Sport

Kosovës në mars pritet t’i kthehen dy lojtarë të rëndësishëm

Arbër Zeneli javën e kaluar u kthye në fushë pas tetë muajsh mungesë. Luajti gjysmë ore me skuadrën e rezervistëve të Reimsit, ndërsa shpejt pritet të luajë edhe për ekipin e parë të klubit francez.

Shpejt pritet të luajë për herë të parë këtë vit për Reimsin edhe Valon Berisha. Berisha ka paralajmëruar të enjten për KOHËN se do të jetë gati për vikendin e ardhshëm. Mesfushori 29-vjeçar ishte lënduar në ndeshjen që Remsi e zhvilloi më 5 dhjetor ndaj Angersit. Ai tha se është rikuperuar dhe se do të jetë 100 për qind i gatshëm për lojë javën e ardhshme.

“Jam shumë më mirë. 70-80 për qind të fitnesit optimal e kam arritur, që i bie se brenda javës së ardhshme pritet ta marr veten edhe më shumë dhe të jem 100 për qind fizikisht i gatshëm për lojë”, ka thënë Berisha.

Berisha pjesë e Reimsit është prej korrikut të vitit 2020, ndërsa në edicionin aktual ka luajtur 12 ndeshje në Ligue 1 dhe Kupë të Francës. Ai ka asistuar një herë, ndërsa pret ta ndihmojë Remsin në ndeshjet e mbetura të këtij edicioni.

“Sa i përket kthimit tim në fushë, gjithçka ka shkuar me kohë”, është shprehur Berisha, njëri prej lojtarëve bartës te Kosova.

Ai thotë se do të jetë gati edhe për Kosovën për ndeshjet miqësore të muajit tjetër kundër Burkina Fasos dhe Zvicrës. Kundër Burkina Fasos, Kosova luan më 24 mars në Prishtinë, ndërsa ndaj Përfaqësueses helvetike luan më 29 mars në Zuerich.

Berisha nuk kishte luajtur ndaj Shqipërisë në miqësoren e 29 marsit të vitit 2018, ndeshje të cilën e pati fituar Kosova 3:0 në stadiumin “Letzigrund” të Zuerichut.

Në këtë stadium pati shkëlqyer Arbër Zeneli. Ai kishte shënuar dy prej tri golave të Kosovës.

Berisha thotë se dy ndeshjet miqësore të marsit janë të mirëseardhura për Kosovën.

“Janë ndeshje të rëndësishme, para ndeshjeve shumë të rëndësishme që i kemi në qershor. Dhe sigurisht shërbejnë ta njohim edhe trajnerin e ri dhe idetë e tij se si do t’i qaset lojës së Kosovës. Janë të rëndësishme po ashtu edhe për të krijuar një atmosferë të mirë para ndeshjeve të qershorit”, ka thënë Berisha.

Ai për Kosovën ka shënuar tri gola në 31 paraqitje.

Valon Berisha shpreson ta ndihmojë Kosovën ta përsëritë suksesin e edicionit të parë të Ligës së Kombeve – ta fitojë grupin.

Kosova tani luan në Ligën C dhe është pjesë e grupit të dytë së bashku me Greqinë, Irlandën e Veriut dhe fituesin e ndeshjeve mes Qipros e Estonisë.

Pas ndeshjeve të Ligës së Kombeve, në vitin 2023 i luan ndeshjet e rregullta kualifikuese për “Euro 2024”.

“Synimi jonë në edicionin e ri të Ligës së Kombeve është vendi i parë”, ka thënë Berisha.