Prishtinë, 13 shtator – Me ndryshime rrënjësore në ekip dhe strategji, Sigal Prishtina e nis edicionin 2021/22 në Superligën e Kosovës në basketboll. Pjesë e ndryshimeve të Prishtinës është trajneri nga Kroacia, Ante Nazor.
Nazor të hënën ka deklaruar për KOHËN se ekipi do të jetë i gatshëm për fillimin e sezonit. Ai ka thënë se këtë edicion në parket do të shihet një Prishtinë krejtësisht ndryshe, që do të luajë me një sistem tjetër të lojës dhe do t’u japë hapësirë lojtarëve të rinj. Nazor është i kënaqur me punën që e ka bërë ekipi gjatë fazës përgatitore dhe synon që sezonin 2021/22 ta nisë me fitore.
Ndeshjen e parë Prishtina e luan në shtëpi kundër Dritës, ekip i rikthyer në Superligë pas shtatë vjetësh. Drita është vendase, por për shkak që palestra e Gjilanit po përdoret për vaksinim kundër COVID-19, është detyruar që këtë duel ta zhvendosë në kryeqytet. Kjo ndeshje zhvillohet të martën në Prishtinë, pa praninë e shikuesve dhe nis në orën 19:00.
Është dueli i vetëm i xhiros së parë që luhet të martën. Ndeshjet e tjera do të zhvillohen të mërkurën dhe të enjten.
“Me gjithë problemet e shumta dhe punës së madhe që na ka pritur, ne i kemi përvjelë mëngët dhe kemi punuar shumë mirë gjatë kësaj periudhe. Do të jemi një ekip i ristrukturuar, i cili e ka ndërruar stilin e lojës dhe do t’u japim hapësirë lojtarëve të rinj. Kjo është me rëndësi. Mund të them se ekipi e ka pranuar shumë mirë këtë ndryshim dhe nga stërvitja në stërvitje jemi përmirësuar. Kështu që mendoj se jemi gati për sezonin e ri”, është shprehur Nazor.
Para se ta marrë drejtimin e Prishtinës, Nazor ka qenë trajner i shumë skuadrave nëpër Evropë. 42-vjeçari ka udhëhequr ekipet si Zara, Cibona, Split, MZT Skopje e ZTE, ndërsa ka qenë edhe përzgjedhës i gjeneratave të reja të Përfaqësueses së Kroacisë.
“Po ndihem mirë te Prishtina, si në shtëpi. Të gjithë më kanë mirëpritur dhe jam i lumtur që jam në krye të këtij projekti të ri të klubit”, ka insistuar Nazor.
Sa i përket duelit me Dritën, Nazor ka thënë se ka respekt maksimal për kundërshtaren, por ka insistuar se Sigal Prishtina është maksimalisht e motivuar dhe futet për të triumfuar.
“Natyrisht luajmë për fitore. E respektojmë kundërshtarin, por jemi maksimalisht të motivuar dhe të përgatitur për ndeshjen e parë të sezonit. E kemi analizuar mirë Dritën dhe i njohim cilësitë dhe dobësitë që ka. Kështu që pres një paraqitje të mirë të ekipit dhe fitore sigurisht”, shtoi Nazor, i cili pranoi se ky edicion do të jetë i ngarkuar për faktin se Prishtina do të paraqitet edhe në Ligën Ballkanike (BIBL).
Në këtë garë, që nis muajin tjetër, Prishtina bën pjesë në Grupin B. Do të përballet me skuadrat nga Bullgaria, akademik Plovdiv e Beroe, me skuadrën izraelit Ironi Rain Nahariya dhe TFT Skopje nga Maqedonia e Veriut.
“Ka shumë ndeshje dhe duhet pranuar që orari do të jetë i ngarkuar për shkak se do të paraqitemi edhe në Ligën Ballkanike. Mirëpo ndeshjet e forta në BIBL do të na ndihmojnë që të përmirësohemi dhe të shtojmë cilësitë tona. Kjo është e rëndësishme dhe besoj që ekipi nuk do ta ketë problem të adaptohet me këtë orar”, u shpreh trajneri kroat.
Nazor e ka parasysh se Prishtina është ekip që në çdo edicion futet për të fituar trofe. Në turneun e Superkupës së Kosovës, që u mbajt javën e shkuar, Prishtina u eliminua në çerekfinale nga skuadra e Pejës. Sezonin e shkuar Prishtina e fitoi Kupën dhe Superkupën e Kosovës.
“Të gjitha ekipet kanë investuar për këtë sezon dhe liga është e barabartë. Në dy muajt e parë, pra tetor dhe nëntor, të gjithë janë kampion, por në fund të sezonit mbetet vetëm një. Do të shohim si do të shkojnë gjërat”, paralajmëroi Nazor. “Ne kemi bërë ndërrim total për këtë sezon, kurse nëse na jepet rasti për të fituar, atëherë do ta shfrytëzojmë për shkak se Prishtina është një ekip me traditë dhe gjithmonë luan për trofe”.
Të mërkurën do të zhvillohen dy ndeshje të xhiros së parë. Prej orës 17:00 do të luhet dueli ndërmjet Trepçës dhe kamponit në fuqi, Golden Eagle Yllit, ndërsa dy orë më vonë do të nisë përballja mes Prizrenit-16 dhe Rahovecit. Xhiroja do të mbyllet të enjten me ndeshjen që luhet prej orës 19:00 në palestrën “Karagaçi” ndërmjet Pejës dhe Bashkimit.