Përfaqësuesja U16 e Kosovës në futboll (femrat), ka shënuar edhe fitoren e dytë në kuadër të turneut zhvillimor të UEFA-s, që po zhvillohet në Kamëz nën organizimin e Federatës Shqiptare të Futbollit.
Pas fitores në ndeshjen e parë ndaj Andorrës (3:1), Kosova ka triumfuar edhe në ndeshjen e dytë ndaj Shqipërisë.
Në fakt, Kosova këtë përballje e fitoi 2:0 me penallti, pasi koha e rregullt përfundoi baras 1:1.
Golin për Kosovën në këtë ndeshje e shënoi Olsa Maqastena në minutën e gjashtë, por Shqipëria barazoi shifrat në minutën e 38-të, me anë të Xhesika Ndoj.
Pas kësaj më nuk pati gola, ndërsa Kosova ndeshjen e mbylli me një lojtare më pak për shkak se Aurora Cakolli u ndëshkua me karton të kuq dhjetë minuta para përfundimit të kohës së rregullt.
Duelin e tretë dhe të fundit, Kosova e luan të dielën kundër Moldavisë.