Sport

Kryeziu në kërkim të formës në prag të ndeshjeve të mëdha të Kosovës

Prishtinë, 1 mars – Për kohë të gjatë Hekuran Kryeziu është vlerësuar prej lojtarëve më stabil te përfaqësuesja e Kosovës në futboll. Me qetësi ka kontrolluar mesfushën dhe ka krijuar stabilitet në skuadër. Ishte koha kur Kryeziu po luante rregullisht në nivel klubesh dhe ishte mesfushori kryesor defanziv te Kosova.

Por, gjërat kanë ndryshuar. Tani Kryeziu 28-vjeçar po lufton për hapësirë te Zuerichu. Nuk ka konsistencë në formë, që e ka karakterizuar në të kaluarën. Pas dy ndeshjeve si zëvendësues, Kryeziu të shtunën kompletoi ndeshjen për Zuerichun, që humbi 3:1 nga Servette në kuadër të Superligës së Zvicrës në futboll. Mirëpo, nuk ishte një paraqitje që i shërben Kryeziut. Mediat helvetike kanë shkruar se Zuerichu kishte telashe në repartin defanziv, duke cekur se Kryeziu ka fituar rastin vetëm për shkak të mungesës së Blerim Xhemailit dhe disa të tjerëve.

Kryeziu shkaktoi një penallti që u konkretizua në gol për rezultatin përfundimtar, 3:1. Ai pas një goditje nga këndi, mbajti në zonë një lojtar rival dhe arbitri tregoi në pikën e bardhë.

Kryeziu nga gazeta Blick, është përfshirë në ekipin më të dobët të xhiros.

“Kryeziu: Lojtari i Zuerichut shkaktoi faul të pamenduar ndaj Roullierit, që solli penallti për Servetten”, ka komentuar Blick.

Me shumë mundësi Kryeziu po luan ndeshjet e fundit te Zuerichu. Më herët ka pasur raportime se ai mund të kthehet te Luzerni, ku kishte shkëlqyer. Kontrata e Kryeziut me Zuerichun skadon më 30 qershor të këtij viti. Edhe ai ka lënë të kuptohet se në verë do të largohet nga skuadra e njohur helvetike.

Në të vërtetë Kryeziu është në kërkim të formës që e kishte para se të pësonte këputje të ligamenteve. Ai kishte pësuar lëndimin e rëndë më 19 prill 2019 dhe nuk ka luajtur deri më 16 shkurt të vitit 2020. Në edicionin 2019/2020 i luajti 13 ndeshje në Superligën zvicerane. Në edicionin aktual, 2020/2021, ka luajtur në 16 prej 22 ndeshjeve. Por, i ka kompletuar vetëm katër ndeshje. Të shtunën nuk u aktivizua në pozitën e zakonshme, atë të mesfushorit defanziv. Luajti si qendërmbrojtës.

Edhe te Kosova, Kryeziu në ndeshjet e vitit të kaluar nuk e kishte stabilitetin e mëparshëm. Ndaj Moldavisë kishte luajtur 90 minuta, në shtator. Më pas nuk ishte pjesë e ekipit në ndeshjet me Greqinë, Maqedoninë e Veriut, Slloveninë e Greqinë. Ndaj Shqipërisë kishte luajtur një pjesë, ndërsa në ndeshjen e dytë ndaj Sllovenisë luajti 71 minuta. Pak minuta luajti ndaj Moldavisë në ndeshjen e fundit.

Kthimi i shpejtë i Kryeziut në formën më të mirë dhe stabilizimi te Zuerichu, do të ishte me shumë peshë për përfaqësuesen e Kosovës. Aktualisht, pak prej mesfushorëve po kalojnë ditë të mira dhe Kryeziu llogaritet pretendent për të startuar.

Kosova është në prag të ciklit të ri kualifikues, atë për “Botërorin 2022”. Më 24 mars Kosova luan miqësore me Lituaninë, ndërsa më 28 mars nis ciklin kualifikues me ndeshjen në shtëpi ndaj Suedisë. Më 31 mars luhet takimi Spanjë - Kosovë.

Me Suedinë dhe Spanjën suksesi eventual do të jetë i mundur vetëm nëse shumica e lojtarëve janë në ditët më të mira. Të paktën për mesfushorët forma aktuale lë për të dëshiruar.