Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Klinsmanni në hall, Koreja e Jugut nuk di për fitore nën drejtimin e tij

Juergen Klinsmann është munduar ta mbronte startin e tij negativ në krye të Koresë së Jugut. Legjenda gjermane nuk e ka regjistruar asnjë fitore në katër ndeshje prejse ka marrë detyrën e selektorit të Koresë së Jugut duke e zëvendësuar portugezin Paulo Bento.

Klinsmann e emërua selektor i Koresë së Jugut në muajin shkurt dhe deri më tani ka regjistruar dy barazime dhe dy humbje. Përfaqësuesja jug-koreane po tenton ngritjen pas arritjes deri në fazën nokaut të Botërorit “Katari 2022”. Nën urdhrat e Bentos, Koreja e Jugut avancoi nga faza e grupeve për t’u eliminuar në 1/8 e finales nga Kroacia me penallti.

Në ndeshjen e parë të Klinsmannit në krye, Koreja e Jugut barazoi me Kolumbinë, përpara se të vinin humbjet nga Uruguai e Peruja. Ndërkohë, ditë më parë Koreja e Jugut luajti 1:1 kundër El Salvadorit në ndeshjen e fundit miqësore të këtij muaji.

“Shpresoj që ta përmirësoj këtë bilanc negativ sa më shpejt që të jetë e mundur për shkak se jam i bindur se është dashur t’i fitonim katër ndeshjet deri më tani. Pra, nuk e kam menduar një bilanc të dobët kur mora detyrën e trajnerit dhe po ashtu se do të isha në këtë pozitë që jam tani pas katër muajve”, ka thënë Klinsmann të enjten në një konferencë për shtyp të mbajtur në Seul. “Jo vetëm një apo dy, por në të katër ndeshjet ishim shumë më të mirë dhe luajtëm një futboll impresionues. Mirëpo, nuk e di se çfarë ndodhi dhe i rreshtuam këto rezultate të padëshiruara”.

Ai ka insistuar se Koreja e Jugut ka ekip shumë të mirë dhe këtë e dëshmoi në katër ndeshjet e luajtura deri më tani. Mirëpo, Klinsmann pranoi se shpërdorimi i rasteve të shumta ka bërë që të mbetet ende në kërkim të fitores së parë.

“Herën tjetër jam i bindur se do t’i shfrytëzojmë të gjitha rastet dhe do t’i fitojmë ndeshjet”, tha gjermani.

Edhe Klinsmann merr drejtimin e Koresë së Jugut Sport Klinsmann merr drejtimin e Koresë së Jugut

Klinsmann mori drejtimin e Koresë së Jugut pas një shkëputjeje trevjeçare nga futbolli. Në fakt, herën e fundit ai ishte trajner i Hertha Berlinit dhe dështoi plotësisht me ekipin nga Bundesliga, kështu që ishte befasi e madhe kur u prezantua si selektor i Koresë së Jugut. Federata e Futbollit të Koresë së Jugut u kritikua shumë që ia besoi këtë detyrë Klinsmannit, i cili më herët ka qenë edhe në krye të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bayern Munichut, dhe Përfaqësueses së Gjermanisë.

58-vjeçari pranoi se së bashku me stafin ende nuk janë përshtatur plotësisht në mjedisin e ri dhe shtoi se detyra e tij është ta ngrijë edhe më shumë ekipin në mënyrë që të jetë gati për sukses në Kupën e Azisë, turne që do të mbahet në janar të vitit të ardhshëm në Katar.

“Së bashku me stafin tim ende jemi duke mësuar dhe gjatë këtyre muajve mendoj se kemi mësuar shumë gjëra. Megjithatë, ne ende po vazhdojmë të mësojmë se si funksionon ekipi dhe si funksionon federata. Pra, jemi vetëm në fillim të rrugëtimit tonë dhe na nevojitet pak kohë që të përshtatemi plotësisht për të pasur sukses”, u shpreh Klinsmann. “Në të njëjtën kohë ne kemi edhe sfida tjera. Po punojmë për ta përmirësuar ekipin dhe mendjen e kemi te Kupa e Azisë, ku besojmë se nuk do të na mungojë suksesi. Ne veçse po mendojmë për kundërshtarët që do t’i kemi në këtë turne”.