Transferimi multimilionësh i Robin Olsenit nga skuadra e Copenhagenit te Roma ka siguruar një “infuzion” të papritur për një klub të divizioneve të ulëta, ku portieri i Përfaqësueses së Suedisë mori hapat e parë.
Ekipi nga Malmo, Bunkeflo FF, që bën gara në kategorinë e tetë të Suedisë, zakonisht ka telashe të mëdha financiare, por falë transferimit të Olsenit do t'i shkojnë në xhirollogari 60 mijë euro, shkruan Reuters, transmeton “Koha Ditore”.
Si njëri prej skuadrave ku Olsen ka luajtur dhe është zhvilluar si i ri - Bunkeflos, bazuar në pagesat e solidaritetit sipas rregullave të FIFA-s, i takojnë 60 mijë euro. Olsen u transferua te Roma për 8.5 milionë euro, shumë që mund të rritet deri në 12 milionë euro me bonuse. Ai te skuadra nga Serie A do të zëvendësojë brazilianin Alisson Becker që iu bashkua Liverpoolit për 75 milionë euro.
Pesë për qind nga dëmshpërblimi që pagoi Roma për Copenhagenin do të shpërndahen nëpër klubet ku Oslen ka marrë hapat e parë, përfshirë edhe Bunkeflon. Ky shpërblim është i mirëseardhur për një klub, i cili e krijon buxhetin nga anëtarësimi i lirë, sponsorët lokalë dhe shitja e hot-dogëve e kafeve gjatë ditëve të ndeshjes.
“Kjo është një shumë e madhe për ekipin tonë dhe do të na ndihmojë shumë sidomos në aspektin e sigurisë dhe fleksibilitetit. Të gjithë në klub jemi të gëzuar, në veçanti fëmijët që ëndërrojnë që një ditë të bëjnë një transferim të madh sikurse Olseni”, është shprehur kryetari i Bunkeflo FF, Calle Wadenhammar. “Me këtë përqindje që e kemi përfituar nuk besoj se do të kemi probleme për një kohë” ... (më gjerësisht lexoni sot në “Koha Ditore”)