Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Kololli flet për pauzën më të madhe në karrierë

Kur Benjamin Kololli u lëndua në Lugano në mesin e dhjetorit, ishte golashënuesi më i mirë i FC Zuerichut. Tani Zuerichu shpreson që të kthehet në formë në Superligën e Zvicrës, fuqishëm bashkë me Kolollin që mungoi për një kohë të gjatë.

Rikthimi i Benjamin Kolollit kundër Lausannes u bë pas saktësisht tre muajve. Kololli ka munguar më shumë se në gjysmën e sezonit, ndërsa ishte në formën më të mirë kur pësoi dëmtim. Futbollisti i krahut, deri në xhiron e 11-t në udhëtim te Lugano, pati shënuar katër gola e dy asistime. Pa “armën” në fazën ofenzive, Zuerichu mori vetëm katër fitore në 14 xhiro. “Jam shumë i lumtur që jam kthyer në fushë. Nuk jam ende 100% i përgatitur fizikisht, por kjo vjen me kohë. Do të bëj gjithçka që mundem që të marrim rezultate pozitive sërish. Dua me të vërtetë që të ngjitemi në top-treshe”, ka thënë Kololli për gazetën zvicerane “Blick”. “Lëndimet asnjëherë nuk jan të lehta, gjithmonë dëshiron që të jesh në fushë. Ka qenë kohë shumë e vështirë për mua. Në karrierë, nuk kam pasur asnjëherë mungesë kaq të madhe”, nënvizoi reprezentuesi i Kosovës, duke shtuar se lëndimi ka kaluar, por se është normale që pas tre muajsh, ka ngecje në ritmin e lojës. Megjithatë, ai shpreson që forma më e mirë të vijë shumë shpejtë. Kololli ishte në mesin e 27 futbollistëve të ftuar nga përzgjedhësi i Kosovës, Bernard Challandes, për ndeshjet e muajit mars.