Kthimi i sulmuesit Zlatan Ibrahimoviq ka transformuar edhe një herë skuadrën e Milanit. Kur Ibrahimoviqi u kthye në Milano, në fillim të vitit 2020, sulmuesi shkaktoi një kthesë që e pa klubin të përfundonte i dyti në edicionin e tij të parë të plotë dhe më pas t'i jepte fund pritjes 11-vjeçare për titullin e kampionit vitin pasues.
Këtë herë kthimi i Ibrës nga lëndimi dërgon në ringjalljen e ekipit të Milanit.
Ibrahimoviqi bëri paraqitjen e parë të edicionit në fitoren 2:0 të së dielës ndaj Atalantas. Me 41 vjet e 146 ditë ai u bë lojtari më i vjetër i Milanit në Serie A, duke kaluar rekordin që e kishte vendosur Alessandro Costacurta në 41 vjet e 25 ditë.
“Kisha emocione të mëdha. Kisha një vit e gjysmë që nuk kisha arritur të luaja futboll ashtu siç doja, që nuk isha mirë dhe nuk mund të bëja atë që doja”, ka pranuar Ibrahimoviqi. “Më parë kam vuajtur shumë për shkak të gjendjes fizike. Tani jam mirë dhe po ndihem më i përgatitur se kurrë pas rikthimit në fushë. Është një ndjenjë fantastike”.
Triumfi ndaj Atalantas ishte i katërti rresht për Milanin në të gjitha garat dhe e ngriti skuadrën në kuotën e 47 pikëve, sa i ka edhe Interi në pozitën e dytë në Serie A.
Kjo ecuri e Milanit filloi me fitoren ndaj Torinos më 10 shkurt, duke i dhënë fund një serie prej shtatë ndeshjesh pa fitore. Ndeshja e parë e Ibrahimoviqit, që u kthye në ekip pas operacionit në gju në muajin maj, ishte ajo ndeshje kundër Torinos, megjithëse ai nuk luajti.
“Që nga momenti kur u ktheva në skuadër isha i sigurt se mund të bëja ende një ndryshim dhe mund t'ua transmetoja sigurinë dhe besimin tim të tjerëve”, tha Ibrahimoviqi. “Nuk ishte një periudhë e lumtur kur u ktheva pasi ekipi kishte kohë të gjatë pa fituar, por në tri-katër ndeshjet e fundit ne kemi luajtur shumë mirë dhe të gjithë jemi të lumtur. Por, nuk duhet të heqim dorë dhe duhet të vazhdojmë me fitore. Mjafton vetëm një humbje për të vënë përsëri gjithçka në pikëpyetje”.
Milani e viziton Fiorentinan të shtunën, duke kërkuar të vazhdojë përpjekjet e tij për të siguruar një nga katër pozitat e para në Serie A, të cilat garantojnë pjesëmarrjen në Ligën e Kampionëve për edicionin tjetër. Më pas Milani është mysafir i Tottenhamit në kuadër të 1/8 së finales të Ligës së Kampionëve. Duelin e parë Milani e fitoi 1:0 në “San Siro”, kurse ndeshja e kthimit zhvillohet të mërkurën e ardhshme. Medalja e fituesit të Ligës së Kampionëve është nga të paktat që mungojnë në koleksionin e pasur të Ibrahimoviqit. Sulmuesi nga Suedia është lënë jashtë listës së Milanit për Champions këtë edicion, por mund të ketë akoma disa shanse të tjera për të fituar trofeun në të ardhmen.
“Nëse ndihem si po ndihem tani, atëherë mund të vazhdoj të luaj edhe për disa vjet të tjerë, jo vetëm vitin e ardhshëm”, tha Ibrahimoviqi. “E vërteta është se deri tri javë më parë ndjenjat nuk ishin pozitive. Më pas ndodhi diçka dhe unë kam bërë më shumë në tri javë sesa në tetë muajt e fundit”.
Ai ka kontratë me Milanin deri në fund të këtij edicioni, por së shpejti pritet ta rinovojë edhe për edicionin e ardhshëm, me opsionin e vazhdimit deri në vitin 2025. Palët janë në negociata dhe Milani pritet së shpejti ta zyrtarizojë qëndrimin e Ibras në “San Siro”.