Një cikël i ri me synime të reja do të nisë sonte për Përfaqësuesen e Kosovës në futboll. “Dardanët” nga ora 20:45 presin Suedinë në “Fadil Vokrri”, në ndeshjen e parë kualifikuese për kampionatin botëror “Katari 2022”.
Për ndeshjen ndaj Suedisë, Kosovës do t’i mungojnë disa lojtarë të rëndësishëm. Por, me gjithë mungesat, përzgjedhësi Bernard Challandes të shtunën në konferencë ka kërkuar që skuadra të jetë e bashkuar dhe të luajë ndeshje të përkryer për të nxjerrë rezultat pozitiv. Kosova nuk do të llogarisë në lojtarët e lënduar, Amir Rrahmani dhe Valon Berisha, ndërsa Ibrahim Dresheviqi mungon shkaku i suspendimit. Arijanet Muriq u përjashtua për shkak të disiplinës, e Herolind Shala nuk u grumbullua për shkak të koronavirusit.
“Pesë lojtarë të rëndësishëm nuk i kam këtu. Kam dëgjuar duke thënë se Suedia nuk është e fortë. Unë mendoj se e kanë gabim. Suedia është një prej 20 skuadrave më të forta në botë. Duhet të kemi paraqitje shumë të mirë, në mënyrë që të marrim diçka nga ky ballafaqim. Kemi disa probleme me kontingjentin e lojtarëve, por ne duhet të gjejmë mënyrë ekipore për t’i zëvendësuar ata, në mënyrë që të paraqitemi sa më mirë”, ka thënë Challandes.
Kosova dhe Suedia janë në Grupin B të kualifikimeve të kampionatit botëror “Katari 2022”. Në Grupin B janë edhe Spanja, Greqia dhe Gjeorgjia.
Me fitore shpreson të kthehet në shtëpi përzgjedhësi suedez, Janne Andersson. Sulmit të Suedisë pritet t’i prijë ylli i Milani, Zlatan Ibrahimoviq.
“Mendoj se Kosova është ekip i mirë, me një numër të madh të lojtarëve të shpejtë dhe kualitativë. Ne do të mundohemi të arrijmë një nivel më të lartë sesa kishit ju para disa ditësh. Mendoj se ne duhet ta bëjmë atë për ta fituar ndeshjen të dielën”, ka thënë Andersson.
Suedia është e para në grup me tri pikë, ndërsa Spanja e Greqia kanë nga një pikë. Suedia e mposhti Gjeorgjinë në ndeshjen e parë, kurse Spanja barazoi me Greqinë.
Më 31 mars, Kosova do të udhëtojë në Sevilla për t’u ballafaquar me Spanjën.