Ish-kampioni i botës në versionin IBO në kategorinë gjysmë të rëndë, Haxhi Krasniqi, nuk është duke u dorëzuar me ankesat për humbjen e meçit të tetorit nga Dominic Boesel. Pas ankesave në vendimin e gjyqtarëve dhe kërkesave për rivlerësim të meçit, Krasniqi tani është ankuar në Federatën e Boksit Profesional në Gjermani për çështje të dopingut te rivali i tij.
Më 9 tetor të vitit të shkuar, Krasniqi humbi titullin pas vendimit të gjyqtarëve të cilët e vlerësuan meçin me rezultat 2:1. Krasniqi kishte rrëmbyer titullin IBO dhe po ashtu titullin e përkohshëm të botës në versionin WBA në tetor të vitit 2020, kur e nokautoi Boeselin në raundin e tretë. Në rimeç, dy nga gjyqtarët ia dhanë fitoren Boeselit me shifrat 115:114 dhe 116:112, ndërsa njëri Krasniqit me shifrat 115:114.
Ai s’u pajtua asnjëherë me vendimin dhe vazhdimisht ka shprehur ankesat. Kishte angazhuar edhe tre gjyqtarë të licencuar në Federatën Gjermane të Boksit për ta bërë rivlerësimin. Të tre ia dhanë fitoren Krasniqit, por procedurat nuk i kanë pëlqyer edhe IBO-së që ka thënë se puna e atij meçi është e mbyllur si çështje.
Të shtunën, Krasniqi ka njoftuar për ankesë të re. Ai ka ushtruar ankesë në Federatën e Gjermanisë për çështje të dopingut.
Avokati i tij, Rene-Dirk Hundertmark ka thënë se është e domosdoshme që të ketë vlerësim të rregullave të dopingut, pasi sipas tij, mostrat e dopingut të kundërshtarit ishin zhdukur dhe s’janë prezantuar në ditën e meçit.
Ndërkaq, Krasniqi ka thënë se beson në drejtësi dhe epilog të drejtë.
“Jam i gatshëm të përballem sërish me Dominic Boeselin dhe ta mposht për herë të tretë, por siç duket Dominicu dhe SES Boxing s’janë të interesuar të përballen me mua sërish sepse e kam kuptuar se po bëjnë gjithçka që munden për të ikur. Por unë jam këtu dhe i gatshëm. Unë nuk dorëzohem kurrë”, ka thënë ai.