Valon Berisha ka thënë se skuadra është shumë e bashkuar dhe në ndeshjet e qershorit shpreson që me Kosovën të marrë rezultate pozitive.
29-vjeçari, që është një prej lojtarëve me më së shumti përvojë në ekip, ka theksuar se janë marrë vesh të gjithë që të jepet më e mira në ndeshjet e këtij muaji.
Kosova të enjten në orën 18:00 luan në udhëtim ndaj Qipros. Më 5 qershor e pret Greqinë, ndërsa tri ditë më vonë Irlandën e Veriut.
Ndeshjet e qershorit i mbyll me ndeshjen në udhëtim ndaj Greqisë.
Janë ndeshje të edicionit të tretë të Ligës së Kombeve, ndërsa Kosova është në Grupin 2 të Ligës C.
“Shumica e skuadrës është e re në moshë. Dihet se është një moment shumë i rëndësishëm për ne. Kemi një trajner të ri, por edhe lojtarë të rinj. Kemi folur që nga dita e parë që të japim më të mirën, në mënyrë që në këto ndeshje të cilat i kemi, të marrim rezultate të mira”, ka theksuar Berisha.
Berisha me fanellën e “Dardanëve” ka zhvilluar 32 ndeshje në total, teksa ka tre gola të shënuar.
Në nivel klubesh, aktualisht është te skuadra e Reimsit francez dhe ka kontratë deri në vitin 2024.
Në 16 ndeshje të luajtura në sezonin që shkoi, Berisha e ka një asistim.
Ai karrierë ka bërë edhe te skuadrat si Egersund, Viking, Salzburg, Lazio e Fortuna Dusseldorf.