Sport

Kosova mban stërvitjen e parë pa pesë lojtarë

Amir Rrahmani, Astrit Selmani, Bersant Celina, Florent Hadërgjonaj dhe mbrojtësi Lirim Kastrati ishin mungesat e Kosovës në stërvitjen e parë që e mbajti të hënën padite në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Pesë futbollistët munguan për shkak të angazhimit të tyre në klubet përkatëse, ndërsa 19 futbollistët tjerë zhvilluan stërvitje në grupe. “Dardanët” do t’i zhvillojnë tri ndeshje kualifikuese për kampionatin botëror “Katari 2022” në fillim të muajit të ardhshëm. Do të përballen fillimisht më 2 shtator ndaj Gjeorgjisë në Batumi, ndërsa në Prishtinë i luajnë dy ndeshje, atë kundër Greqisë më 5 shtator dhe 8 shtator ndaj Spanjës.

I pranishëm në stërvitje ishte edhe Milot Rashica që luan për Norwich Cityn e Premier Leagues së Anglisë. Por, Rashica do t’i mungojë “Dardanëve” në ndeshjen ndaj Gjeorgjisë. Ai nuk do të udhëtojë fare për shkak se Anglia e ka në zonë të kuqe Gjeorgjinë shkaku situatë së rënduar me koronavirus.

Pjesa tjetër e ekipit është raportuar se do të jetë e kompletuar. Stërvitja e mbajtur të hënën ishte e hapur për media vetëm 15 minuta. Nisi me një fjalim të zakonshëm të përzgjedhësit Bernard Challandes e më pas futbollistët u ndanë në grupe për nxehje.

Nga këndi ku mediat ishin të pozicionuara nuk vërehej puna që bënin lojtarët. Por, ajo që Challandes ka kërkuar nga futbollistët është punë me seriozitet të lart. Këtë e ka kërkuar qysh prej konferencës së mbajtur në mëngjesin e së hënës. Për ndeshjet e shtatorit, Challandesi nuk do të mund të llogarisë në Arbër Zenelin e Edon Zhegrovën që janë të lënduar si dhe për arsye të ndryshme mungojnë edhe Benjamin Kololli që është transferuar në Japoni si dhe Hekuran Kryziun dhe Idriz Vocën që janë ende pa klube.

Në dy ndeshjet e para, “Dardanët” kanë pësuar dy humbje në kuadër të Grupit G kualifikues për Botërorin “Katari 2022”. Humbi nga Suedia në Prishtinë me rezultat 3:0 si dhe u mposht nga Spanja si mysafire 3:1. Kjo është hera e dytë që Kosova po paraqitet në kualifikimet e Botërorit.

Herën e parë arrit një barazim me Finlandën dhe pësoi nëntë humbje në dhjetë ndeshje sa i zhvilloi në kuadër të kualifikimeve për Botërorin “Rusia 2018”. Të gjitha ndeshjet si vendase i kishte luajtur në “Loro Boriçi” të Shkodrës. Kualifikimet Kosova i mbyll në nëntor. Në tetor luan kundër Suedisë në udhëtim, kurse e pret Gjeorgjinë, ndërsa më 14 nëntor e luan ndeshjen e fundit ndaj Greqisë në Athinë.