Sport

Prishtina synon fitoren në Bullgari dhe vendin në “Final Four” të Ligës Ballkanike

Sigal Prishtina është e vendosur që të luajë në “Final Four” të Ligës Ballkanike në basketboll (BIBL).

Për ta konfirmuar vendin në turneun final të Ligës Ballkanike, Prishtina duhet ta eliminojë skuadrën bullgare, Ballkani, në çerekfinale. Në ndeshjen e parë, të luajtur javën e shkuar në Prishtinë, basketbollistët prishtinas shënuan fitore të ngushtë, 85:83. Të mërkurën prej orës 18:00 në Botevgrad do të luhet ndeshja e kthimit ndaj Ballkanit.

Prishtina avancon në “Final Four” nëse triumfon edhe në ndeshjen në Bullgari apo humb me një pikë.

Te Prishtina kanë insistuar se në Botevgrad nuk do ta mbrojnë epërsinë e ndeshjes së parë, por do të dalin në parket për ta fituar edhe duelin e dytë, në mënyrë që të kualifikohen tutje në BIBL. Kështu ka thënë të martën trajneri i Prishtinës, kroati Ante Nazor. Ai ka pranuar se nuk do të jetë aspak lehtë, por ka treguar se ekipi është i motivuar për fitore ndaj Ballkanit.

“Natyrisht që synojmë fitoren edhe në ndeshjen e dytë ndaj Ballkanit, pasi duam të luajmë në ‘Final Four’ të kësaj gare. Këtë e kemi edhe synim dhe shpresoj t’ia dalim. Natyrisht, na pret një kundërshtar i fortë dhe nuk do të jetë aspak lehtë. Mirëpo jemi gati për ta dëshmuar veten”, është shprehur Nazor.

Kualifikimin në “Final Four” të BIBL-it e pret edhe basketbollisti Meriton Ismaili. Ai shtoi se Prishtina ka treguar ndeshje të mira këtë edicion në Ligën Ballkanike dhe për këtë arsye meriton të jetë pjesë e turneut final. Ismaili tregon se gjithë lojtarët janë të motivuar për ta fituar edhe ndeshjen e dytë ndaj Ballkanit, që e vlerësoi kundërshtar tejet të fortë.

“Na ndan vetëm një hap nga kualifikimi në ‘Final Four’ të BIBL-it dhe synimi është që të japim më të mirën nga vetja për të avancuar tutje. Jemi përgatitur mirë dhe sigurisht që duam ta fitojmë edhe ndeshjen e dytë kundër Ballkanit, por nuk duhet harruar se nuk do të jetë aspak lehtë”, është shprehur Ismaili. “Besoj se do të jetë një ndeshje shumë e fortë dhe në fund ne do ta konfirmojmë kalimin tutje”.

Sigal Prishtina në këtë përballje do të jetë pa dy lojtarë. Bëhet fjalë për amerikanët Wendell Mitchell dhe Biram Faye, të lënduar.

Prishtina këtë edicion është ekipi i vetëm nga Kosova që po merr pjesë në Ligën Ballkanike, garë të cilën e ka fituar dy herë. Ekipi kryeqytetas ka arritur deri në çerekfinale, pasi ka kaluar me sukses fazën e parë dhe të dytë të grupeve.

Në “Final Four” tashmë janë kualifikuar skuadrat nga Izraeli, Hapoel Elion dhe Ironi Nahariya. Ndërkohë, në çerekfinalen tjetër përballen Maccabi Haifa dhe Levski.

Prishtina tashmë e ka siguruar pjesëmarrjen në plejofin e Superligës së Kosovës. Kur ka mbetur edhe një xhiro deri në fund të stinorit të rregullt, Prishtina është e pesta me 41 pikë dhe do të luajë në serinë çerekfinale të plejofit. Në xhiron e fundit, që luhet këtë vikend, Prishtina do të jetë mysafire e Prizreni-16.

Për shkak të pjesëmarrjes së ekipeve nga Izraeli, Liga Ballkanike këtë edicion u vlerësua më cilësore se në vitet e kaluara, kur e kishte humbur thuajse në tërësi shkëlqimin.