Me mungesa të theksuara në përbërje, Përfaqësuesja e Kosovës në basketboll synon ta mposhtë Sllovakinë në kuadër të parakualifikimeve për Kampionatin Botëror të vitit 2023.
Kosova të enjten në palestrën “Eurovia Arena” në Bratislavë prej orës 19:00 do të përballet me Sllovakinë në kuadër të Grupit B të parakualifikimeve të Evropës. Kjo është ndeshja e parë ndërmjet këtyre dy skuadrave në këto parakualifikime dhe i takon xhiros së tretë. Në fakt, të gjitha ndeshjet e kësaj xhiroje do të zhvillohen në Bratislavë dhe në kushte karantine për shkak të situatës me pandeminë COVID-19.
Kosova i prin grupit me katër pikë pas fitoreve ndaj Islandës e Luksemburgut që ishin të parat në këto parakualifikime dhe u zhvilluan në muajin shkurt të këtij viti. Në Bratisllavë, Kosova ka udhëtuar me mungesa dhe prej të martës është stërvitur atje pas përgatitjeve disaditëshe që i pati në Kosovë nën urdhrat e përzgjedhësit Christos Marmarinos. “Dardanët” nuk kanë ftuar asnjërin prej amerikanëve të natyralizuar për këtë xhiro derisa mungojnë edhe Dardan Berisha, Gëzim Morina e Samir Zekiqi. Erjon Kastrati i është bashkuar ekipit të martën në Bratisllavë derisa Drilon Hajrizit i është besuar shiriti i kapitenit. Dy ditë pas ndeshjes me Sllovakinë, Kosova do të përballet edhe me Islandën. E pavarësisht fondit të lojtarëve, kapiteni Hajrizi është optimist për duelin me Sllovakinë.
“Me fondin që kemi do të mundohemi të japim maksimumin. Natyrisht, nuk është e lehtë pasi pandemia ka shkaktuar probleme, jo vetëm tek ne, por në të gjithë botën. Megjithatë, me këto probleme përballen edhe ekipet kundërshtare, ndonëse nuk e kemi 12-shen e tyre. Ne do të japim maksimumin pavarësisht se kush luan dhe nëse e bëjmë këtë, atëherë mund të kemi edhe rezultat pozitiv”, ka thënë Hajrizi.
Edhe përzgjedhësi i Kosovës, Christos Marmarinos, ka pranuar se dy ndeshjet e këtij muaji do të jenë të vështira por momentalisht fokusi i “Dardanëve” është tek dueli me Sllovakinë. Marmarinos pret paraqitje të mirë dhe angazhim maksimal të lojtarëve të tij. Në listën prej 13 lojtarëve të ftuar për duelet që luhen në Bratislavë, 11 prej tyre janë nga Superliga e Kosovës. Vetëm Erjon Kastrati e Mikaile Tmushiq luajnë jashtë kufijve, në Slloveni përkatësisht Mal të Zi.
“Do të jenë ndeshje të vështira. Në garat ndërkombëtare nuk ka ndeshje të lehta. Nuk presim ndeshje të lehta. Sllovakia ka gjatësi më të madhe se ne, por duhet të adaptohemi dhe të paraqitemi në mënyrën më të mirë të mundshme. Ne e kemi mundur Islandën një herë dhe sigurisht se mund ta bëjmë përsëri nëse jemi të fokusuar maksimalisht. Sigurisht se ajo që mund të garantojmë është angazhimi ynë maksimal”, është shprehur Marmarinos për faqen zyrtare të Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK).
Sllovakia është e treta në grup me tri pikë, sa i ka edhe Islanda që renditet e dyta në tabelë, derisa pozitën e fundit e mban Luksemburgu me dy humbje në po aq ndeshje të luajtura. Para ndeshjes së Kosovës me Sllovakinë, në të njëjtën palestër do të zhvillohet dueli ndërmjet Islandës dhe Luksemburgut që nis në orën 16:00. Dy ditë pas përballjes me Kosovën, Sllovakia do të luajë kundër Përfaqësueses së Luksemburgut por te sllovakët fillimisht janë të fokusuar te dueli i së enjtes. Sllovakia dhe Kosova kanë zhvilluar dy ndeshje miqësore vitin e shkuar dhe në të dyja duelet kanë triumfuar sllovakët (85:79, 82:65), që po shpresojnë në fitore edhe në duelin zyrtar. Në rast se Kosova e fiton Sllovakinë, atëherë do të bëjë një hap të madh për të avancuar tutje dhe te Sllovakia këtë e kanë parasysh.
“Miqësoret ishin ndeshje të tjera, kurse kjo është ndeshje shumë e rëndësishme si për ne ashtu edhe për Kosovën. Jemi përgatitur mirë gjatë kësaj periudhe dhe besoj se jemi të gatshëm për sfidën e parë që nuk do të jetë e lehtë, pavarësisht mungesave të rëndësishme që ka Kosova. Duhet të japim gjithçka nga vetja, të jemi maksimalisht dhe të luajmë si ekip për të fituar”, ka thënë ndihmëstrajneri i Sllovakisë, Michal Madzin, të mërkurën për mediumet sllovake.