Sport

Kosova U19 mbron titullin në turneun “Roma Caput Mundi”

Përfaqësuesja U19 e Kosovës në futboll e ka mbrojtur titullin e fituar në vitin 2020 edhe këtë vit në turneun “Roma Caput Mundi” të mbajtur në kryeqytetin italian.

Të premten, në ndeshjen finale, Kosova ka triumfuar ndaj skuadrës së Lazios me rezultatin 2:1, ka njoftuar Federata e Futbollit të Kosovës (FFK).

Edhe pse ishin në disavantazh, futbollistët e përzgjedhësit Ramiz Krasniqi, arritën ta përmbysin rezultatin në ndeshjen finale, falë golave të Rijad Jasharin në pjesën e parë dhe Etnik Brrutit në të dytën.

Për Kosovën, kjo ishte fitorja e katërt në po aq ndeshje të zhvilluara, prej të cilave dy në fazën e grupeve i ka fituar pas penalltive.

“Këtë turne e vlerësoi shumë pozitiv, ngase i kemi luajtur katër ndeshje me intensitet në një periudhë të shkurtër prej pesë ditësh. Jemi bazuar kryesisht në ekipin që e kemi titullar, në mënyrë që ta shohim përgatitjen e tyre para ndeshjeve zyrtare. Kemi hasur paksa vështirësi në ndeshjet me skuadrat më të dobëta, si pasojë e motivimit më të vogël, por me ekipet e forta kemi treguar shumë seriozitet, angazhim dhe kualitet”, ka thënë përzgjedhësi Krasniqi.

“Në përgjithësi turneu ishte shumë i dobishëm, ngase e kemi pa në tërësi një grup të lojtarëve në të cilët mund të llogarisim, ku 12-13 lojtarë e kanë dëshmuar se e meritojnë të jenë pjesë e Kombëtares, derisa të tjerët që kanë pasur hapësirë më të vogël, do t’u jepet rasti herëve tjera për t’i dëshmuar vlerat e tyre”.