Trajneri i Barcelonës, Ronald Koeman ka thënë se preferon t’u jap rastin lojtarëve të rinj pasi kishte lënë jashtë ekipit mesfushorin Miralem Pjaniq për ndeshjen ndaj Real Sociedadit që e fitoi 2:1.
Pjaniq iu bashkua Barcelonës verën e shkuar dhe e ardhmja e tij në “Camp Nou” është e dyshimtë për shkak se nuk bën pjesë në planet e klubit. Koeman tha se Pjaniq e di mirë situatën në ekip dhe se preferon lojtarët tjerë para tij. “I kemi 27 lojtarë dhe pothuajse të gjithë e kanë parasysh situatën e tyre në klub, përfshirë edhe Pjaniqin.
Jam trajner që gjithmonë ua jap rastin të rinjëve, të cilët janë e ardhmja e klubit”, tha Koeman. Pjaniq 31-vjeçar ka kontratë me Barcelonën deri në vitin 2024 dhe sezonin e shkuar, regjistroi 30 ndeshje në të gjitha garat. Së fundi, interesim për boshnjakun ka shprehur Juventusi, ekip për të cilin luajti katër sezone para se t’i bashkohet Barcelonës.