Sport

Pasi përmbushi synimin kryesor, Prishtina kërkon suksesin edhe në gjysmëfinale të plejofit

Një ekip i ri i basketbollit përjeton shumë batica e zbatica brenda edicionit, por karakteristikë është se jep sinjale pozitive dhe rrit nivelin në momentin më të rëndësishëm – në garat e plejofit. Kështu insiston trajneri nga Kroacia, Ante Nazor, i cili është në krye të Sigal Prishtinës.

Nazor thotë se po e përjeton një gjë të tillë me skuadrën e Prishtinës, drejtimin e së cilës e mori para fillimit të këtij kampionati.

Sigal Prishtina ka arritur të futet në mesin e katër skuadrave më të mira në elitën e basketbollit kosovar. Në serinë gjysmëfinale të plejofit, të cilën e nis të shtunën mbrëma në Suharekë, Prishtina do të përballet me kampionin në fuqi, Golden Eagle Yllin, që mbetet favorit.

Prishtina, që pjesën e rregullt të stinorit e mbylli me 13 humbje karshi 15 fitoreve, arriti që në çerekfinale ta eliminojë Prizreni-16. Kjo u konsiderua edhe befasi, duke pasur parasysh ndryshimet drastike që Prishtina i ka bërë në ekip.

Kroati Nazor pranoi se Prizreni ka qenë shumë më i mirë se ekipi i tij në pjesën e rregullt, kështu që nuk do të inatosej nëse do të kalonte tutje. Të premten për KOHËN, Nazor, theksoi se ekipi i tij po dëshmon ngritje në finish, ashtu siç e ka parashikuar.

“Karakteristika e ekipit të ri është që të ketë ngritje dhe ulje nga ndeshja në ndeshje, dhe ne kemi përjetuar shumë gjëra të tilla gjatë pjesës së rregullt. Por, gjithashtu nuk duhet harruar se karakteristikë e ekipit të ri është ngritja e formës në fund të sezonit, pjesën më vendimtare dhe ne e kemi arritur këtë”, tha Nazor. “Sigurisht që kemi dëshmuar se jemi rritur në fund të sezonit qysh e kishim në plan që nga fillimi. Do të vazhdojmë të luajmë kështu dhe të kënaqemi”.

Kur Nazor e pranoi ofertën për të qenë trajner te Prishtina, atij iu bë me dije që këtë edicion do ta ketë një detyrë tejet të vështirë. Për dallim prej sezoneve të shkuara kur Prishtina kishte lojtarët më të mirë vendorë dhe të huaj, kryesia e re e klubit vendosi që këtë edicion të bëjë një ristrukturim total të ekipit. Hoqi dorë nga të gjithë lojtarët me përvojë dhe vendosi t’u japë hapësirë të rinjve që nuk kishin pasur minutazhë në të shkuarën. Angazhoi disa “vendorë” të tjerë që për herë të parë po luajnë në Kosovë. Trajnerit Nazor iu kërkua që të ofrojë hapësirë të mjaftueshme për gjashtë lojtarët vendorë: Muhamedali Janjeva, Meriton Ismaili, Don Polloshka, Lejson e Jetmir Zeqiri e Jan Palokaj. Sukseset e kaluara të Prishtinës nuk lidhen me emrin e asnjërit prej tyre.

“Fillimi nuk ka qenë aspak i lehtë, në fakt ishte shumë i vështirë. Ne kemi bërë revolucion dhe kemi vendosur që gjashtë lojtarëve të rinj t’u japim hapësirë kaq shumë, gjë që ndodh rrallë. Kemi pasur besim dhe deri më tani jam shumë i kënaqur me atë çfarë kemi treguar”, insistoi Nazor. Ai thotë se të gjithë lojtarët kanë arsyetuar besimin dhe kanë shfaqur ndeshje të mira.

“Sigurisht që e kanë shfrytëzuar mirë minutazhin që e kanë pasur. Tash mund të them se Prishtina ka bazën e ekipit të ri me lojtarë vendorë dhe shumë ma lehtë do t’i ketë gjërat në të ardhmen, pasi plani që ishte në fillim është realizuar dhe ka dhënë rezultate të mira”.

Shkak për ngritjen e Prishtinës, Nazor ka thënë se është edhe pjesëmarrja në Ligën Ballkanike. Shton se edhe në BIBL, Prishtina tejkaloi parashikimet e të gjithëve duke arritur deri në çerekfinale.

“Edhe ne BIBL jemi rritur shumë si ekip dhe kemi shkuar mjaft larg. Kemi luajtur ndeshje të forta dhe kjo ka ndihmuar skuadrën edhe më shumë. Nganjëherë një ndeshje e fortë është më e vlefshme se dhjetëra stërvitje”, shtoi Nazor. “Gjithmonë e them se Prishtina është ekip i madh dhe se lojtarët duhet ta bartin me krenari e përgjegjësi fanellën e klubit. Prishtina, pavarësisht cilësisë gjithmonë ka synimet e mëdha”.

Sa i përket serisë gjysmëfinale me Yllin, skuadra që shënon tri fitore kualifikohet në finale të plejofit. Dueli i parë ndërmjet Yllit dhe Prishtinës do të luhet të shtunën prej orës 20:30 në palestrën “13 Qershori” në Suharekë.

“Nuk dua të krijoj presion, por thjesht dua që ekipi të luajë dhe të mundohet të bëjë paraqitje të mira në këtë seri”, tha Nazor, që është i gatshëm të mbetet në krye të Prishtinës edhe më gjatë. “Unë jam i kënaqur me punën time këtu dhe nëse klubi me kërkon të qëndrojë do ta bëjë me kënaqësinë më të madhe”.

Në serinë tjetër gjysmëfinale të plejofit, Trepça do të luajë kundër Pejës. Ndeshja e parë zhvillohet në palestrën “Minatori” në Mitrovicë, të dielën prej orës 17:00.