Kampionati Botëror, si asnjë tjetër në historinë 92-vjeçare, do të marrë formë këtë javë në shortin e padëgjuar më parë të turneut. Kur FIFA dhe shteti nikoqir, Katari, do ta organizojnë ceremoninë e shortit të premten, tri vende nga 32 pjesëmarrës gjithsej do të jenë të lira, sepse programi trevjetor i kualifikimeve u shty dhe është duke u zhvilluar. Një krizë globale shëndetësore dhe lufta në Ukrainë u përkujdesën për një gjë të tillë.
Kjo do të thotë se 37 shtete do të jenë të përfshira në short, duke llogaritur edhe pesë të cilat nuk do të luajnë në muajin nëntor kur edhe nis Kupa e Botës “në dimër”. Shtetet e kompletuara pjesëmarrëse nuk do të dihen të paktën deri më 14 qershor, kur raundi i plejofit do të përfundojë në Katar.
Kjo i bie të jetë me 74 ditë vonesë pas hedhjes së shortit dhe data e njëjtë kur nisi turneu në vitin 2018 në Rusi, shtet i cili u përjashtua nga faza finale e kualifikimeve për shkak të pushtimit të Ukrainës. Ndoshta, FIFA ishte me fat shtatë vjet më parë kur turneun e vitit 2022 e zhvendosi në muajin nëntor dhe dhjetor, për t’i shmangur temperaturat e larta të Katarit në verë.
Fillimi i vonshëm krijoi zbrazëti për t’i zhvilluar ndeshjet, të cilat u shtynë nga pandemia Covid-19, sidomos ato të shteteve jashtë Evropës, në vitin 2020. Ceremonia e tërheqjes së shortit do të mbahet në Qendrën e Ekspozitave dhe Konventave në Doha. Nis në orën 19:00 dhe do të zgjasë një orë. Njëri nga topat që do të tërhiqet nga vazoja e katërt e përfaqësueseve me renditjen më të dobët do të jetë “Peruja, Australia ose Emiratet e Bashkuara Arabe”.
Ndërsa, topi tjetër që do të tërhiqet më pas do të jetë me emrin e “Ukrainës, Uellsit apo Skocisë”. Kështu do të ndodhë në këtë moment historik të Kupës së Botës, ndoshta në vendin më të pamundur, më 1 prill. Një gjë është e sigurt, se Katari do të jetë skuadër bartëse në Grupin A, duke marrë pozitën A1 në programin e 64 ndeshjeve në vetëm 28 ditë.
Ky privilegj u jepet të gjitha shteteve nikoqire, madje edhe atyre që renditen në vendin e 65-të në botë, siç ishte Rusia. Katari aktualisht është në vendin e 52-të. Gjithsesi, fituesi i Kupës së Azisë në vitin 2019 është përjashtim në mesin e nikoqirëve modernë të Kupës së Botës, pasi nuk është kualifikuar asnjëherë në fazën e grupeve. Dyert për debutimin e Katarit hapen të hënën, më 21 nëntor, në stadiumin “Al Bayt”.
Kjo do të thotë se Katari do t’u shmanget përfaqësueseve më të ranguara, nga pozita e parë deri në të shtatën: Brazilit, Belgjikës, Francës, Argjentinës, Anglisë, Spanjës dhe Portugalisë. Këto do të jenë shtatë skuadrat bartëse në vazon e parë dhe do të zënë vend nga Grupi B, deri te Grupi H.
Vazot e bartësve mbushen sipas renditjes së FIFA-s, që merr për bazë rezultatet ndër vite dhe zyrtarisht do të përditësohen të enjten. Tetë përfaqësueset e tjera me renditjen më të mirë do të shpërndahen në vazon e dytë, të cilat tërhiqen të dytat. Këtu bëjnë pjesë Gjermania dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës e Meksika, pas ndeshjeve kualifikuese të ditës së mërkurë.
Vazoja tjetër është e treta, me ekipe të renditura nga pozita e 20-të e lart, dhe në vazon e katërt përfshihet Kanadaja, që është kthyer në Kupën e Botës pas 36 vjetësh. Kanadaja është në vazon e katërt, pavarësisht se udhëhoqi grupin e kualifikimeve të Amerikës Veriore. Formati i thjeshtë tani bëhet i komplikuar pasi tri ndeshje tjera të plejofit janë shtyrë për në muajin qershor.
Në grupin e evropianëve ku bën pjesë Ukraina, që nuk mund ta përgatitë ekipin për momentin, dhe dy ndeshjet e plejofit ndërkontinental. Hyrjen e këtyre shteteve në Botëror, FIFA e ka listuar në vazon e katërt sipas renditjes më të dobët, me shtetet si Skocia, Zelanda e Re dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Skuadrat e plejofit me renditje më të lartë si Peruja dhe Uellsi, përballen me rënie në vazo, pavarësisht nivelit të tyre të vërtetë. Pozita gjeografike po ashtu limiton ndeshjet e ndërsjella.
Ekipet nga i njëjti kontinent, përgjithësisht nuk mund të shkojnë në të njëjtin grup, me përjashtim të disa shteteve evropiane. Evropa ka 13 nga 31 vende dhe nuk mundet që secila ta shmangë tjetrën. Pesë grupe do të kenë dy skuadra evropiane dhe tri grupe do të kenë nga një. Kjo do të thotë se fituesja e vitit 2014, Gjermania, nga vazoja e dytë mund të bjerë në grup me kampionen në fuqi, Francën.
Secili grup me katër ekipe do t’i zhvillojë gjashtë ndeshje në total. Rregulli se kush me kë do të luajë, do të vendoset po ashtu në ceremoninë e shortit. Numri 32 i pjesëmarrësve është i përkryer që të vendoset faza e nokautit. Dy skuadrat e para të secilit grup, ku goldallimi do të shikohet fillimisht nëse ka nevojë, do të avancojnë në 1/8 e finales. Do të bëhet e ditur edhe rruga e një ekipi për në çerekfinale, gjysmëfinale dhe finale. Pra, nëse Katari avancon si fitues i Grupit A, duhet të luajë me vendin e dytë të Grupit B. Skuadrat që avancojnë nga i njëjti grup nuk do të mund të takohen mes vete deri në finale.
Edhe pse Botërori është më i ngjeshur, do të zgjasë katër ditë më pak se turneu i mbajtur në Rusi në vitin 2018. Fituesi i Grupit G do të duhej të luante shtatë ndeshje brenda 25 ditësh për ta fituar titullin. Ky ekip po ashtu do të ketë vetëm dy ditë të plota pushim, para nisjes së 1/8 së finales më 5 dhjetor. Orari i këtij Botërori është i ngjeshur, pasi turneu zhvillohet në kohën e pushimit të ligave të Evropës. Duke mos dashur t’i humbin përfitimet financiare nga transmetimet, ligat më të forta evropiane kanë vendosur që të luajnë deri më 13 nëntor, përpara se të shkojnë në pushim të dimrit tetë ditë para nisjes së Botërorit në Katar.