Presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK), Ismet Krasniqi, vlerësoi të arriturat e sportit të xhudos. Në fjalimin e tij në Asamblenë e Punës së KOK-ut tha se viti 2021 ishte viti më i suksesshëm në histori të sportit të Kosovës, falë sukseseve të xhudos. Ai u është referuar dy medaljeve të arta të fituara nga Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova në lojërat olimpike “Tokio 2020” të mbajtura vitin e kaluar.
“Jemi mbledhur sot për të përmbyllur vitin 2021, vitin më të suksesshëm në histori të sportit të Kosovës. Krahas ndryshimeve që u bënë në Asamblenë Zgjedhore të 25 marsit të vitit 2021, ku me votat e juaja i thatë po ndryshimit në udhëheqjen e Komitetit Olimpik të Kosovës, viti 2021 solli edhe suksese të tjera të shumta. Pa dyshim se suksesi madhështor u arrit në Lojërat Olimpike të Tokios, ku me 11 sportistë, prej tyre gjashtë me normë olimpike, arritëm të kthehemi me dy medalje të arta olimpike, të fituara nga xhudistet Distria Krasniqi e Nora Gjakova, triumf ky për të cilin merita të mëdha ka trajneri më i mirë në botë për xhudo, Driton Kuka”, tha Krasniqi.
Përshëndeti edhe fituesen e parë të medaljes së artë olimpike në “Rio 2016”, Majlinda Kelmendi, që të martën ishte në cilësinë e delegates nga Komisioni i sportistëve. Ish-xhudistja Kelmendi ishte e ulur pranë tre delegatëve të Federatës së Xhudos, kryetarit Agron Kuka dhe dy delegatëve të tjerë, Fatos Tabakut e Linda Cenës. Majlinda, Kuka, Tabaku, Cena ishte katër prej 24 delegatëve të federatave të ndryshme sportive që lëshuan të pakënaqur Asamblenë e Punës së KOK-ut. Asambleja e Punës, që ka zgjatur për rreth tri orë, është kontestuar nga delegatët e pakënaqur. Në fakt, mediat u lejuan të marrin vetëm pamjet e pjesës ceremoniale, ku me fjalim fillimisht iu drejtua delegatëve presidenti aktual Ismet Krasniqi dhe më pas edhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku.
KOHA ka kontaktuar me disa nga delegatët që lëshuan Asamblenë e Punës. Asambleja e Punës së KOK-ut është cilësuar nga disa delegatë si i paligjshme. Sipas tyre, u është mohuar e drejta e kërkesës që në rend të ditës të shtohet pika për
“votëbesim ndaj Bordit ekzekutiv dhe kryetarit të KOK-ut”. Votëbesimi është kërkuar nga tri federata sportive të vendit. Bëhet fjalë për Federatën e Notit të Kosovës, Çiklizmit dhe Kikboksit. Votëbesimi nënkupton rikonfirmimin e përkrahjes së delegatëve për drejtuesit e organizatës. Por kërkesa e tri federatave nuk është futur në rend të ditës. Në fakt, KOK-u kishte refuzuar dy herë kërkesën e federatave për votëbesim. Përgjigjen në emër të KOK-ut, për të paktën dy federata e ka dhënë Besim Aliti, sekretar i përgjithshëm i Komitetit Olimpik të Kosovës. Por është ish-sekretari i KOK-ut, Shasivar Haxhijaj, që thotë se në Asamblenë e Punës së KOK-ut është shkelur demokracia, ndërsa nga ana tjetër është thënë se termi “votëbesim” nuk parashihet në Statutin e KOK-ut. Respektivisht neni 11 i këtij statuti parasheh shpërbërjen e Asamblesë, për çka nevojitet paraprakisht rezoluta apo propozimi i pranuar i së paku nga dy të tretat e delegatëve të votuesve prezentë. Haxhijaj është delegat i Federatës së Lundrimit të Kosovës.
“Çka ka ndodhur në Asamblenë e KOK-ut është e pazakontë. Nuk i ka ndodhur asnjëherë që prej themelimit të KOK-ut. Çdo gjë që ka qenë pas fjalimit të presidentit të KOK-ut dhe ministrit ka qenë antiligjore, jodemokratike, e dhunshme në kuptimin që të mos u jepet e drejta e fjalës njerëzve, të mos lejohet të shtirret debati sipas rregullores së punës të Asamblesë, të mos interpretohet në mënyrë të drejtë Statuti i KOK-ut. Është shqetësuese çka i ka ndodhur lëvizjes olimpike. Por një apo dy anëtarëve të Asamblesë nuk u është lejuar fare të marrin fjalën për kërkesën e federatave që kanë kërkuar të futet në rendin e ditës së Asamblesë së Punës”, ka thënë Haxhijaj për KOHËN të mërkurën.
Ai ka insistuar se Asambleja e Punës është e jashtëligjshme dhe ka paralajmëruar se mund të ndiqen hapa të ardhshëm.
“Ky kuvend komplet është i jashtëligjshëm dhe nuk mundet askush në botë ta njohë si të ligjshëm përderisa nuk janë respektuar normat statutare dhe rregullores së punës së Asamblesë së Punës”, është shprehur Haxhijaj, duke shtuar se në Asamble kanë marrë pjesë pesë delegatë pa të drejtë vote. “Kanë marrë pesë delegatë pa të drejtë vote dhe kanë votuar vendimet që ka tentuar t’i marrë jashtëligjshëm Ismet Krasniqi dhe Bordi Ekzekutiv. Janë Federata e Pentatlonit Modern dhe ajo e Kalërimit që nuk kanë pasur të drejtë vote, por që kanë marrë pjesë në proces të votimit”.
Bordi aktual në krye me presidentin Krasniqi është zgjedhur më 25 mars të vitit të kaluar. Krasniqi rrëzoi Besim Hasanin pas 25 vjetësh në krye të KOK-ut.