Sport

Kosova nis ndaj Malit të Zi kualifikimet e Evropianit, që mbahet edhe në Serbi

Ndaj Malit të Zi i nis përfaqësuesja e Kosovës në volejboll (femrat) kualifikimet për “EuroVolley 2021”. Volejbollistet e Kosovës të enjten kanë udhëtuar për në Podgoricë, ku i luajnë tri ndeshjet e para kualifikuese.

Të premten nga ora 20:00 është ndeshja Mali i Zi – Kosova. Prej orës 17:00 nis takimi Finlanda – Sllovakia.

Evropiani për volejbolliste mbahet prej 18 gusht deri më 4 shtator në Serbi, Bullgari, Kroaci e Rumani.

Në bazë të suksesit në Evropianin e kaluar janë kualifikuar edhe Turqia, Italia, Polonia, Holanda, Gjermania, Rusia, Belgjika e Azerbajxhani.

Në kualifikime paraqiten 23 përfaqësuese evropiane, që janë të ndara në gjashtë grupe. Dy të parët në secilin grup kualifikohen në Evropian.

“Duhet të japim maksimumin dhe unë besoj në këto vajza. Besoj që do të japin më të mirën në këtë kampanjë kualifikuese”, ka thënë përzgjedhësi i Kosovës, Lorik Ilazi.

“Kosovën do ta përfaqësojmë ashtu siç e meriton. Emri të cilin e mbajmë do të shndrisë nga dëshira për atë që do ta bëjmë për këtë fanellë”, ka thënë Dhuratë Sylejmani, njëra prej lojtareve kryesore të Kosovës.

Të gjitha volejbollistet kanë dhënë deklarata inspiruese dhe ato janë shfaqur të motivuara para udhëtimit për në Podgoricë. Për dy javë volejbollistet e Kosovës janë përgatitur në Istog, ku është vlerësuar të jetë bërë punë e mirë.

Por në mungesë të përvojës, Kosova është autsajdere e grupit. Vajzat kanë premtuar se do të angazhohen maksimalisht.

Të shtunën është ndeshja me Sllovakinë (17:00), ndërsa të dielën me Finlandën. Ndeshjet e tjera të Grupit D janë prej 13 deri më 15 maj në Sllovaki. Atje Kosova nis me Finlandën, vazhdon me Sllovakinë dhe i mbyll kualifikimet me Malin e Zi.

Te Mali i Zi llogarisin në fitore ndaj Kosovës, njëjtë si te Sllovakia e Finlanda.

“Ndeshjen e parë e kemi ndaj Kosovës, të premten. Jemi favoritë në këtë ndeshje dhe shpresoj se do të shkojë ashtu si kemi planifikuar. Më pas na presin ndeshje më të vështira, por shpresoj se do ta shfrytëzojmë rastin që e kemi, pasi luajmë në shtëpi”, ka thënë Jelena Cvijoviq, pranuese e shërbimit në përfaqësuesen e Malit të Zi.

“Ndeshjen e parë e kemi të premten ndaj Kosovës dhe shpresoj që jemi favoritë. Na duhet fitorja që të motivohemi për dy ndeshjet e tjera që i kemi. Shpresojmë që të kemi suksese dhe të kualifikohemi në Evropian”, ka thënë volejbollistja tjetër e Malit të Zi, Mina Dragoviq.