëm në punë. “Ne do të shkëputeshim nga të gjithë. Do të ndaheshim nga çdo gjë. Do të fillonim të punonim fort dhe rezultatet e mëdha erdhën në vitin pasues. Në vitin 2013, ajo u bë kampione e botës, kampionia e parë botërore e Kosovës”. 

Toni më pas jep buzëqeshje të lehtë. “Dhe pastaj, njerëzit harruan çdo gjë. Për një moment gjithçka ishte në rregull dhe ne vazhduam”. 

Megjithatë, ai moment në Londër e ndjek ende. “Ky moment ishte shumë i vështirë. Lojërat e para Olimpike, kundërshtarja nuk ishte në mesin e favoriteve dhe humbëm, e fajësoj veten shumë. Kam thënë, ‘nuk jam trajner i mirë’. Nuk dija si të përballesha me programin, sistemin e gjërat e tjera”. 

Toni ishte në kërkim të përgjigjeve aty ku ndoshta nuk mund t’i gjente. “Analizoja çdo gjë, por natyrisht, është sport, ndodh. Për më shumë në atë kohë, Lojërat e para Olimpike, isha trajner pa eksperiencë olimpike”.

Shpagimi

Mësimet e nxjerra nga Londra formësuan gjithçka për “Rio 2016”. “Në katër vjetët e ardhshëm, ishim aq të afërt. Ishim shumë të kujdesshëm dhe në Rio, kur shkuam atje, nuk shkuam me sportistët e tjerë. Nuk shkuam me njerëz tjerë. Shkova vetëm me Majlindën dhe Norën, ato duhej të luftonin. Distria ishte partnerja e Majlindës për sparing. Vetëm ne katër në aeroplan, dhe Agroni si president. Askush tjetër”. 

Qasja e Tonit ishte e palëkundur. 

“I thashë presidentit të Komitetit Olimpik, ‘mos më shqetësoni, ti apo dikush tjetër. Nuk dua ta shoh askënd’. Ai bëri çdo gjë për mua dhe i jam shumë mirënjohës sepse i tha pjesës tjetër të ekipit: ‘Tonin dhe ekipin e tij, lini vetëm. Nëse i shihni, madje edhe në restorante, shkoni diku tjetër. Lini ta bëjnë punën e tyre”. 

Kjo u kompletua. “I thashë Majlindës, Norës dhe Distrisë. ‘Në rregull, tani jemi ne. Nëse fitojmë medalje, është puna jonë. Nëse humbim, ne e marrim përgjegjësinë’. Dhe kështu ndodhi. Erdhi medalja e artë olimpike”. 

“Rio 2016”, insiston Toni, e formoi atë. “Ato Lojëra Olimpike në Rio, mendoj se më formësuan, psikologjikisht, si trajner, dhe po ashtu edhe sportistët e mi. Pas asaj e bëmë të njëjtën gjë në Tokio dhe të njëjtën në Paris. Ata e dinë se kjo është rruga që funksionon. I fituam pesë medalje olimpike përgjatë tri Lojërave Olimpike rresht, përfshirë tri të arta. Kjo është mënyra ime e punës. Kjo është mënyra se si fitojmë medalje dhe për aq kohë sa unë të jem trajner, ne do ta bëjmë të njëjtën gjë”.

Milimetrat dhe minutat

Kur Toni flet për përgatitjet, ai nuk flet me metaforë. “Kjo është shumë e rëndësishme. Kjo është kur sportistët mendojnë më shumë dhe për këtë pjesë unë punoj në milimetra. Kohëzgjatja e seancave stërvitore, deri në minutë. Ndonjëherë, besoj unë, i numëroj metrat nga zona e ngrohjeve deri në tatami. Çdo gjë është e rëndësishme për mua”. 

Vëmendja në detaje i jep atij vetëbesim. “Kur i bëj të gjitha këto gjëra dhe i shkruaj në letër, kjo më jep vetëbesim që kam bërë 100 për qind atë që është e rëndësishme për të fituar medalje olimpike. Ne duhet të jemi medalistë olimpikë dhe ekipi im më beson sepse gjithmonë ua shpjegoj: ‘Shikoni, ne e bëjmë 100 për qind atë që është e nevojshme. Kjo është rruga ime”.

Tokio: Kulmi

Nëse në Rio u shpagua mundi, Tokio ishte përsosmëri, por gati sa nuk ndodhi për Distria Krasniqin. 
Ishte një situatë e rëndësishme në rastin e Distrisë për Lojërat Olimpike në Tokio. “Ne e bëmë një pjesë të përgatitjeve në male, një pjesë shumë të vështirë. Tre javë pas kësaj apo një muaj, nuk më kujtohet saktësisht, por e kam të shkruar, natyrisht” – ai qesh me krenari dhe vendosmëri – “ishte Kampionati Botëror”. 

Botërori 2021 në Budapest ishte në kohën e përgatitjeve olimpike. “U thashë atyre, ‘shikoni, do t’ju jap lirinë për të zgjedhur. Nëse dëshironi të luftoni, në rregull por ne nuk do ta ndalim sistemin e arritjes së kulmit të përgatitjeve për Lojërat Olimpike për këtë”. 

Distria vendosi të luftojë. Toni e dinte rrezikun. “Ajo ishte paksa e lodhur. E dija se ajo do të ishte në 50-60 për qind të formës më të mirë. Doli e pesta. Mund të shihja se ajo zbriste në peshë shumë shpejt dhe natyrisht ajo po humbte muskuj. Kjo ishte shqetësuese”. 

Ajo që pasoi ishte që ajo të ushqehej dhe t’i përdorte të gjitha elementet që i nevojiteshin për të qenë në kulmin e formës. Erdhi koha e matjeve në Tokio. “Dy apo tre ditë para Olimpiadës, ne shkuam për matje, Distria, unë dhe ekipi. Kur ajo shkeli mbi peshore dhe e pashë fizikun e saj, ajo ishte mendoj 48.8 kg apo 49.5 kg; E kam të shkruar edhe këtë. Ishin muskuj të pastër, një muskul i fuqishëm, nga koka te këmbët. I thashë vetes, ‘faleminderit. Kjo është punë e mirë. Kemi bërë punë të mirë”. 

Megjithatë, edhe në atë moment, Toni i mbajti emocionet. “Natyrisht, nuk i thashë asgjë Distrisë sepse nuk doja që t’i diskutoja këto gjëra para Lojërave Olimpike, por në Botëror isha i shqetësuar. I thashë, ‘lufto. Le të bëhet çfarë të bëhet, por ne nuk mund ta ndryshojmë programin. Kulmi është i planifikuar për më vonë’. Për fat të mirë, kur e kam parë në garë atë ditë në Tokio, kam thënë, ‘Distria, ti do të fitosh, ndaj të gjithave. Sot ti do të jesh person ndryshe’”. 

Ajo e bëri saktësisht atë. “E mposhti çdonjërën. Ajo i rrëzoi të gjitha. Ishte absolutisht e jashtëzakonshme atë ditë. Nora po ashtu u paraqit mirë. Majlinda pati telashe për shkak të shumë lëndimeve në atë kohë”. 

Ajo që e thotë Toni më pas e zbulon magnitudën e “Tokio 2021”. “Më besoni, të gjitha të pestat.

Mendoj se Tokio ishte puna më e mirë e jetës sime. Nuk mendoj se do të mund ta ndërtoj një ekip siç kam bërë në Tokio sërish sepse Distria, Majlinda, Nora, Akili dhe Loriana, secili nga ta e kishte potencialin për të fituar medalje të artë. Jam shumë i sigurt çfarë them dhe ata ishin gati”. 

Ai e dinte se kjo ishte e pamundur. “Natyrisht, e dija se e gjitha nuk mund të ndodhte, është sport.

Megjithatë, fitimi i dy medaljeve të arta në mes të Japonisë, në kategori ku japonezet janë dominuese, deri në 48 kg dhe deri në 57 kg, ishte gjë e shkëlqyer. Në fund, ne ishim shteti i dytë në tabelën e medaljeve sepse Japonia i fitoi nëntë të arta, kurse ne i kishim dy. Ne ishim para Francës, para Gjeorgjisë, që me të vërtetë do të thotë diçka”.

Zëri i tij zbutet teksa sheh para, në distancë, me pamje ëndërrimtare në fytyrë. “Shpresoj se do të ndodhë, por nuk mendoj se do të ndodhë sërish. Nuk e di. Është e vështirë të përsëriten gjëra të tilla. Është e vështirë dhe xhudo është sport i vështirë. Të kombinuara, është jashtëzakonisht e vështirë”.

Enigma e kalendarit

Duke e kthyer temën te “LA2028”, kalendari kualifikues shfaq sfida të reja. Si i zgjedh Toni ngjarjet ku të garojë për t’i shmangur lëndimet dhe sfidat mendore? 

“Në të kaluarën, kisha sportistë që ia kanë dalë të fitojnë medalje thuajse në çdo garë. Në raste të tilla është më e lehtë, sepse në një vit mund t’i zgjedhësh gjashtë deri në tetë gara për t’i arritur pikët dhe nuk i ndjek ato”, shpjegon ai. 

Megjithatë, ky cikël është ndryshe. “Në këtë vit, ashtu siç ishim duke diskutuar, kam disa sportistë të rinj. Ata do të duhet të bëjnë maratonë të garave dhe nuk do të jetë e lehtë. E qartë, një pjesë e madhe e punës është zgjedhja e garave të duhura, në kohën e duhur, për ta arritur kulmin dhe për të qëndruar larg lëndimeve. Është me të vërtetë e vështirë por do të provojmë”. 

Strategjia e tij është pragmatike. 

“Kjo është ajo që po e thosha në fillim. Tani është koha që t’i vendosim gjërat. Shpresoj që ta menaxhoj pa lëndime por gjithmonë është mirë të gjejmë balancim, t’i shtyjmë para apo t’i mbajmë larg shumë garave. Xhudo është sport i fortë dhe lëndimet ndodhin”. 

Gjashtë muajt e parë janë kritikë. “Mendoj se nëse e menaxhojmë paraqitjen e mirë në fillim të periudhës së kualifikimeve, atëherë është më e lehtë. Kështu që gjashtë muajt e parë janë kritikë.

Nëse e menaxhojmë mirë, kur fillon kualifikimi olimpik, arritja e dy apo tre medaljeve në katër apo pesë garat e ardhshme, atëherë ne kemi bërë punë të mirë”. 

Suksesi i hershëm dhuron lehtësi. “Nëse i kemi shtatë apo tetë muaj për të siguruar dy apo tre rezultate të tjera, atëherë mund të jemi selektivë, por për sportistët të cilët mendoj se mund të kualifikohen dhe të cilët ende nuk janë në nivelin më të lartë, do të shohim. Varet se si fillojnë”.

Momenti historik

Kthehemi prapa. Jemi në vitin 2026. Dhjetë vjet. Një dekadë qëkur Majlinda Kelmendi e fitoi medaljen e parë olimpike për Kosovën në “Rio 2016”. Nuk është çfarëdo medalje, medalja e artë. Ajo u bë kampione olimpike. Duke folur për rritjen e Tonit si trajner teksa i shohim fotografitë nga ajo ditë, ceremonia e medaljes, flamuri, emocioni, çfarë ndien ai?  

“Ka qenë moment i rëndësishëm. Menjëherë pas ceremonisë, në fakt, nga momenti kur Majlinda e fitoi finalen, mendoj se për dy orë kam pasur një lloj errësire në mendje. Vetëm kur i shikoj fotot e di se çfarë ka ndodhur”. 

Ai i kujton vetëm fragmentet. “Më kujtohet vetëm një gjë. Presidenti i shtetit tonë ishte i ulur në tribunë dhe shkova ta marr për fotografi. Sigurimi nuk e lejoi të zbriste, natyrisht, sepse ishte protokoll, por isha shumë i emocionuar në atë moment dhe e kam thirrur Sheldon (Franco Rooksin). I thashë, ‘Pse? Ky është presidenti ynë. Kjo është medalje e artë olimpike. E para për Kosovën’ dhe ai tha, ‘në rregull, do ta rregulloj këtë dhe Sheldon na bëri favor”.

Fotografia, që tani është historike. “Kjo është, natyrisht, fotografia historike, ato momentet e çmendura. Kanë kaluar 10 vjet. Çfarë momentesh të jashtëzakonshme”. 

Çfarë do t’i thoshte vetes, ku ishte më i ri në atë fotografi? Përgjigja ishte e menjëhershme dhe e thellë. “Nuk e di pse jam ndier kaq krenar, ishte i njëjti president si në 2012-n. Doja t’i tregoja, jo atij personalisht por presidentit që e përfaqësonte shtetin tim dhe njerëzit tanë, se Londra ishte vetëm një aksident dhe këtë e dëshmuam. Ky ishte momenti ku jam ndier aq krenar për veten, për ekipin, familjen dhe në veçanti për shtetin dhe kombin tim”.

Rritja nëpërmjet zjarrit

Nga ai moment i vitit 2016 e deri më sot, sa është rritur Toni si trajner dhe si person? 

“Natyrisht, në atë kohë, isha shumë emocional, euforik, me plot energji. Mendoj se si trajner kam bërë më shumë gabime se që i bëj tani. Tani e kam eksperiencën për t’i menaxhuar gjërat më mirë, jo vetëm në aspektin e xhudos por në çdo gjë. Tani i shoh gjërat nga eksperienca, që më kanë bërë person ndryshe po ashtu. Ndonjëherë, në atë periudhë, ishte shumë e vështirë për sportistët e mi. Isha shumë i ashpër në pjesën e disiplinës dhe tani tentoj të jem më shumë në taktikë. Në atë kohë e kam parë vetëm një rrugë. Tani është ndryshe, krejtësisht ndryshe”. 

Në pjesën finale të serisë me tri shkrime, Toni zbulon koston personale drejt suksesit olimpik, sakrificat që e kanë përcjellë atë, momentin ku thuajse u tërhoq, barrën e shëndetit mendor të trajnerit në nivelin më të lartë dhe pse adrenalina e sportit elitar mund të jetë varësi të cilën ai nuk do ta largojë kurrë.