Nuk ka pasur kurrë një program ndeshjesh të Kupës së Botës si në Katar. Kupa e parë botërore e luajtur ndonjëherë në nëntor dhe dhjetor - për të shmangur nxehtësinë e shkretëtirës së Katarit - është vetëm pika fillestare për karakteristika të tjera unike. Për lojtarët dhe tifozët në Katar dhe shikuesit në mbarë botën, ndeshjet vijnë herët dhe shpesh në një orar më intensiv se çdo fazë e mëparshme grupore. Katër periudha kohore të veçanta të fillimit të ndeshjeve nevojiten për të funksionuar turneu, megjithëse ato u përdorën të shtunën e parë të turneve të mëparshëm.
Në Katar do të ketë ndeshje njëra pas tjetrës për 11 ditë rresht, për ta kompletuar këtë kupë bote në vetëm 29 ditë. Turneu zgjatë tri ditë më pak se sa turneu 2018 në Rusi dhe edicioni 2014 në Brazil. Një turne 32-ditor, duke përdorur pesë fundjava të plota, nuk ishte i mundur këtë herë për shkak të marrëveshjes që FIFA duhej të arrinte me ligat dhe klubet evropiane në vitin 2015 për të lënë Kupën e Botës në mes të sezonit.
Grupi i Ligave Evropiane kishte paralajmëruar për "dëm shumë të rëndë" që po u bëhej interesave sportive dhe financiare të anëtarëve të tij, duke i mbyllur ato për të paktën gjashtë javë. Ndërsa klubet dhe yjet e njohur si Erling Haaland bëjnë një pushim të gjatë ose shkojnë në kampe stërvitore, lojtarët e Kupës së Botës kanë një kohë intensive përpara. Ekipet në grupet G dhe H, si Brazili dhe Portugalia, kanë më pak ditë pushimi. Për të fituar titullin, ato do të duhet të luajnë shtatë ndeshje në vetëm 25 ditë. Kupa e Botës nuk pushon as mes fazës së grupeve dhe 1/8 së finales.
“Ky do të jetë një turne shumë i lodhshëm dhe është e vërtetë që ne fillojmë më vonë”, tha trajneri i Portugalisë, Fernando Santos. "Përparësia e vetme që shoh është fillimi në datën 24 nëntor, duke pasur parasysh se Anglia, Holanda dhe disa ekipe tjera luajnë në 21 nëntor dhe ne kemi më shumë ditë në dispozicion për t’u përgatitur”.
Santos, i cili i dëshiron ato ditë shtesë para turneut për stërvitje, vuri në dukje dilemën me të cilën përballen shumica e 32 trajnerëve në një Kupë Bote ku zakonisht 75 për qind e lojtarëve të përzgjedhur janë të punësuar nga klubet evropiane. Ligat evropiane kanë luajtur ndeshjet deri më 13 nëntor, dita e fundit e lejuar për lojtarët para se lojtarët të bashkoheshin me përfaqësueset e tyre. Kjo lë vetëm një javë kohë zyrtare përgatitore. Më herët për Kupë të Botës përfaqësueset janë përgatitur të paktën dy javë.
"Nuk kemi kohë për të përgatitur ekipin, vetëm shtatë ditë”, pranoi selektori i Kroacisë, Zlatko Daliq. “Nuk do të jetë e lehtë për ne”.
Nuk kishte zgjidhje perfekte kur FIFA konfirmoi ndryshimin e pashmangshëm të datave në vitin 2015, duke pranuar se Kupa e Botës nuk mund të luhej apo organizohej në qershor, kur temperaturat në Katar arrijnë në 45 gradë celsius. Shtatë vjet më parë opsioni i favorizuar evropian i një turneu të janarit 2022 u hodh poshtë nga drejtuesit e atëhershëm të FIFA-s, për shkak të një përplasjeje të drejtpërdrejtë me Lojërat Olimpike Dimërore në Pekin. Marrëveshja për të luajtur në nëntor dhe dhjetor krijoi një shtyrje pesëmujore që u dëshmua thelbësore kur pandemia COVID-19 bëri kërdi me futbollin ndërkombëtar. Pothuajse të gjitha ndeshjet kualifikuese të Kupës së Botës të planifikuara në vitin 2020 u shtynë. Kur bëhej fjalë për finalizimin e datave të Kupës së Botës, një vijë e kuqe po siguronte që Premier League të zhvillonte ndeshjet e saj tradicionale të 26 dhjetorit. Zgjidhja e lumtur për Katarin ishte organizimi i një turneu katërjavor me një finale tradicionale dhe të mbarë të së dielës - Dita Kombëtare e Emirateve, më 18 dhjetor.