Kosova ka bërë rrugëtim të gjatë e të mundimshëm për në Baku të Azerbajxhanit. Dhe nga atje, basketbollistët e Kosovës shpresojnë që të kthehen me një tjetër fitore. Ata janë zotuar se do të luftojnë për njëri-tjetrin dhe të korrin një tjetër sukses, në ndeshjen e dytë të fazës së parë parakualifikuese për Kupën e Botës 2027.
Kështu ka thënë të shtunën Drilon Hajrizi, që tash e shumë vjet është prej lojtarëve më të mirë vendor.
Ndeshja mes Azerbajxhanit dhe Kosovës do të zhvillohet të dielën në orën 11:00 në “Sarkhadchi Sport Center” të Bakusë.
Hajrizi ishte më i miri te “Dardanët” në ndeshjen e parë të zhvilluar në Pallatin e Rinisë dhe të Sporteve në Prishtinë përballë Irlandës.
Pati 20 pikë të realizuara, ndërsa kontribuoi edhe me nëntë kërcime e tri asistime, në fitoren 83:76 të Kosovës përballë irlandezëve.
“Jemi munduar që t’i marrim të gjitha masat që ekipi të jetë sa më i gatshëm për këtë ndeshje. Me të vërtetë jemi duke u përgatitur shumë mirë dhe atmosfera është shumë e mirë. Kështu që shpresoj se do të luftojmë për njëri-tjetrin, njësoj si në ndeshjen e kaluar, ta luajmë të njëjtën lojë. Do të luajmë për gjithë Kosovën, në mënyrë që t’i bëjmë të gjithë krenar dhe të dalim me rezultat pozitiv edhe nga kjo lojë”, ka deklaruar Hajrizi për faqen zyrtare të Federatës së Basketbollit të Kosovës.
Synimin e njëjtë, fitoren, e ka edhe në duelin e dytë ndaj Azerbajxhanit.
“Pas një rrugëtimi të gjatë kemi mbërritur në Azerbajxhan. Sot e kemi bërë stërvitjen e parë dhe kemi filluar përgatitjet për duelin ndaj Azerbajxhanit. Stërvitja ka shkuar mjaftë mirë. Atmosfera në ekip është mjaftë e mirë. Nesër shpresojë që me fitore të kthehemi në Kosovë”, deklaroi Gëzim Morina.
Azerbajxhani në ballafaqimin e parë humbi nga Zvicra, 72:53, po të enjten.
Në këtë ballafaqim luajti edhe basketbollisti i Partizanit të Beogradit, Zach LeDay, amerikani me përvojë të madhe.
Ai ishte basketbollisti më efikas te skuadra e Azerbajxhanit në humbje me 22 pikë të realizuara, gjashtë kërcime e tri asistime.
Por, nuk do të luajë kundër Kosovës, pasi është kthyer në Beograd.
“Zach LeDay kthehet në Beograd dhe nuk do të luajë për seleksionin e Azerbajxhanit ndaj të ashtuquajturës Kosovë. Ky vendim u mor para se basketbollisti i Partizanit të shkonte për të debutuar për reprezentacionin e ri”, kishte shkruar të premten sajti beogradas “mondo.rs”.
Në mungesë të LeDayt, Kosova do ta ketë mundësinë që ta arrijë një tjetër sukses në kualifikimet për në Botërorin 2027.
Por garën në Grupin A, mund ta bëjë me Përfaqësuesen e Zvicrës.
Në Grupin A aktualisht, prijnë Zvicra e Kosova.
Me helvetikët, Kosova më 21 nëntor do të luajë në udhëtim, ndërsa më 24 nëntor luan në udhëtim sërish, por te Irlanda.
Dy ndeshjet e fundit të këtij cikli kualifikues, Kosova do t’i zhvillojë në shkurt të vitit të ardhshëm.
Vetëm fituesit e tri grupeve avancojnë në raundin e dytë kualifikues për Kupë të Botës 2027. Avancon edhe vendi i dytë me bilancin më të mirë.