Sport

Katari ua paguan udhëtimin tifozëve për të kënduar në ceremoninë e Botërorit

Deri në 1600 tifozë të përfaqësueseve që u kualifikuan për Kupën e Botës po rekrutohen për një udhëtim të paguar me të gjitha shpenzimet në Katar. Ata po angazhohen për të kënduar në ceremoninë e hapjes dhe për të qëndruar për të paktën dy javë në Katar, duke promovuar përmbajtje pozitive në mediat sociale rreth turneut të futbollit dhe vendit nikoqir.

Tifozët nga secila prej 32 përfaqësueseve nevojiten për një sekuencë pesëminutëshe në ceremoninë që mbahet përpara se Katari të luajë kundër Ekuadorit në ndeshjen hapëse më 20 nëntor. Ata do të performojnë një këngë ose disa këngë specifike për secilin vend, të zgjedhur nga organizatorët, sipas dokumenteve të publikuara nëpër media.

“Ne do të ndajmë me ju këngën e përzgjedhur nga vendi juaj për t'u siguruar që jeni njohur me të”, u thanë organizatorët fansave.

Programi ka përjashtuar “personat me përkatësi të dukshme politike” dhe synon të rekrutojë 30 deri në 50 tifozë nga secili ekip që ishin në gjendje të tregonin “statusin e tyre si tifozë të pastër”, thuhet në dokument.

“Kamera do të fokusohet në çdo grup kombëtar tifozësh me radhë”, u është thënë rekrutëve për shfaqjen në stadiumin “Al Bayt” në veri të Dohas. “Bëhuni gati me fanellat, flamujt dhe shallet tuaja për të brohoritur dhe bërtitur”.

Tifozëve u ofrohen fluturime të klasit ekonomik dhe përdorimi i apartamenteve me vlerë mijëra dollarë për të qëndruar të paktën deri më 4 dhjetor, ose për të gjithë turneun nëse ata dëshirojnë, plus do ta kenë edhe një pagesë ditore prej 250 dollarësh. Projekti i ceremonisë së hapjes është një zgjatje e një plani afatgjatë nga organizatorët e Kupës së Botës për të zgjedhur “udhëheqësit e tifozëve” në secilin vend, të cilëve u kërkohet të jenë influencues të mediave sociale duke përdorur hashtagun “IAMAFAN”.

Këtyre fansave u kërkohet të “inkorporojnë, aty ku është e përshtatshme” përmbajtje të ofruar nga organizatorët dhe të mbështesin Kupën e Botës “duke pëlqyer dhe rishpërndarë postimet e palëve të treta”.

Udhëheqësve të tifozëve u është thënë se “ne nuk po kërkojmë që të jeni zëdhënës për Katarin”, por “pa dyshim që nuk do të ishte e përshtatshme që ju të përçmoni vendin ose turneun”. Ndikuesit gjithashtu duhet të bien dakord të “raportojnë çdo koment ofendues, poshtërues ose abuziv” në mediat sociale te komiteti organizativ dhe, nëse është e mundur, të marrin pamje nga ekrani.

Në një deklaratë organizatorët e Katarit thanë se ishin konsultuar me një “rrjet udhëheqës të tifozëve” prej më shumë se 450 personash në 59 vende për të ndihmuar në përmirësimin e Kupës së Botës për vizitorët.

“Me afrimin e turneut ne kemi ftuar drejtuesit tanë më aktivë të tifozëve që të bëjnë personalisht një përzgjedhje të vogël tifozësh për t'u bashkuar me ne si të ftuarit tanë për të marrë pjesë në ceremoninë e hapjes”, tha Komiteti Suprem i Katarit për Dorëzimin dhe Trashëgiminë, “duke i falënderuar për bashkëpunimin e tyre”.

Në Katar pretendojnë se ndikuesit janë “udhëheqës brenda komuniteteve të tyre”. Por grupi “Football Supporters Europe”, i cili njihet nga UEFA për t'u konsultuar për çështjet e tifozëve, e kundërshtoi këtë pohim.

“Ajo që është shumë e qartë është se ata nuk janë përfaqësues të tifozëve. Ata janë punonjës ose vullnetarë të Kupës së Botës dhe duhet të konsiderohen si të tillë”, tha drejtori ekzekutiv i FSE-së, Ronan Evain për AP.

Rreth 1.2 milionë vizitorë ndërkombëtarë priten në Katar për turneun njëmujor, i cili është përballur me kritika dhe skepticizëm qëkur vendi u zgjodh nga FIFA në dhjetor të vitit 2010. Katari ishte mes nëntë kandidatëve për të organizuar Kupën e Botës për vitin 2018 ose 2022. Procesi më vonë iu nënshtrua një hetimi të caktuar nga FIFA për integritetin e fushatës së ofertimit. Komiteti i etikës i FIFA-s, i cili kishte kompetenca të kufizuara për të mbledhur prova, tha në një raport të vitit 2014 se nuk kishte sjellje të mira midis ofertuesve, por kjo nuk kishte ndikuar në votat për vendin organizativ. Rusisë iu dha Kupa e Botës 2018 dhe Katari mori edicionin 2022. Që atëherë Katari është përballur me një shqyrtim dhe kritikë intensive për trajtimin ndaj punëtorëve emigrantë, të cilët ishin të nevojshëm për të ndërtuar projekte thelbësore të Kupës së Botës, duke përfshirë stadiumet, linjat e metrosë, rrugët, hotelet dhe apartamentet. Edhe pse Katari bëri ofertën për të organizuar një turne qershor-korrik me stadiume me ajër të kondicionuar, FIFA vendosi në vitin 2015 të zhvendoste Kupën e Botës në muaj më të ftohtë në mes të sezonit tradicional të futbollit evropian.

Tifozët që dëshironin të udhëtonin për të performuar në ceremoninë e hapjes duhej të dërgonin një deklaratë ose imazh që tregonte dashurinë e tyre për futbollin brenda një afati deri më 10 tetor. Atyre po u jepen bileta vetëm për ndeshjen hapëse, pa asnjë detyrim për të marrë pjesë në ngjarje të tjera si një turne futbolli për tifozët.

“Është një rol i papaguar dhe vullnetar”, tha Komiteti organizativ i Katarit.