Sport

Si ishte kurdisur ndeshja për të cilin UEFA dha dënime maksimale?

uefa

Ka bërë bujë vendimi i UEFA-s për të përjashtuar nga futbolli evropian skuadrën nga Mali i Zi, Arsenal Tivat, për periudhë dhjetëvjeçare. Arsenali është gjobitur edhe me 500 mijë euro, ndërsa lojtarë e zyrtarë të këtij klube janë dënuar me përjashtim përjetë nga futbolli apo me përjashtim dhjetëvjeçar.

Arsenali është shpallur fajtor për kurdisjen e ndeshjeve të korrikut të vitit 2023 me Alashkertin e Armenisë. Ishte hera e parë dhe e vetme që Arsenal Tivati luajti në gara evropiane, përkatësisht në raundin e parë kualifikues të Ligës së Konferencës.

Ndeshja në Jerevan kishte përfunduar 1:1, ndërsa në Podgoricë, Alashkerti kishte fituar 6:1. Deri në minutën e 40-të nuk ishte shënuar asnjë gol.

Por tashmë bastoret në disa vende kishin marrë sinjale për baste enorme që në pjesën e parë të shënoheshin dy apo më shumë gola.

Mbi 250 mijë euro ishin vënë baste “live” që në pjesën e parë do të shënoheshin dy apo më shumë gola. Kuota për “dy apo më shumë gola” në disa bastore ishte mbi 30. Pra ata që kanë luajtur me 1 euro, kanë fituar 30 euro. Bastoret ishin munduar të mbroheshin nga bastet e mëdha, por disa nuk ia dolën.

Dyshimet e para për kurdisje të ndeshjes i kishte dhënë televizioni polak, TVP. Dhe tani UEFA ka konfirmuar se ajo ndeshje ishte e kurdisur.

Goli i parë ishte shënuar në minutën e 40-të dhe i dyti në minutën e parë shtesë të pjesës së parë.

Pra bastvënësit fituan.

Por nuk kishte përfunduar çdo gjë me pjesën e parë.

Baste live ishin vënë edhe kur nisi pjesa e dytë. Ishin vënë baste që ndeshja do të përfundonte me më shumë se pesë gola të shënuara, e madje edhe me më shumë se shtatë gola të shënuara. Ndeshja kishte përfunduar 6:1 për Alashkertin, ndërsa mysafirët nga Armenia i shënuan dy gola në minutat shtesë të pjesës së dytë. Kjo e bëri edhe më të dyshimtë ndeshjen.

Një lojtar dhe një zyrtar i Arsenalit të Tivatit janë përjashtuar përjetë nga futbolli. Tre lojtarë të tjerë janë përjashtuar nga futbolli për dhjetë vjet.

Lojtarë dhe drejtues të klubit ishin në UEFA për t’iu përgjigjur pyetjeve të hetuesve. Kryetari i klubit Arsenal Tivat, Dejan Kandiq, kishte deklaruar në maj të këtij viti se hetimet e UEFA-s kanë nisur pasi ai dhe komuna e Tivatit bënë kallëzim penal. Kandiqi kishte deklaruar se nën hetime janë vetëm lojtarët e jo drejtues të klubit. Por UEFA ka dënuar klubin, një drejtues dhe katër lojtarë.

Me dhjetë vjet përjashtim nga garat evropiane në të kaluarën është dënuar vetëm edhe Skënderbeu i Korçës. Ai vendim u mor në vitin 2018. Edhe Skënderbeu është dënuar për kurdisje të rezultateve. Deri në vendimin e UEFA-s, Skënderbeu ishte skuadër dominante në futbollin e Shqipërisë. Më pas ekipi nga Korça pësoi rënie të madhe. Vendimi i UEFA-s për Skënderbeun ishte vërtetuar edhe nga Gjykata e Arbitrazhit Sportiv në vitin 2019. Skënderbeu po ashtu ishte gjobitur nga UEFA me 1 milion euro.