Sport

KBF Bashkimi, i fortë për Pejën 03

Kampioni në fuqi i Superligës së femrave në basketboll, e ka fituar bindshëm derbin e xhiros së tetë ndaj Pejës 03. Në duelin e luajtur të premten mbrëma në palestrën “Sezai Surroi” në Prizren, Bashkimi triumfoi me shifrat 96:74.

Për Bashkimin, kjo është fitorja e shtatë këtë edicion, ndërsa Peja 03 regjistroi humbjen e katërt.

Basketbollistet e ekipit të Prizrenit gjatë tërë takimit ishin më të mira se ato të Pejës 03, të cilat i dominuan tërësisht.

Çerekun e parë, Bashkimi e fitoi 27:14, ndërsa shkëputjen e madhe në rezultat e bëri në periudhën e tretë, të cilën e fitoi me shifrat 23:13.

Amerikania Sarah Mgbeike ishte më e dalluara te Bashkimi, pasi ndeshjen e mbylli me 26 pikë, 8 kërcime e 7 asistime. Me lojë të mirë te skuadra vendase, u dalluan edhe Arbnore Përquku (22 pikë, 10 asistime), Jasmine Carson (15 pikë), Jeta Zeka (12 pikë) e Sara Vraniqi (10 pikë).

Në anën tjetër, te Peja 03, vetëm tri lojtare e përfunduan ndeshjen me pikë dyshifrore. Taylor Jones ishte më efikasja me 30 pikë të shënuara, e ndjekur nga Saranda Daci me 13 pikë e 16 kërcime dhe Agnesa Rrahmani (15 pikë), por që nuk mjaftuan për ta evituar disfatën e thellë përball Bashkimit.