Futboll

Klubi nga Mali i Zi dënohet rëndë nga UEFA për kurdisje

Klubi nga Mali i Zi përjashtohet nga garat e UEFA-s për 10 vjet

Klubi i futbollit nga Mali i Zi, Arsenali i Tivatit, është dënuar nga UEFA për kurdisje të ndeshjeve. Ky klub është përjashtuar nga garat e UEFA-s për dhjetë vjet. Ndërkohë është gjobitur me plot 500 mijë euro.

Bëhet fjalë për ndeshje të kurdisura në vitin 2023, që i takonin kualifikimeve të Ligës së Konferencës.

Janë kurdisur ndeshjet e Arsenalit me Alashkertin e Armenisë. Ndeshja e 13 korrikut të vitit 2023 në Jerevan kishte përfunduar 1:1. Ndërkohë më 20 korrik 2023 në Podgoricë, Arsenali ishte mposhtur 6:1. 

Vendimet lidhur me ato ndeshje u morën të mërkurën nga Trupi i Kontrollit, Etikës dhe Disiplinës i UEFA-s.

Ndërkohë dënime të rënda janë shqiptuar edhe për lojtarë dhe drejtues të Arsenalit të Tivatit.

Lojtari Nikola Çelebiq është përjashtuar përjetë për kurdisje. Me përjashtim të përjetshëm nga futbolli është dënuar edhe zyrtari i këtij klubi, Ranko Krgoviq. Lojtari tjetër, Qetko Manojloviq, që është 34-vjeçar, është suspenduar nga futbolli për dhjetë vjet. Lojtari tjetër, Radule Zhivkoviq, po ashtu 34-vjeçar, po do të jetë jashtë futbollit për dhjetë vjetët e ardhshme. Portieri serb, Dushan Puletiq, gjithashtu mori dënim me suspendim dhjetëvjeçar. 

UEFA të mërkurën dënoi edhe disa zyrtarë të klubit serb të futbollit, Radniçki Obrenovac. Milan Vignjeviq po për kurdisje të ndeshjeve është përjashtuar nga futbollit për dhjetë vjet. Goran Janjusheviq, po ashtu i Radniçkit është dënuar me përjashtim gjashtëvjeçar nga futbolli.

Nga futbolli, po për kurdisje, është përjashtuar edhe portieri grek, Christos Psomiadis. Ai është pa skuadër për dy vjet. 24-vjeçari nuk do të lejohet të jetë në futboll në tetë vjetët e ardhshme.