Sport

Ende e pasigurt paraqitja e Prishtinës në ligën ENBL

Sigal Prishtina - basketboll

Ditë më parë Sigal Prishtina bëri të ditur se ka marrë ftesë zyrtare për pjesëmarrje në Ligën ENBL (European North Basketball League), ku paraqiten ekipe nga disa vende evropiane. Megjithatë, pjesëmarrja e Prishtinës në këtë ligë ende nuk është e sigurt.

Në klubin prishtinas kanë pranuar se dëshirojnë të marrin pjesë në këtë ligë, që është formuar vitin e shkuar. Për edicionin e ri të ENBL pjesëmarrjen tashmë e kanë konfirmuar skuadrat nga Lituania, Polonia, Estonia, Letonia, Çekia e Ukraina, ndërsa pritet të paraqiten 16 ekipe të ndara në dy grupe. Edicionin e shkuar morën pjesë tetë skuadra ( nga Letonia, Estonia, Polonia, Çekia, Bjellorusia, Rusia e Lituania), ndërsa titullin e fitoi Anwili i Polonisë.

Te Prishtina krahas pjesëmarrjes eventuale në ENLB League tashmë po bëhen gati edhe për paraqitje në raundin kualifikues të FIBA Europe Cup. Edhe nëse kualifikohet në fazën e grupeve të FIBA Europe Cup, Prishtina dëshiron që të paraqitet në ENBL League, por për këtë i duhet ndihmë në orar nga Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK), si dhe ndihmë financiare nga MKRS-ja dhe Komuna e Prishtinës.

Kështu ka insistuar drejtori sportiv i Prishtinës, Edmond Azemi, të premten, për KOHËN. Ai ka thënë se Prishtina është e gatshme që në edicionin 2022/23 të luajë në dy gara në arenën ndërkombëtare, por këtë pjesëmarrje duhet t’ia lehtësojë FBK-ja. Sipas tij, Prishtina do të bëjë kërkesë që të inkuadrohet më vonë në Superligën e Kosovës, saktësisht prej garave të plejofit. Këtë kërkesë do ta bëjë nëse arrin kualifikimin në fazën e grupeve të FIBA Europe Cup.

Me kualifikimin në këtë fazë, Azemi thotë se orari i Prishtinës do të jetë shumë i ngarkuar duke pasur parasysh edhe ndeshjet në ENBL League.

Në fazën kualifikuese të FIBA Europe Cup, Prishtina do të luajë në gjysmëfinale të grupit apo turneut B, i cili prej 27 deri më 30 shtator do të mbahet në Lituani. Prishtina në gjysmëfinale e pret fituesin e ndeshjes çerekfinale mes ekipeve Cedevita Junior (Kroaci) dhe Kalev/Cramo (Estoni). Nëse e kalon gjysmëfinalen, Prishtinës i duhet ta fitojë edhe ndeshjen finale për t’u konfirmuar në fazën e grupeve. Në finale Prishtina mund të takohet me njërën prej skuadrave Kapfenberg Bulls (Austri), SCMU Craiova (Rumani) dhe CBet Jonava (Lituania).

“Ne si bord i klubit kemi diskutuar për këtë çështje dhe synimi është të marrim pjesë në dy ligat, sigurisht nëse kualifikohemi në fazën e grupeve të FIBA Europe Cup, e që besoj se do t’ia dalim. Garimi në dy ligat do të ishte i mirë edhe për basketbollin e Kosovës duke pasur parasysh që në ENBL marrin pjesë ekipe prestigjioze”, është shprehur Azemi. “Megjithatë paraqitja në dy garat do të jetë ngarkesë e madhe për klubin duke pasur parasysh edhe pjesëmarrjen në Superligën e Kosovës. Kështu që ne do të kërkojmë nga FBK-ja të na mundësojë që të paraqitemi më vonë në kampionat, prej garave të plejofit, siç ndodh nëpër vendet e tjera kur ekipet luajnë në Evropë. Shpresojmë të hasim në mirëkuptim. Mirëpo, gjithashtu do të na duhet edhe përkrahje nga Ministria dhe Komuna e Prishtinës për shkak se shpenzimet do të jenë edhe më të mëdha”.

Në rast se nuk e arrin kualifikimin në FIBA Europe Cup, atëherë Prishtina do të fokusohet në ENBL League, ku do të luajë për herë të parë. Sipas Azemit, kjo është një ligë prestigjioze në të cilën sezonin e shkuar kanë marrë pjesë ekipe të forta, përfshirë edhe ato nga Rusia.

“Është një ligë me ekipe të forta të cilat në të shkuarën kanë luajtur edhe në Euroleague. Kështu që do të jetë mirë dhe e rëndësishme për ne të luajmë aty. Do të shohim fillimisht se çka do të bëjmë në kualifikimet e FIBA Europe Cup dhe pastaj të shohim se si do të shkojnë gjërat”, tha Azemi.

Në FBK kanë thënë se Prishtina ende nuk ka bërë kërkesë që sezonin e ri, i cili nis muajin e ardhshëm, t’i mundësohet paraqitja prej garave të plejofit, duke evituar pjesën e rregullt të sezonit.

Prishtina në fakt në vitet e kaluara ka humbur primatin në basketbollin kosovar. Ylli ka fituar titullin në dy edicionet e kaluara. Dhe është pak e besueshme që skuadrat tjera do të pajtohen që Prishtina ta nisë kampionatin prej fazës së plejofit.

Nga FBK-ja kanë lënë të kuptohet se një kërkesë e tillë vështirë do të kalojë.

“Ne ende nuk kemi pranuar kërkesë të tillë nga Prishtina dhe nuk mund të japim një përgjigje të prerë pa e marrë kërkesën. Po ashtu, Bordi i FBK-së tashmë e ka miratuar kalendarin e garave për sezonin e ri dhe ua kemi dërguar të gjitha ekipeve”, ka thënë sekretarja e përgjithshme e FBK-së, Elvira Dushku.

Krahas Prishtinës në turneun kualifikues të FIBA Europe Cup do të paraqitet edhe nënkampionia e sezonit të shkuar, KB Trepça. Madje, Trepça ka fituar të drejtën e organizimit të turneut A, i cili do të mbahet në palestrën “Minatori” në Mitrovicë. Trepça në çerekfinale do të luajë me Gottingenin e Gjermanisë. Ndërkohë Golden Eagle Ylli do të paraqitet në raundin kualifikues të Ligës së Kampionëve që mbahet prej 21 deri më 25 shtator. Ylli është pjesë e Grupit C kualifikues që do të luhet në Lisbonë, ndërsa në çerekfinale do të përballet me Benfican.