Liga e basketbollit ENBL para dy ditësh i ka dëshiruar mirëseardhje klubit nga Serbia, Dunav Stari Banovci. Më herët i kishte dëshiruar mirëseardhje edhe Sigal Prishtinës.
Por jo, klubi kosovar dhe klubi serb nuk do të luajnë në të njëjtën ligë, që do të ishte hera e parë. Të premten mediat në Serbi kanë njoftuar se klubi Dunav ka hequr dorë nga “European North Basketball League”. Arsyeja është natyrisht që një ekip nga Kosova është në këtë ligë.
ENBL-ja në faqen zyrtare nuk ka njoftuar për largimin e klubit serb. Ndërkohë nuk ka ndonjë njoftim as në faqen zyrtare të klubit serb. Por, largimi i klubit Dunav nga ENBL-ja është punë e kryer, ka shkruar “mozzartsport.com”.
“Ka pasur dëshirë anëtari i ligës së basketbollit të Serbisë, Dunav, që këtë sezon të debutojë në gara evropiane, të luajë në ENBL, që mbledh 16 ekipe nga Çekia, Lituania, Izraeli, Letonia, Estonia, Polonia, Ukraina dhe e ashtuquajtura Kosova. Ishte arritur marrëveshja për të gjitha. Por, nga kjo nuk ka asgjë. Arsyeja? Nëse Dunav do të luante, pasi grupet janë përcaktuar tashmë, në njërin prej grupeve do të ishte kjo skuadër me Sigal Prishtinën dhe do të duhej të luanin mes vete. Kjo do të ishte në kundërshtim me rregullat dhe ligjet jo vetëm të Federatës së Basketbollit të Serbisë, por edhe të shtetit tonë”, ka shkruar “mozzartsport.com”.
Sipas këtij mediumi, ENBL-ja ende nuk e ka marrë njohjen nga FIBA.
Sigal Prishtina kishte vendosur të luante në ENBL vetëm nëse nuk do të kalonte në fazën grupore të FIBA Europe Cup. Në FIBA Europe Cup, Prishtina nuk kaloi pengesën e parë dhe kështu konfirmoi se do të garojë në ENBL, ligë që e zhvillon edicionin e dytë, por që nuk dihet se kur do të fillojë.
ENBL-ja është përballur me mungesë skuadrash për edicionin e ri dhe ftesë u ka bërë të paktën dy skuadrave kosovare. Prishtina e ka pranuar atë.
Te Prishtina të enjten ishin shprehur të gatshëm të përballeshin me skuadrën nga Serbia. Por, kjo megjithatë nuk do të ndodhë. Dhe, me gjasë, duhet të kalojnë edhe shumë vjet para se skuadrat nga Kosova e Serbia të jenë në një ligë.
“Liga ENBL përbëhet prej superekipeve nga Evropa, përfshirë edhe nga Izraeli. Nga kjo anë e Evropës jemi kontaktuar edhe ne, që është meritë e brendit të Sigal Prishtinës, dhe me gjasë edhe klubet nga shteti fqinj, Serbia. Do të na vinte mirë nëse barrierat sportive ndërmjet Serbisë dhe Kosovës thyhen në këtë ligë. Ne do të fokusohemi tek ekipi ynë dhe përfaqësimi sa më i denjë në këtë garë”, ka thënë Burim Maraj, kryetar i klubit Prishtina.
Prishtina ndër vite ka shprehur interesim që të bëhet pjesë e Ligës së Adriatikut. Por, për shkak të ndikimit të madh serb në këtë ligë cilësore, klubet kosovare janë ende shumë larg saj.
Ekipet nga Kosova garojnë edhe në Ligën Ballkanike. Prejse Kosova është bërë pjesë e kësaj lige, ekipet nga Serbia nuk kanë garuar në të.
Liga e Adriatikut është nivel dukshëm më i lartë se Liga Ballkanike dhe ENBL-ja. Pjesë e saj janë ekipet më të mira nga shtetet e ish-Jugosllavisë.
Ekipet nga Kosova e Serbia nuk përballen as në gara evropiane. Ndryshe qëndron gjendja në sportet individuale, ku ka herë pas here përballje të sportistëve të Kosovës me ata të Serbisë.