Sport

Challandes: Kampanjën e fundit e kemi lënë prapa, synojmë lojëra të mira dhe sa më shumë pikë

Bernard Challandes është duke punuar për listën e lojtarëve. Ai përcjell shumë ndeshje të lojtarëve të Kosovës, por edhe ndeshje të kaluara të kundërshtareve të ardhshëm. E di që është sfiduese të mbledhë lojtarët më të mirë për shkak të koronavirusit, por është optimist për ndeshje të mira, ndonëse grupi është i vështirë. Challandesi nuk është lëshuar në parashikime për pozitën eventuale të Kosovës në fund të eliminatoreve për Botërorin 2022

Prishtinë, 4 mars – Brenda dhjetë ditësh, përzgjedhësi i Kosovës në futboll, zvicerani Bernard Challandes, do ta publikojë listën e lojtarëve në të cilët llogarit për ndeshjet e këtij muaji. Kosova do ta nisë grumbullimin më 22 mars, kurse brenda një periudhe prej dhjetë ditëve do t’i zhvillojë tri ndeshje - një miqësore dhe dy të tjera në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Botëror “Katari 2022”.

Për Kosovën do të jenë ndeshjet e para për këtë vit dhe pas pushimit prej katër muajve. Challandesi shpreson se “Dardanët” të jenë të gatshëm për këtë cikël eliminator, ndonëse thotë se është vështirë që në këtë kohë të garantohet një gjë e tillë.

“Nuk është e lehtë që në këtë situatë që po ndryshon nga momenti në moment të përgjigjem për lojtarët. Pikërisht për shkak të virusit duhet të shohim nëse ekipi do të jetë i gatshëm për këtë cikël dhe ndeshjet e para që do t’i luajmë këtë muaj. Nuk do të jetë lehtë, sepse kemi më shumë se dy javë deri te ndeshja e parë, por mendoj dhe shpresoj se gjërat do të shkojnë mirë në përgjithësi”, ka thënë Challandesi të enjten në një intervistë për KOHËN.

Kosova më 24 mars do ta luajë miqësoren kundër Lituanisë në stadiumin “Fadil Vokrri”, përpara se të nisë zyrtarisht ciklin eliminator të Botërorit “Katari 2022” në të njëjtin stadium kundër Përfaqësueses së Suedisë katër ditë më vonë – më 28 mars. Ndërsa më 31 mars, Kosova do të jetë mysafire e Spanjës në ndeshjen e dytë në kuadër të Grupit B, të cilin e përbëjnë edhe Greqia e Gjeorgjia.

Miqësorja kundër Lituanisë do të jetë shumë e rëndësishme për përzgjedhësin Challandes. Madje, ai këtë ndeshje nuk e quan në asnjë mënyrë miqësore, por testuese dhe thotë se gjasat janë të mëdha që lista e tij për këtë muaj të ketë të përfshirë më shumë se 23 futbollistë. Por, nuk ka dashur të zbulojë nëse do të ketë ndonjë emër të ri duke insistuar se gjithçka do të dihet kur ta publikojë listën.

Sulmuesi që po bën karrierë në Suedi, Astrit Selmani, pritet të jetë prurja e re e Kosovës për ndeshjet e këtij muaji. Futbollisti në një intervistë për KOHËN ka pranuar se ka kompletuar gjithë dokumentacionin e tij dhe është i gatshëm për debutim.

“Nuk është ndeshje miqësore, por test. Dueli me Lituaninë është mundësi e mirë për mua të testoj disa lojtarë, të cilët kanë pasur minutazhë më të vogël, por edhe të shoh të tjerët në përgjithësi pas disa muajve. Të shohim sistemin tonë të lojës, si dhe bazuar në këtë ndeshje të përcaktohem në një mënyrë për lojtarët që mund të luajnë kundër Suedisë. Pra, është një ndeshje e mirëseardhur për të gjithë”, insistoi Challandes. “Po pres edhe dhjetë ditë dhe pastaj do të vendosi se kush do të vijë për këto ndeshje. Kam vëzhguar mbi 30 lojtarë dhe ndoshta do t’i ftoj më shumë se 23 pasi do të na duhet të jemi të përgatitur për çdo situatë të mundshme”.

Fillimi i vështirë

Challandesi pranon se dy ndeshjet e para janë shumë të vështira pasi Kosova përballet me favoritët e grupit. Si Suedinë ashtu edhe Spanjën i vlerëson lart. Janë përfaqësuese që këtë vit do të marrin pjesë në Kampionatin Evropian. Trajneri zviceran thotë se i ka analizuar të dyja ekipet dhe pothuajse i ka përcjellë të gjitha ndeshjet e tyre që i kanë zhvilluar në eliminatoret e Evropianit dhe shton se nuk do të jenë aspak përballje të lehta. Mirëpo, Challandesi pret që futbollistët e tij të angazhohen, të mos dorëzohen dhe të japin më të mirën nga vetja për ta prezantuar Kosovën si një ekip të bashkuar.

“Kemi përballë kundërshtarë shumë të fortë, Suedinë dhe Spanjën. Megjithatë, në grup edhe Greqia është ekip i mirë pasi tashmë e njohim. Suedinë e kam përcjellë shumë dhe mund të them se ka treguar lojëra shumë të mira. Ekip i kompletuar në çdo aspekt që ka luajtur shumë mirë me kundërshtarë të fortë, si Kroacia, Portugalia e Franca. Luan futboll të mirë, ka lojtarë të fortë dhe përfundimisht do të jetë një ndeshje shumë interesante”, është shprehur Challandesi. “Ndërkohë, Spanja është qartazi ekipi më i fortë në botë, i cili e ka mposhtur 6:0 Gjermaninë. Ekip ofensiv me cilësi të mëdha që po ashtu ka një mbrojtje perfekte dhe bën presion të madh. Spanja mbetet favorite e grupit, por do të jetë mundësi të luajmë mirë kundër një ekipi të madh”.

Sa u përket synimeve të Kosovës në këto eliminatore, Challandesi thotë se nuk mund ta përcaktojë pozitën që Kosova mund ta ketë në grup në fund të këtij cikli pasi nuk do të ishte korrekte. Megjithatë, beson në paraqitje dukshëm më të mira sesa në kampanjën e fundit të Ligës së Kombeve, të cilën pret që tashmë ta lënë prapa krahëve.

“Nuk ka një synim, si gjithmonë do të futemi njëjtë. Të luajmë si ekip me filozofinë tonë të lojës dhe të ngrihemi. Nuk është në rregull të caktojmë një pozitë në të cilën do të mund të përfundojmë. Mund të ëndërrojmë, por e rëndësishme është të kemi paraqitje të mira dhe të marrim pikë, sa më shumë pikë. Kënaqësi është të luajmë me Suedinë e Spanjën si ekipe të mëdha dhe të bëjmë një paraqitje të mirë. Do të insistojnë që të luajmë me mentalitetin tonë”, shtoi Challandesi. “Ta lëmë prapa kampanjën e fundit, me të cilën aspak nuk jam i kënaqur dhe pres që edhe lojtarët të veprojnë kështu. Jam optimist se në këtë cikël të ri do të kemi paraqitje të mira”.

Gjendja e lojtarëve

Sa i përket gjendjes së lojtarëve, Challandesi thotë se situata është e larmishme prej lojtarëve që kanë minutazhë e deri tek ata që nuk po luajnë. Por, ka edhe prej tyre që kanë ndërruar ekip, pastaj prej atyre që janë pjesë e skuadrave ku ende nuk ka filluar kampionati dhe ata që janë pjesë e kampionateve me orarin e ndeshjeve të ngarkuar.

“Situata me lojtarët nuk është e keqe, por nuk është edhe e mirë. I kam përcjellë lojtarët dhe ndeshjet e tyre vazhdimisht. Disa janë në formë të mirë dhe kanë minutazhë, disa kanë vështirësi dhe këtë e kam parasysh pasi është një situatë me të cilën jam përballur çdo herë. Flasë me lojtarët dhe e di që në këtë kohë ka kampionate që nuk kanë filluar ende, kurse ka edhe prej tyre me orare të ngjeshura të ndeshjeve. Pastaj, disa lojtarë kanë ndërruar klub e disa ende nuk kanë klub. E kur kësaj i shtohet edhe situata me virusin, atëherë e kupton se nuk është aspak e lehtë të dihet se cili prej tyre do të jetë i gatshëm”, tha Challandesi. “Është problem për shtetet e vogla si Kosova që të ketë 40 lojtarë të nivelit të njëjtë, kështu që duhet të mbështetemi në ata që i kemi dhe të vazhdojmë punën me besim të madh”.

Gjithashtu, Challandesi nuk është i sigurt nëse do t’i ketë të gjithë lojtarët që do t’i ftojë për këto ndeshje për shkak të situatës me pandeminë. Ai shpreson që këtë herë të mos e përjetojë situatën sikurse vitin e shkuar kur nuk arriti të llogariste në disa prej lojtarëve kryesorë të Kosovës, të cilët nuk u bashkuan për shkak se rrezikonin karantinimin kur të ktheheshin te klubet e tyre. Challandesi nuk përjashton mundësinë që të përsëriten episodet e vitit të shkuar dhe thotë se çdo gjë është e hapur në lidhje me këtë aspekt edhe pse pranon se do të ishte mirë dhe e rëndësishme që të gjithë futbollistët të jenë të pranishëm. Mirëpo, shton se asgjë nuk është në dorën e tyre në këtë kohë.

“Përfundimisht për mua si trajner është një kohë e vështirë për shkak të situatës me koronavirusin. Megjithatë, duhet të pranojmë dhe të adaptohemi me këtë situatë. Mund të them se jam i gatshëm për çdo situatë dhe gjithçka mbetet e hapur. Është e rëndësishme t’i kemi të gjithë lojtarët në dispozicion, por në rast se nuk do t’i kemi, atëherë do të vazhdojmë me ata që do të jenë pjesë e grumbullimit”, pranoi Challandesi.

Dëshira e madhe e përzgjedhësit të Kosovës është që në ndeshjet e këtij muaji, sidomos ato që zhvillohen në stadiumin “Fadil Vokrri”, të lejohet një numër i caktuar i “Dardanëve”. Ai pranon se një gjë e tillë duket shumë e vështirë. Sipas zviceranit, Kosova kur luan me praninë e tifozëve është ekip krejtësisht tjetër prej atij që luan në tribunat e zbrazëta.

“Shpresoj të kemi disa tifozë në tribuna, sepse kjo do të ishte e rëndësishme për ne pasi do të luanin pas një periudhe të gjatë në praninë e tyre. Mirëpo, nuk jam optimist aspak për këtë dhe më vjen shumë keq. Në Kosovë nëse luajmë me shikues, jemi dukshëm më të fortë”, deklaroi Challandesi.

Për Kosovën, kjo do të jetë hera e dytë që paraqitet në kualifikimet për Kampionatin Botëror. Cikli i parë eliminator ishte ai për botërorin “Rusia 2018”. Në këtë cikël kualifikues, Kosova pati dëshpëruar duke marrë vetëm një pikë në dhjetë ndeshje të zhvilluara. E nisi me barazim në udhëtim kundër Finlandës (1:1) para se t’i regjistronte nëntë humbje rresht dhe të përfundonte e fundit në grup.