Sport

Kosova s’ka siguri se do t’i ketë të gjithë lojtarët në mars

Prishtinë, 24 shkurt – Përfaqësuesja e Kosovës në futboll muajin e ardhshëm nis një cikël tjetër kualifikues, atë të botërorit “Katari 2022”. Do të grumbullohet më 22 mars, dy ditë para se ta luajë ndeshjen miqësore kundër Lituanisë. Pas katër ditësh luan atë kualifikuese ndaj Suedisë në stadiumin “Fadil Vokrri”, në Prishtinë, ndërsa më 31 mars do të jetë mysafire e Spanjës. Mirëpo Kosova mund të përballet me telashet e njëjta si të vitit të kaluar.

“Dardanët” u ballafaquan me vështirësi në grumbullimin e lojtarëve shkaku i situatës së rënduar dhe masave rigoroze të marra nga disa shtete në luftën kundër koronavirusit. Disa prej lojtarëve kyç u munguan “Dardanëve” në ndeshjet më të rëndësishme të saj. E me situatë të njëjtë mund të përballet sërish, meqë lojtarët jetojnë në shtete të ndryshme të Evropës.

Menaxheri i përfaqësueses së Kosovës, Bajram Shala, thotë se nuk do të jetë asgjë në dorën e tyre. Madje, nuk mund të ndërhyjë as UEFA në këtë rast.

“Duke pasur parasysh përvojën nga tri grumbullimet e kaluara, gjatë periudhës me COVID-19, ne qysh tani jemi në kontakt me të gjithë futbollistët për të kuptuar sa më shumë detaje dhe për të parë të gjitha opsionet që të gjithë futbollistët e ftuar nga përzgjedhësi Bernard Challandes të jenë pjesë e ekipit. Aktualisht, meqë jemi rreth një muaj para fillimit të grumbullimit, nuk mund të flasim me siguri të plotë, por jemi shumë optimistë se kësaj radhe nuk do të kemi probleme në këtë drejtim. Mirëpo, gjithnjë duhet ta kemi parasysh që në fund autoritetet shtetërore apo rajonale të disa shteteve e kanë fjalën e fundit dhe ndaj vendimeve të tyre nuk mund të bëjmë asgjë, as ne, federatat tjera apo edhe vetë UEFA, ngase në grumbullimet e vjeshtës kemi parë qartazi që jo vetëm Kosova, por edhe shumë kombëtareve të tjera të shteteve shumë më të fuqishme nuk kanë mundur t’u bashkohen të gjithë futbollistët e ftuar”, ka thënë Shala në përgjigjen e dhënë të mërkurën për KOHËN.

Në fakt, gjatë grumbullimit, futbollistët kanë qenë nën masa të rrepta të izolimit. Nuk kanë pasur kontakt me asnjë nga familjarët e tyre, si në hotel ashtu edhe gjatë stërvitjeve. Dyert në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, kur futbollistët e Kosovës kanë stërvitur, kanë qenë të mbyllura për shikues, derisa edhe në ndeshje numri i zyrtarëve dhe mediave ka qenë i kufizuar. Njëjtë pritet të jetë edhe në grumbullimin e marsit, thotë Shala.

“Grumbullimi si zakonisht do te nisë në ditën e parë të kalendarit të FIFA-s për grumbullimet e ekipeve kombëtare, që nënkupton më 22 mars do të jetë dita e parë e grumbullimit zyrtar, por ne do të provojmë që futbollistët që luajnë më 20 dhe më 21 mars t’i sjellim në Prishtinë, në mënyrë që ata të jenë sa më herët në dispozicion të përzgjedhësit Challandes. Edhe kësaj radhe grumbullimi do të zhvillohet nën masa strikte, sipas protokollit të UEFA-s për grumbullimin e ekipeve. Do t’i ndjekim të gjitha detajet e parapara në atë protokoll duke pasur përgjegjësinë e plotë për lojtarët që nga momenti kur ata lirohen zyrtarisht nga klubet e tyre e deri në momentin kur do të kthehen sërish në klub”, është shprehur Shala.

Por, pas kthimit nga grumbullimi i fundit i Kosovës në nëntor të vitit të kaluar, shumë futbollist dolën të infektuar dhe iu nënshtruan karantinimit kur u kthyen në klubet e tyre. Pati të infektuar edhe nga stafi i përfaqësueses në krye me përzgjedhësin Challandes, si dhe zyrtarë të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK).

Në fakt, lojtarët ishin testuar para secilës ndeshje, pra tri herë. Dhe secilën herë rezultati i të gjithëve ishte negativ.

Menaxheri Shala ka paralajmëruar se mund të ketë ndryshime edhe në listën e lojtarëve, që pritet të publikohet disa ditë para se të grumbullohen. Ai ka thënë se janë tre futbollistë të rinj që së fundi janë pajisur me dokumentacionin e nevojshëm për të qenë të gatshëm të jenë nën urdhërat e Challandesit. Por shton se vendimin përfundimtar e merr Challandesi.

Gjendja e lojtarëve të Kosovës në klubet e tyre nuk vlerësohet më e mira. Mund të ketë edhe ndryshime në listë. Pritet të ketë edhe lojtar që për herë të parë i bashkohen Kosovës, por edhe disa që mund ta humbin vendin shkaku që nuk po luajnë apo kanë bërë hapa prapa në karrierë, duke u transferuar në klube që garojnë në rangje më të ulëta në shtetet përkatëse.

“Dera është gjithmonë e hapur, jo vetëm për ardhje, por edhe për largime, qofshin ato të përkohshme për shkak të formës së momentit apo të përhershme për arsye nga më të ndryshmet. Se kë do të vendosë ta grumbulloj trajneri, duhet të presim ende. Mirëpo, mund të konfirmojmë se janë tre futbollistë që tashmë në aspektin administrativ dhe procedural janë të gatshëm për t’u paraqitur me ekipin A, prandaj duhet të shohim nëse ata do të grumbullohen nga përzgjedhësi. Ndërkohë, sa u përket largimeve, një çështje e tillë, si zakonisht as nuk diskutohet dhe është e drejtë ekskluzive e përzgjedhësit Challandes. Prandaj unë nuk mund të them asgjë në këtë drejtim”, ka thënë Shala.

Mirëpo Challandes tashmë ka nisur ndryshimet. Ai së fundi ka afruar në stafin e tij dy trajnerë të huaj, ndihmësin e parë të tij, francezin Sebastien Bichard dhe trajnerin slloven, Primozh Gliha.