Pasi Kupa e Botës u përshkrua nga FIFA si më e mira ndonjëherë, ndikimi i ngjarjes në Katar do të jetë shumë i madh në kalendarin e mbetur të edicionit të futbollit.
E nisur në nëntor dhe e përfunduar në dhjetor për herë të parë në historinë e vet 92-vjeçare, Kupa e Botës ka filluar t’i shqetësojë skuadrat më të mëdha të Evropës.
“Jemi të dërrmuar”, ka thënë të premten mesfushori i Kroacisë, Mateo Kovaçiq. “Shumë nga ne do të jenë shumë të lodhur kur të kthehemi me klubet tona”.
Ky nuk është lajmi që dëshiron ta dëgjojë klubi i tij, Chelsea, pasi londinezët po përgatiten për rikthimin e Premier Leagues më 26 dhjetor.
Dhe Kovaçiqi ende e ka një ndeshje për ta zhvilluar, atë për vend të tretë kundër Marokut të shtunën.
Kapiteni i Marokut, Romain Saiss, do të mungojë në këtë ndeshje pasi u lëndua në gjysmëfinale, në disfatën nga Franca. Noussair Mazraoui, po ashtu u zëvendësua në atë ndeshje dhe është në dyshim.
“Ne me të vërtetë, me të vërtetë i kemi shtyrë lojtarët tanë në limite”, ka thënë përzgjedhësi i Marokut, Walid Regragui.
Saiss luan për klubin turk, Beshiktash, që kthehet në kampionat më 25 dhjetor.
Organizimi i Kupës së Botës në mes të sezonit evropian ka qenë prej kohësh i kritikuar. Tradicionalisht, Kupa e Botës është mbajtur në qershor dhe korrik. Turneu lëvizi për shkak se në Katar temperaturat janë përvëluese në atë periudhë të vitit.
Kjo lëvizje e organizimit të Botërorit bëri që kalendari të riorganizohej, ndërsa pati ndeshje shtesë në tre muajt e parë të sezonit dhe përsëri do të ketë orar të ngjeshur për pjesën e mbetur të kampanjës.
Klubet e mëdha të Premier Leagues si Manchester City dhe Liverpooli, do të përballen me rikthim të Ligës së Kampionëve, nisje të Kupës FA, dhe po ashtu me kapjen e formës pas një muaji pa futboll në nivel ekipor.
Kjo mund të çojë në stërlodhje të lojtarëve të cilët kanë marrë pjesë edhe në skenën më të madhe të futbollit.
“Klubet e tyre mund të kenë probleme”, ka thënë përzgjedhësi i Kroacisë, Zlatko Daliq. “Veçanërisht me lojtarët që luajnë deri në fund apo gati deri në fund. Për 25 ditë ne kemi qenë këtu dhe Maroku po ashtu. Kështu që do të jetë problem për klubet e futbollit”.
Me këtë në mendje, City dhe Liverpooli mund të jenë me fat pasi asnjë nga sulmuesit yje të tyre, Erling Haaland apo Mohammed Salah veçanërisht, nuk u kualifikuan në turneun e Katarit.
Anglia, Spanja, Italia dhe Franca rikthejnë aktivitetet e tyre në fund të vitit, por liga gjermane do të pushojë deri më 20 janar.
Lojtarët zakonisht kanë rreth dy javë pushim pas Botërorit dhe me shumë gjasë do të kërkojnë edhe më shumë kur të kthehen te klubet e tyre. Kjo mund të ketë ndikim te Paris Saint-Germaini për shembull, me Lionel Messin dhe Kylian Mbappen, pjesë e finales të së dielës ndërmjet Argjentinës dhe Francës.
Qendërmbrojtësit titullarë të Manchester Unitedit, Raphael Varane dhe Lisandro Martinez, janë të përfshirë po ashtu.
Real Madridi, Juventusi, Barcelona dhe Bayern Munichu, do të kenë përfaqësues në finale.
Një gjë pozitive për skuadrat kryesore ka qenë suksesi i Kroacisë dhe Marokut, që eliminuan disa prej favoriteve të turneut si Belgjikën, Spanjën, Portugalinë dhe Brazilin.
Por ato ende kanë lojtarë yje si Luka Modriqi i Real Madridit, Achraf Hakimi i PSG-së dhe mbrojtësi i Bayern Munichut, Noussair Mazraoui. Të gjithë janë të përfshirë deri në fazën e fundit të Kupës së Botës.
“Kur e shikojmë këtë Kupë të Botës, përfitimi më i madh është shënuar nga skuadrat e vogla pasi lojtarët e tyre kanë ardhur në mes të sezonit me formën më të mirë”, ka thënë Daliq. “Ata ishin në formë të mirë fizike dhe të përgatitur. Në këtë aspekt kanë fituar të gjitha përfaqësueset, por veçanërisht ato më të vogla”.
Kupa e Botës do të rikthehet me orarin e mëparshëm në qershor-korrik në vitin 2026, kur do të organizohet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Meksikë dhe Kanada. Por kur shtohet spekulimi se Arabia Saudite do të aplikojë për ta marrë të drejtën e organizimit në vitin 2030, e ardhmja e një tjetër Botërori në mes të sezonit mund të jetësohet sërish.
“Ka një aspekt tjetër për Kupën e Botës në dimër”, ka thënë David Dein, ish-nënkryetar i Federatës së Futbollit të Anglisë, i cili beson se turneu në Katar ka qenë i suksesshëm. “E di se trajnerët nuk e pëlqejnë këtë, sepse i humbin lojtarët në kohë kritike, por për Kupën e Botës si turne, lojtarët janë më të freskët dhe për këtë nuk ka dyshim. Pasi jam përfshirë në futboll, gjithmonë kemi pasur një ‘luftë’ mes klubeve dhe shteteve”, theksoi Dein. “Nga pikëpamja e FIFA-s, kjo është një temë serioze”.