Sport

Komiteti Olimpik përkrah ankesën ndaj Federatës së Notit: Hana Beiqi të ftohet për Botëror

Notarja Hana Beiqi duhet të jetë në Kampionatin Botëror të sporteve të ujit, që prej 2 deri më 18 shkurt mbahet në Doha të Katarit. Ky është qëndrimi i Komitetit Olimpik të Kosovës, që është bërë i ditur për KOHËN përmes një përgjigjeje me shkrim të hënën.

Komiteti Olimpik i Kosovës ka paraqitur qëndrimin pas ankesës që klubi i sporteve të ujit, Otrila, e ka bërë ndaj Federatës së Notit të Kosovës. Ankesa e klubit Otrila ndaj FNK-së është bërë në Komitetin Olimpik të Kosovës dhe në Departamentin e Sportit të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Ky klub është ankuar me pretendimin që Federata e Notit e Kosovës po e diskriminon notaren e talentuar Hana Beiqi. Me ankesën e bërë në fundjavë janë njoftuar edhe mediat.

Të hënën Komiteti Olimpik i Kosovës për herë të parë është deklaruar lidhur me pretendimet e klubit Otrila që Hana Beiqi po diskriminohet nga Federata e Notit e Kosovës, përkatësisht drejtuesit e saj.

“KOK-u ka pranuar me shqetësim ankesën nga KSU Otrila në lidhje me notaren Hana Beiqi, e cila bazuar në rezultatet e vitit të kaluar është sportiste kulmore, me të ardhme të ndritur në sportin e notit dhe potencial për të hyrë në listën e bursistëve të KOK-ut për Lojërat Olimpike ‘Paris 2024’. Kur kanë mbetur më pak se gjashtë muaj deri në LO ‘Paris 2024’, KOK-u krahas 22 bursave olimpike po bën çmos të mbështesë sportistët dhe federatat sportive që t’i dërgojnë sportistët më të mirë në përgatitje jashtë vendit, në mënyrë që në Lojërat Olimpike të marrin pjesë sportistët me rezultatet më të mira”, shkruan në përgjigjen me shkrim të KOK-ut.

Klubi Otrila, ndër të tjera, është ankuar që 15-vjeçares nuk po i mundësohet paraqitja në Botëror, ndonëse këtë, sipas klubit dhe KOK-ut, e meriton.

Komiteti Olimpik ka konfirmuar se pa pjesëmarrje në Botëror, Beiqi e ka të pamundur të paraqitet në Lojërat Olimpike në Paris, edhe nëse i ka rezultatet më të mira prej notarëve kosovarë. Kjo vlerësohet se do të ishte goditje e rëndë për karrierën e notares së talentuar.

“Është etike që një sportisteje me potencial të tillë, siç është Hana, t’i mundësohet nga FNK-ja pjesëmarrja në Kampionatin Botëror në Doha, që është kushti kryesor i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar për t’ia dhënë të drejtën një sportisti të marrë pjesë në Lojërat Olimpike, qoftë edhe me ftesë, nëse ka më së shumti pikë të FINA-s nga sportistët e tjerë të gjinisë së njëjtë. KOK-u dënon çdo diskriminim ndaj sportistes për t’ia humbur mundësinë e hyrjes në konkurrencë me sportistët e tjerë për të mbledhur pikë të FINA-s, për çka kërkojmë nga Federata ta rishqyrtojë vendimin e saj. Ia kujtojmë FNK-së rastet e mëparshme kur KOK-u ka luftuar diskriminimin ndaj sportistëve të federatave të ndryshme e posaçërisht ndaj notarëve. Nuk është e drejtë që tani udhëheqja e re e Federatës së Notit të veprojë njësoj, duke u hakmarrë me sportistët e saj”, ka vazhduar përgjigjja e KOK-ut për KOHËN.

Komiteti Olimpik ka paralajmëruar se ankesa për diskriminim ndaj Hana Beiqit do të shqyrtohet gjatë javës nga Bordi Ekzekutiv i KOK-ut.

Në ankesën e gjatë e me shumë detaje të klubit Otrila shkruan që FNK-ja nuk ka dhënë informata lidhur me pjesëmarrjen e notarëve të Kosovës në Kampionatin Botëror.

“Me gjasë FNK-ja edhe kësaj here ka për qëllim që të mos e përfshijë notaren tonë në ekipin pjesëmarrës të Kosovës në Kampionatin Botëror, ashtu sikur ka vepruar gjatë vitit 2023, edhe pse, sipas rezultateve të arritura deri më tani dhe pikëve FINA, sportistja duhet të garojë në këtë kampionat. FNK-ja si duket nuk do ta lejojë që të garojë në Kampionatin Botëror e që rrjedhimisht nënkupton që notares i pamundësohet edhe garimi në Lojëra Olimpike”, shkruan në ankesë të klubit Otrila.

Sipas ankesës, notares së re i është pamundësuar paraqitja në çdo garë ku FNK-ja e kishte të drejtën e caktimit të ekipit.

Sipas klubit Otrila, në gara kanë shkuar notare me rezultate më të dobëta se Hana Beiqi.

Në ankesë shkruan se për gara janë përzgjedhur kryesisht notarët e klubit STEP, që drejtohet nga kryetari i FNK-së, Agron Zeqiri. Në ankesë, që mori përkrahjen e KOK-ut, shkruan se Zeqiri ka favorizuar vajzën e tij.

“Për eliminim nga ekipet e Kosovës në garat ndërkombëtare dhe diskriminimin që i është bërë notares Hana Beiqi, në adresat elektronike të KOK-ut dhe MKRS-së janë dërguar ankesa të argumentuara me prova, por asnjëherë deri më sot s’ka reaguar askush për të ndalur këtë sjellje joligjore, jostatutare dhe diskriminuese të FNK-së”, shkruan tutje në ankesë.

Otrila ka paraqitur rekordet dhe rezultatet e Hanës, që i ka vlerësuar kulmore për Kosovën.

KOHA që të dielën i është drejtuar Federatës së Notit të Kosovës për një qëndrim lidhur me ankesën e klubit Otrila. FNK-së i ka shkruar edhe të hënën dhe është në pritje të një përgjigjeje të saj me shkrim.

Edhe më parë ka pasur akuza për diskriminim të notarëve, por edhe të sportistëve të tjerë në Kosovë. Qëndrimi i qartë i Komitetit Olimpik pritet të pasohet me zhvillime të tjera lidhur me rastin e notares Beiqi.