KB Rahoveci ka marrë një gjobë të majme nga Komesari i Garave në Federatën e Basketbollit të Kosovës (FBK), shkaku i incidentit në ndeshjen kundër Trepçës që u zhvillua vikendin e shkuar në palestrën “Mizahir Isma”.
Në informatorin e publikuar të martën nga FBK-ja, thuhet se Rahoveci në total është gjobitur me 2200 euro.
Në fakt, Rahoveci e fitoi ndeshjen e xhiros së 21-të ndaj Trepçës (79:78), por çereku i tretë nisi me një vonesë prej 45 minutave.
Në fund të çerekut të dytë, publiku vendas filloi hedhjen e gjësendeve në drejtim të ekipit mysafir dhe ky veprim duket se i ka kushtuar shumë KB Rahovecit. Fillimisht, Rahoveci është gjobitur me 400 euro bazuar në nenin 49.3 të Propozicioneve të Garave për “hedhjen e gjësendeve të forta, të cilat mund të shkaktojnë lëndime”. Pastaj 300 euro gjobë i ka marrë për “hedhjen e petardëve në tribuna para dhe gjatë ndeshjes, të cilat shkaktojnë kushte të padurueshme për shikimin e ndeshjes” bazuar në nenin 49.9. Ndërsa, me 1500 euro është gjobitur për shkak të “hyrjes së personave zyrtar në lokalin ku përpilohet raporti i vëzhguesit” sipas nenit 49.11 të Propozicioneve të Garave për sezonin 2021/22.