Sport

Gjyqtarët e angazhuar nga Krasniqi vlerësojnë se ai ka fituar duelin me Boeselin

Ekipi i boksierit kosovar, Haxhi Krasniqi, nuk po ndal përpjekjet për të kontestuar rezultatin e duelit ndaj gjermanit, Dominic Boesel. Boesel e kishte mposhtur Krasniqin me pikë, më 9 tetor në Magdeburg të Gjermanisë. Kështu e kishte fituar titullin në versionin IBO, që nuk është prej më të mëdhenjve.

Krasniqi dhe ekipi i tij që nga fillimi kanë kontestuar rezultatin, ndërsa nuk kanë ndalë përpjekjet për të dëshmuar që ai megjithatë ishte fituesi.

Së fundi, ekipi i Krasniqit ka angazhuar gjyqtarë të boksit, që kanë bërë rivlerësimin e meçit. Komisioni i gjyqtarëve është mbledhur të shtunën dhe e ka vlerësuar Krasniqin fitues. Kjo natyrisht nuk ka ndonjë vlerë sa i takon rezultatit zyrtar të duelit.

Gjyqtarët ishin të përzgjedhur nga ekipi i Krasniqit dhe ky vlerësim nuk merret për bazë nga IBO-ja dhe WBA-ja, versioni i madh i boksit profesionist. Meçi ishte eliminator për titull në WBA, në kategorinë gjysmë të rëndë.

Të pesë gjyqtarët e kanë vlerësuar Krasniqin fitues. Të gjithë ishin gjermanë. Dy e vlerësuan me rezultatin 116:112, dy me 115:113 dhe një me 115:114. Fitorja e Boeselit, që në fakt ishte kontestuar gjerësisht, ishte me pikë dhe me rezultat të ngushtë.

Të gjithë gjyqtarët e angazhuar ishin aktivë dhe të licencuar. Vlerësimi i tyre është bërë në një ngjarje publike në Gjermani.

“Jam shumë i lumtur që ky rivlerësim ka ndodhur. Tani është konfirmuar nga gjyqtarët se unë jam fitues i vërtetë i duelit. Po shikoj para drejt luftës së tretë, por natyrisht dua të paraqitem si kampion botëror”, ka thënë Krasniqi.

Është deklaruar edhe njëri prej gjyqtarëve, Timo Hoffman.

“Boksi është sport i vështirë dhe unë jam i lumtur që pasi është marrë një vendim i gabuar, dikush më në fund është ngritur dhe ka thënë se vendimi është i gabuar dhe ne duhet ta përmirësojmë gabimin. Kundërvajtjet në boks shkatërrojnë shumë karriera”, ka thënë Timmo Hoffman.

Nga ekipi i Krasniqit kanë thënë se do të vazhdojnë me veprime për të dëshmuar se ai ishte fituesi.

Federata përkatëse kishte refuzuar të bënte një rivlerësim, që nuk është ndonjë praktikë e shpeshtë në boksin profesionist.

Nuk dihet se cilat do të jenë zhvillimet pas këtij veprimi të ekipit të Krasniqit. Ka gjasë që rivlerësimi të ndikojë në raportet me SES-Boxing, por edhe me organizatat e mëdha të boksit.

Krasniqi e kishte mposhtur Boeselin më 10 tetor të vitit të kaluar. Kishte fituar titullin e përkohshëm të botës në versionin WBA, që ndërkohë u anulua si titull nga ky version. WBA-ja është prej katër federatave të mëdha të boksit profesionist. Krasniqi e kishte fituar edhe titullin në IBO, që nuk është prej katër versioneve më të mëdha. Këtë titull e humbi në meçin e dytë, ku vlerësimi mbetet diskutabil.