Trajneri nga Kroacia, Ante Nazor, është i bindur se ekipi i tij, Sigal Prishtina, do të jetë më i fortë në pjesën e dytë të edicionit 2021/22, si në Superligën e Kosovës në basketboll ashtu edhe në Ligën Ballkanike (BIBL).
Sinjalin për një bindje të tillë Nazor e ka marrë në pesë ndeshjet e fundit të Prishtinës në BIBL, ku ka regjistruar pesë fitore.
Prishtina e ka mbyllur vitin në pozitën e dytë të Grupit B të Ligës Ballkanike me 12 pikë të mbledhura pas shtatë ndeshjeve të luajtura. Ka dy pikë më pak dhe dy ndeshje më pak të zhvilluara se akademik Plovdivi i Bullgarisë, që i prin grupit. Ndërkohë, në Superligë, Prishtina zë vendin e gjashtë më 21 pikë, tri më pak se Trepça e Golden Eagle Ylli që renditen në dy pozitat e para, pas 14 xhirove të zhvilluara.
“Realisht pres një Prishtinë më të fortë në pjesën e dytë të këtij edicioni, pasi mendoj se jemi ngritur si ekip në çdo aspekt. Sidomos në Ligën Ballkanike kemi treguar paraqitje të mira, që janë të mirëseardhura për ekipin tonë të ri. Kemi pasur nevojë për ndeshje të tilla të forta dhe mendoj se pjesa e dytë do të jetë shumë më interesante. Besoj se do të jemi edhe më të mirë”, është shprehur Nazor të martën për KOHËN.
Nazor mori drejtimin e Prishtinës para fillimit të këtij edicioni dhe misioni i tij nuk ishte aspak i lehtë. Atij iu kërkua të rindërtojë një ekip me lojtarë të rinj, të cilët, sipas tij, po e dëshmojnë veten me paraqitjet që i kanë treguar deri më tani. Nazor ka pranuar se misioni i tij nuk ishte i lehtë, por ka shtuar se është i kënaqur me punën që e ka bërë deri më tani, bazuar në atë që ka treguar skuadra në parket.
“Kur erdha te Prishtina më kërkuan të krijoj një ekip me lojtarë të rinj dhe drejtuesit e klubit më kanë dhënë përkrahje të madhe në këtë aspekt. Sigurisht që nuk është aspak e lehtë të fillosh nga e para, por mendoj se në përgjithësi është bërë një punë e mirë gjatë kësaj periudhe. Po ashtu, edhe lojtarët u janë përgjigjur pozitivisht kërkesave të mia dhe gradualisht e kanë kuptuar edhe sistemin e lojës që e kam kërkuar. Kështu që mund të them se deri më tani jam i kënaqur me atë që kemi bërë. Kemi bërë punë të mirë me lojtarët e rinj, në të cilët mund të llogaritet për të ardhmen”, është shprehur Nazor.
Pavarësisht se ende nuk ka caktuar ndonjë synim për këtë edicion, Nazor ka pranuar se Prishtina është ekip që lufton gjithmonë për trofe. Prishtina do të synojë që ta mbyllë edicionin të paktën me ndonjë trofe dhe nuk do të dorëzohet deri në fund. Tekniku kroat ka pranuar se nuk do të jetë aspak lehtë duke pasur parasysh se konkurrenca është e fortë në elitën e basketbollit kosovar.
“Prishtina është ekip që gjithmonë ka luftuar për trofe, kështu që e kemi obligim edhe këtë edicion dhe do të përpiqemi që ta mbyllim me ndonjë trofe. Pres angazhim edhe më të madh të lojtarëve dhe paraqitje sa më të mira që janë të rëndësishme për të pasur sukses”, shtoi Nazor. “Natyrisht që nuk do të jetë aspak lehtë për shkak se liga është shumë e fortë. Nuk e kam pritur një gjë të tillë, por pothuajse të gjitha skuadrat kanë bërë investime dhe kanë transferuar të huaj cilësorë. Mirëpo ne do të jemi gati si ekip për pjesën e dytë”.
Nazor paralajmëroi ndryshime të vogla në ekip, ndërsa shtoi se gjëja më e rëndësishme është se Prishtina ka krijuar një sistem të lojës që është tejet premtues për pjesën e dytë të këtij edicioni. Duelin e parë në vitin 2022 në Superligën e Kosovës, Prishtina e luan në udhëtim te Drita, ekip që nuk di për fitore në elitë. Ndërsa në kuadër të Ligës Ballkanike, më 26 janar e pret në shtëpi skuadrën nga Izraeli, Ironi Rain Nahariya.