Një ide bizare e kurdisjes së ndeshjeve në divizionin e katërt të Afrikës së Jugut ka rezultuar me përjashtimin e katër klubeve përgjithmonë nga futbolli në këtë vend. Matiyasi FC dhe Shivulani Dangerous Tigers ishin duke luftuar për vendin e parë në divizion. Mirëpo Shivulani Dangerous Tigers ishte në krye të tabelës me tri pikë më shumë dhe kishte goldallim dukshëm më të mirë, me 16 gola më shumë të shënuar.
Një hetim nga autoritetet e futbollit të Afrikës së Jugut ka zbuluar se Matiyasi FC ka qenë në gjendje t’i kurdisë ndeshjet me ekipin Nsami Mighty Birds, pasi ky i fundit nuk dëshironte që Shivulani të fitonte titullin e kampionit. E kjo ka bërë që Matiyasi FC të triumfojë ndaj Mighty Birds me rezultatin 59:1, fitore e cila u ndihmua nga një numër i madh autogolash dhe nga arbitri kryesor që reduktoi ekipin humbës në vetëm shtatë lojtarë duke përjashtuar pjesën tjetër. Ndërkohë kur te lideri i ligës, Shivulani FC, mësuan se Matiyasi po avanconte 22:0 në pjesën e parë, komplotuan së bashku me Kotoko Happy Boys për të siguruar se do ta fitonin ndeshjen me rezultat bindës.
Kjo bëri që futbollistët e Kotoko Happy Boys të largohen nga fusha pas pjesës së parë duke u ankuar se janë lodhur dhe nuk mund të vazhdojnë të luajnë edhe në të dytën. Kështu pjesën e dytë Kotoko e vazhdoi me shtatë futbollistë dhe Shivulani fitoi 33:1.
Gjëja e pazakontë ishte se në duelin tjetër që përfundoi 59:1, futbollistët e ekipit humbës shënuan hiç më pak se 41 autogola.
Vincent Ramphago, i cili është presidenti i futbollit në rajonin Mopani, tha: “Kur këto skuadra ishin takuar më parë në muajin mars, rezultatet ishin shumë më të ngushta. Matiyasi fitoi 2:1 ndaj Mighty Birds, kurse Shivulani barazoi 2:2 kundër Kotokos”.
Edhe
Pezullohen katër klube futbolli në Afrikë të Jugut për kurdisje, pas fitoreve 33:1 dhe 59:1
Ai vazhdoi duke shtuar se zbuluan se edhe gjyqtarët ishin të përfshirë në këtë konspiracion, pasi nuk arritën të regjistronin saktë golashënuesit.
“Ne zbuluam se arbitri thjesht po shkruante – ‘lojtari numër 2 shënoi 10 gola, lojtari numër 5 shënoi 20 gola’ dhe kështu me radhë. Por kishte 41 autogola, kështu që nuk e di si arritën t’i regjistronin”, u shpreh Ramphago.
Ai shtoi se të përfshirët nuk kishin “respekt” për lojën e futbollit dhe tha se ishte veçanërisht e trishtueshme duke pasur parasysh numrin e lojtarëve të rinj të përfshirë në këto kurdisje.
“Këta njerëz nuk kanë respekt për futbollin dhe ne nuk mund të lejojmë që të ndodhë përsëri”, shtoi Ramphago. “Ajo që është e trishtueshme është se ka lojtarë të rinj të përfshirë, sepse rregullat e kampionatit përcaktojnë që çdo ekip duhet të luajë me të paktën pesë lojtarë nën 21 vjeç. Qëllimi ynë kryesor në organizimin e ligave është të sigurohemi që futbollistët e rinj të bëhen lojtarë të mundshëm në të ardhmen për Përfaqësuesen e Afrikës së Jugut”.
Pavarësisht nga dëshmitë që tregojnë të kundërtën, trajneri i skuadrës Mighty Birds, Neil Thwala, u deklarua i pafajshëm. Ai fajësoi lojtarët e tij për kurdisjen e ndeshjes. Shtoi se ata ishin të revoltuar për shkak se në një duel të mëparshëm u ishte mohuar fitorja për shkak se arbitri ishte në anën e ekipit Shivulani.
Edhe
UEFA dënon klubin nga Azerbajxhani për kurdisje
“Në ndeshjen e mëparshme që e luajtëm na u tha se arbitri është pjesë e ekipit Shivulani Dangerous Tigers. Ne shënuam katër gola, por arbitri na i anuloi, kurse kundërshtarët qëlluan në anën e jashtme të portës dhe arbitri e pranoi si gol. Ne e humbën ndeshjen dhe u ankuam, por zyrtarët na thanë se vendimi i arbitrit është final”, u shpreh ai. “Kështu që në ndeshjen e fundit lojtarët më nuk e kishin mendjen te ndeshja, sepse nuk donin të luanin. Si trajner jam munduar t’i motivoj, por ishte e pamundur sepse gjithçka veçse ishte kuptuar më herët”.
Zyrtarët e ekipeve të përjashtuara përgjithmonë kanë marrë suspendime prej pesë deri në tetë vjet, kurse gjyqtarët janë dënuar për dhjetë vjet.