Nuk i ka shkuar mirë ndeshja e dytë me Dinamon e Zagrebit, sulmuesit kosovar Lirim Kastrati. Dinamo të premten mbrëma fitoi 1:0 ndaj Istras, në kuadër të xhiros së dytë të kampionatit të Kroacisë. Por Kastrati nuk e ka përfunduar ndeshjen. Ai është përjashtuar me karton të kuq në minutën e 56-të. Në fakt Kastrati mori dy kartonë të verdhë, për shkak të ndërhyrjeve të palejuara.
Vetëm pak minuta para përjashtimit, Kastrati shpërtheu në krahun e djathtë dhe krosoi mirë në zonë.
Sajti i njohur kroat, Sportske Novosti, ka bërë menjëherë gjatë ndeshjes së dytë pyetjen se sa do të kontribuojë Kastrati për Dinamon. Ai ishte shumë i efektshëm te Lokomotiva, por në Kroaci po bëhen pyetje se a mund të jetë i suksesshëm edhe te Dinamo. Në ndeshjen e së premtes Kastrati ka depërtuar me vështirësi, në mungesë të hapësirës.
Dinamo fitoi me gol të shënuar në minutën e 87-të nga penalltia, që u akordua pas një situate të dyshimtë. Arijan Ademi kompletoi ndeshjen për Dinamon.