Sport

Prishtina optimiste para ndeshjes së dytë me Yllin

Te Sigal Prishtina janë të bindur në paraqitje më të mirë në ndeshjen e dytë gjysmëfinale të plejofit të Superligës së Kosovës në basketboll.

Me paraqitje më të mirë klubi kryeqytetas po shpreson të shënojë fitore për ta barazuar rezultatin e përgjithshëm në 1:1 përballë kampionit në fuqi, Golden Eagle Yllit.

Kështu ka thënë trajneri i Prishtinës, kroati Ante Nazor, për KOHËN të martën.

Dueli i dytë mes Yllit dhe Prishtinës do të zhvillohet të mërkurën prej orës 20:30 në palestrën “13 Qershori” në Suharekë. Në duelin e parë, që u luajt vikendin e shkuar po në Suharekë, Prishtina pati një paraqitje të zbehtë dhe u mposht bindshëm nga Ylli me shifrat 73:48.

Skuadra që regjistron tri fitore në gjysmëfinale do të kualifikohet në finalen e plejofit.

“Krejt çka mund të them është se pres të kemi një paraqitje dukshëm më të mirë sesa në ndeshjen e parë. Besoj se do t’i eliminojmë gabimet e shfaqura në atë përballje për ta kërkuar rastin tonë për një rezultat të mirë. Gjithashtu kam dëshirë që të jemi sa më të kompletuar, sepse për shkak të lëndimeve nuk e di ende se cilët lojtarë do t’i kem në dispozicion. Shpresoj që adhuruesit ta shohim një version më të mirë të Prishtinës dhe pres që të jetë një ndeshje shumë interesante deri në fund”, është shprehur Nazor.

Përderisa Prishtina synon ta barazojë këtë seri, te Ylli do të synojnë ta bëjnë edhe një hap tutje drejt kalimit në finale për edicionin e dytë rresht.

Në fakt, skuadra nga Suhareka po planifikon që dilemën e finalistit ta mbyllë pas vetëm tri ndeshjeve. Ylli është kualifikuar direkt në gjysmëfinale pasi stinorin e rregullt e ka mbyllur në pozitën e parë në tabelë. Në anën tjetër Prishtina, si e gjashta në pjesën e rregullt, eliminoi Prizrenin-16 pas tri ndeshjeve në çerekfinale, prej të cilave i fitoi dy.

Në gjysmëfinalen tjetër përballen Trepça me Pejën. Ndeshjen e parë e ka fituar skuadra e Trepçës me rezultatin 75:68, kurse dueli i dytë do të luhet po ashtu në palestrën “Minatori” në Mitrovicë, të enjten, duke filluar në orën 20:30.