Sport

Kryetari i FFK-së thotë se ka dorëzuar në MKRS “dëshminë që nuk është i dënuar”

Vazhdojnë zhvillimet lidhur me procesin e licencimit të Federatës së Futbollit të Kosovës nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. FFK-ja ende nuk është pajisur me licencë, ndërsa sipas letërkëmbimit me Komisionin përkatës të MKRS-së, një prej vërejtjeve është edhe mungesa e dëshmisë që kryetari i FFK-së nuk është i dënuar nga gjykata.

Të hënën, kryetari i FFK-së, Agim Ademi, përmes një postimi në “Facebook” ka thënë se dëshminë e kërkuar tashmë e ka dorëzuar.

Ai ka thënë se ka shumë dezinformata dhe se ato po vijnë edhe nga zyrtarë të MKRS-së.

Image

“Duke pasur parasysh që ditëve të fundit po dezinformohet publiku me të pavërteta rreth një dokument-konfirmimi nga gjykata që dëshmon që nuk kam dënim të plotfuqishëm, e që është një nga kushtet për plotësimin e dokumentacionit për rilicencim të FFK-së dhe çdo federate tjetër, edhe pse nuk jam personalitet që i demantoj shpesh dezinformatat e tilla, sidomos kur vijnë nga njerëz që nuk paraqesin as nuk përfaqësojnë asgjë në futboll, kësaj radhe e ndjej për obligim të bëj një sqarim për opinionin sepse nuk ka asgjë të vërtetë nga dezinformatat e disa individëve (fatkeqësisht përfshirë edhe zyrtarë të MKRS-së) që me pompozitet shpifin e dezinformojnë opinionin me të pavërteta”, ka shkruar Ademi.

“Udhëzimi Administrativ përkatës i Ministrisë, ndër të tjera kërkon: dëshmi nga gjykata që organet drejtuese nuk janë të dënuar me vendim të formës së prerë. Konform kësaj kërkese nga unë u është dërguar vërtetim nga gjykata kompetente, ku është dëshmuar që nuk kam dënim nga gjykata. Pastaj komisioni ka kërkuar certifikatë e jo vërtetim. Përkundër që nga Zyra Ligjore kjo kërkesë shtesë e komisionit është konsideruar e pabazuar, unë megjithatë e kam respektuar edhe këtë kërkesë dhe e kam siguruar edhe certifikatën e kërkuar dhe të njëjtën ia kam dërguar edhe komisionit dhe po e prezantoj edhe këtu. Pra, nuk ka asgjë të vërtetë nga ajo që është trumbetuar nga persona jo-kompetent, që kinse nuk kam ofruar dëshmi nga gjykata, që organet drejtuese nuk janë të dënuar me vendim të formës së prerë. Unë si kryetar dhe çdo person e organ tjetër i FFK-së, i plotësojmë të gjitha kushtet ligjore për licencim të FFK-së”.

I pari i FFK-së beson që ditët në vijim do të mbyllet procesi i licencimit.

Por lista e kërkesave nga Komisioni i MKRS-së është e gjatë dhe nuk kufizohet vetëm në dëshminë e paraqitur nga Agim Ademi.

Komisioni Vlerësues për Licencim të Federatave Sportive në një letër të 23 dhjetorit ka shkruar për mungesën e dëshmisë nga Agim Ademi.

“Vërejtja e KVLFS-së lidhur me dëshminë nga gjykata kompetente qëndron, sepse për të gjithë anëtarët e tjerë të Bordit Ekzekutiv të FFK-së janë sjellë dëshmitë origjinale nga gjykata kompetente (prandaj edhe nuk ka pasur ndonjë vërejtje), ndërsa në emër të Kryetarit është sjellë një vërtetim që nuk është Certifikata unike nga gjykata. KVLFS-ja është në pritje të dëshmisë origjinale / Certifikatës unike nga gjykata me të gjitha të dhënat përkatëse që janë pjesë e formularit përkatës zyrtar”, shkruan në letrën e Komisionit për FFK-në.

Lista e kërkesave që duhet të plotësohen nga FFK-ja është e gjatë.

Kryetari i FFK-së, Agim Ademi, ka prezantuar një certifikatë të Gjykatës Themelore në Prishtinë, ku shkruan se ai “nuk është i dënuar”.

Certifikata është lëshuar më 1 dhjetor, ndërsa është e vulosur dhe e nënshkruar nga referenti Agim Bytyçi. Kjo gjykatë ka lëshuar edhe vërtetim që “FFK-ja nuk ka procedurë gjyqësore penale e as vendim gjyqësor penal”.

Agim Ademi ka qenë i dënuar më herët për një vepër që nuk ka të bëjë me futbollin, por rasti i është kthyer në rigjykim. Disa herë ka dështuar fillimi i rigjykimit.