Sport

Qershori i ngjeshur me ndeshje, por i mirëseardhur për Kosovën

Përzgjedhësi i Përfaqësueses së Kosovës, Bernard Challandes, ditët e fundit ka pasur më shumë punë se zakonisht kur është marrë me përpilimin e listës së futbollistëve në prag të ndonjë ndeshjeje të “Dardanëve”, qoftë ajo miqësore apo kualifikuese. Kosova, muajin e ardhshëm, do t’i luajë katër ndeshje miqësore që do të zhvillohen brenda një intervali prej 11 ditësh.

E, për këto miqësore, Challandesi do t’i përpilojë dy lista. Listën e parë, zvicerani do ta bëjë publike të hënën e ardhshme, kurse të dytën disa ditë më vonë. Grumbullimi i futbollistëve do të nisë më 28 maj, kurse Kosova në miqësore do të përballet me San Marinon, Maltën, Guinenë dhe Gambinë. Me Përfaqësuesen e San Marinos, Kosova do të luajë në stadiumin “Fadil Vokrri” më 1 qershor përpara se të udhëtojë jashtë kufijve.

Më 4 qershor do të përballet me Maltën në Austri, kurse në Antalia të Turqisë do të ndeshet me Guinenë (8 qershor) dhe Gambinë (11 qershor). Për dy ndeshjet e para, me San Marinon e Maltën, do të vlejë lista e parë që do të përbëhet kryesisht prej futbollistëve të Përfaqësueses A të Kosovës, kurse lista e dytë, në të cilën do të përfshihen lojtarët me më pak minutazhë dhe ata të Superligës, do të jetë për dy përballje tjera. Kështu ka thënë për KOHËN të mërkurën, menaxheri i Përfaqësueses së Kosovës, Bajram Shala. Shala ka pranuar se muaji qershor do të jetë i ngarkuar me ndeshje, por kjo është bërë me kërkesën e Challandesit, pasi ka dëshiruar të ketë më shumë ndeshje në mënyrë që t’i shohë futbollistët potencial nga afër.

“Synimi ynë ka qenë që t’i japim mundësi edhe trajnerit që të ketë më shumë lojtarë për t’i parë nga afër gjatë kësaj periudhe. Dy ndeshje miqësore i kemi pasur obligative për muajin e ardhshëm, por kemi kërkuar të kemi më shumë për t’u dhënë mundësi të gjithë lojtarëve që do të përfshihen në dy listat e përzgjedhësit Challandes”, është shprehur Shala. “Për këto ndeshje do të jenë dy lista, njëra për dy ndeshjet e para dhe tjetra për dy ndeshjet tjera. Lista e parë do të publikohet të hënën, kurse e dyta pas disa ditësh. Grumbullimi nis më 28 maj në Prishtinë pasi ndeshjen e parë do ta luajmë në stadiumin ‘Fadil Vokrri’ për të vazhduar pastaj me duelet tjera që na presin jashtë”.

Në listat për këto katër ndeshje pritet të ketë emra të rinj, por do të përfshihen edhe futbollistë nga Superliga e Kosovës. Në fakt, Challandes kohët e fundit ishte shumë aktiv duke përcjellë disa prej dueleve të elitës së futbollit kosovar nga afër. Këtë e ka pranuar edhe menaxheri Shala.

“Pra, prej dy ndeshjeve të parapara, janë bërë katër. Kështu që, përzgjedhësi Challandes krahas ekipit A, do ta ketë mundësinë për të parë edhe lojtarët tjerë që luajnë në Evropë, por nuk kanë pasur minutazhë, si dhe ata të Superligës”, është shprehur Shala. “Përzgjedhësi Challandes kohët e fundit ka qenë i pranishëm në disa prej stadiumeve të Kosovës për t’i parë nga afër ndeshjet e Superligës. Kështu që, në lista do të ketë edhe lojtarë të Superligës, por edhe të tjerë që bëjnë karrierë në Evropë. Natyrisht, që besoj se nuk do të mungojnë edhe risitë për shkak se është momenti ideal për të pasur më shumë lojtarë të ftuar”.

Sa i përket ndeshjes me San Marinon, ajo, sipas të gjitha gjasave, do të zhvillohet prapa dyerve të mbyllura për shkak të masave kundër COVID- 19, por në Federatën e Futbollit të Kosovës (FFK) kanë pranuar se nëse do të ketë ndonjë vendim të ri nga institucionet përkatëse, atëherë nuk do të hezitojnë për t’i hapur dyert për një numër të limituar mbështetësish që do të ktheheshin në tribuna pas më shumë se një viti.

“Nuk ka ndonjë ndryshim, pra do të luhet pa tifozë, por do të shohim se si do të rrjedhin gjërat ditëve në vazhdim”, u shpreh Shala.

Në fakt, FFK-ja të martën njoftoi se Përfaqësueses së Kosovës i janë ndërruar dy prej katër kundërshtarëve të qershorit. Në vend të Kazakistanit, ndeshje e paraparë të luhej në Kosovë, “Dardanët” do të përballen me Maltën në Austri. Ndërsa, Përfaqësuesen e Komorosit e kanë ndërruar me atë të Guinesë.