Përfaqësuesja U19 e Kosovës në futsall ka pësuar disfatë në fazën kryesore të kualifikimeve në Evropianin e këtij viti që do të organizohet në Poreç të Kroacisë në muajin shtator.
Të përzgjedhurit e Suad Keçit të premten u mposhtën nga Portugalia e kësaj grupmoshe me rezultatin 7:4.
Portugalia është nikoqire e Grupit 3, ndërsa është nënkampione e vitit 2022 dhe gjysmëfinaliste e vitit 2019.
Kosova që në minutën e petë kaloi në epërsi me golin e Blend Krasniqit, por në pesë minutat e fundit të pjesës së parë, pranoi pesë gola nga portugezët.
Deri në fund të ndeshjes, Portugalia nuk lejoi befasi dhe e fitoi edhe ndeshjen e dytë për t'u kualifikuar në "Main Round".
Krasniqi i realizoi dy gola, ndërsa nga një gol shënuan Elton Demaj dhe Meris Maliqi.
Vetëm fituesit e shtatë grupeve të “Main Round” avancojnë në ndeshjet finale të Evropianit.
Ndeshjen e radhës, Kosova U19 e luan kundër Bjellorusisë më 26 mars, në orën 14:00.
Kosova në Grupin 3 zë pozitën e dytë me tri pikë, aq sa ka edhe Bjellorusia, ndërsa Sllovakia është e fundit me dy humbje në po aq ndeshje. Portugalia ka gjashtë pikë në dy ndeshje në vendin e parë.
Ky është edicioni i tretë i Evropianit të futbollit në sallë, ndërsa Spanja ishte fituese e dy edicioneve të para. Nuk ka humbur asnjë ndeshje të Evropianit U19.