Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Kroati Hrgoviq mposht Zhilein, fiton të drejtën për të boksuar për titull bote në peshën e rëndë

Filip Hrgoviq

Boksieri kroat Filip Hrgoviq ka fituar përballjen e vështirë me kinezin Zhang Zhilei, duke e siguruar kështu të drejtën për të boksuar për titull bote në peshën e rëndë në versionin IBF.

Meçi i zhvilluar në Jeddah të Arabisë Saudite përfundoi me fitore të Hrgoviqit me vendim unanim pas 12 raundeve.

Dy anëtarë të jurisë ia dhanë fitoren Hrgoviqit me rezultat 115:112 dhe njëri po ashtu ia dha fitoren boksierit kroat me rezultat 114:113. Pas kumtimit të rezultatit pati fishkëllima nga publiku.

Zhilei e kishte rrëzuar një herë Hrgoviqin në raundin e parë.

Për Hrgoviqin është fitorja e 15-të nga po aq meçe në boks profesionist. Zhilei ka pësuar humbjen e parë në karrierën profesioniste pas 24 fitoreve e një barazimi.